Konferenca për shtyp e Ministrit të Financave z.Ridvan Bode, pas miratimit të buxhetit shtesë nga qeveria
Ministri i Financave, Ridvan Bode, në konferencën e tij për shtyp, dhënë sot pranë Këshillit të Ministrave, bëri këtë deklaratë:
"Dje në mbledhjen e saj të radhës, qeveria miratoi projekt ligjin për buxhetin shtesë, për vitin 2007. Ky është rasti i dytë, në mënyrë të përvitshme që qeveria ndërhyn për të bërë përmirësime në rritjen e kapaciteteve të përdorimit të fondeve publike dhe për të përshpejtuar programet e saj të reformave.
Buxheti shtesë i vitit 2007 kap një vlerë prej rreth 28 miliard lekësh ose 300 milion usd. Gjysma e buxhetit vjen prej administrimit fiskal dhe gjysma tjetër prej privatizimit të kompanisë publike Albtelekom. Përmes këtij ndryshimi në buxhetin shtesë mundësohet rialokimi edhe i 1.5 miliard lekëve të tjerë, që destinohen tek objekte dhe zëra të shpenzimeve publike të mundshme për t'u realizuar. Kjo shumë prej rreth 1.5 miliard lekë kanë qenë fonde të destinuara në projekte që nuk mund të realizoheshin brenda këtij viti.
Së treti, përmes këtij buxheti shtesë 2007 ne çlirojmë nga kontigjenca e vendosur si kusht për realizimin e të ardhurave rreth 6 miliard lekë të tjera, të cilat do të kemi mundësinë t'i përdorim gjatë 6 mujorit të dytë.
Buxheti shtesë i vitit 2007 shënon një moment tepër të rëndësishëm në programin e qeverisë dhe në arritjen e objektivave të saj. Të ardhurat në këtë buxhet arrijnë në 27 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ç'ka përbënte një objektiv ambicioz për programin e qeverisë. Nga këto 24 % e PBB-së vijnë prej të ardhurave fiskale. Vetëm përmes këtij buxheti shtesë në vitin 2007, mundësohet rritja e të ardhurave nga tatimet dhe doganat me 1.2 % e PBB-së, aq sa është rritur ky zë në qeverisjen socialiste në 6 vite ( 2000-2005).
Kjo rritje thelbësore e të ardhurave fiskale, e të ardhurave nga tatimet dhe doganat, ndodh paralelisht me një ulje dhe përgjysmim të taksave, një përgjysmim i cili nga paketa e deklaruar së fundmi i çon në më pak se gjysmën, taksën korporative, taksën mbi biznesin e vogël, që janë taksa të drejtpërdrejta. Ndërkohë që është pakësuar me një të tretën taksa mbi punën gjatë vitit të kaluar.
Theksimi i këtij fakti ka për qëllim të evidentojë atë të vërtetë se gjithçka që ndodh me buxhetin e shtetit, përmirësimet dhe këto shtesa që vijnë, bazohen mbi të ardhura të sigurta, mbi të ardhura nga tatimet e taksat dhe jo mbi të ardhura rastësore.
Shpenzimet e buxhetit të shtetit me këtë përmirësim të ri, me këtë buxhet shtesë arrijnë në 32 % e PBB-së, pra do të shpenzojmë 32 lekë për çdo 100 lekë të PBB-së që ne realizojmë brenda vitit, nga 28 lekë që ka qenë në vitin 2005. Ajo që është më e rëndësishme, ne bëjmë përmirësime të dukshme në strukturën e shpenzimeve publike duke destinuar pjesë të qenësishme në investimet publike, në infrastrukturë dhe shpenzime të tjera publike që janë objekt dhe detyrë e administratës qendrore.
Ne në këtë vit arrijmë në 7. 14 të PBB-së shpenzime për investime publike, nga 4 % që kanë qenë në vitin 2005.
Nga këto 5 %, ose 5 lekë për çdo 100 lekë të PBB-së, i përdorim nga fondet e brendshme, të krijuara nga të ardhurat nga tatimet dhe doganat. Këto fonde përdoren për financimin e investimeve të infrastrukturës dhe vetëm 2 lekë vijnë nga fondet e tjera, të huajtura etj. Ndërkohë që në vitin 2005, kjo shifër ka qenë në total 2.9 %.
Buxheti shtesë destinon në radhë të parë fondet e tij për të mbështetur programin e investimeve në infrastrukturë. Do të jetë infrastruktura rrugore e cila do të marrë rreth gjysmën e buxhetit shtesë. Rreth 13 miliard lekë ose 150 milionë dollarë do të destinohen për të përshpejtuar projektet e filluara dhe në proces, ndër të cilët në mënyrë të veçantë do të përmendja investimin e filluar tashmë rrugën Durrës – Kukës, i cili merr gjysmën e të ardhurave nga privatizimi i Albtelekomit, si pjesë e financimit të punimeve të tij. Fillojnë edhe dy objekte të reja, të cilat deri më sot nuk kanë qenë filluar por kanë qenë pjesë e programit dhe strategjisë së qeverisë për infrastrukturën siç është segmenti rrugor Korçë – Qafë Plloçë dhe një pjesë e segmentit të rrugës së Arbrit (Bllatë – Bulqizë).
Pjesë të tjera të rëndësishme të këtij buxheti destinohen për të mbështetur politikat e deklaruara të rritjes së pagave të ulëta dhe pensioneve. Me propozimin e bërë, për të dytin vit radhazi ne rrisim pagat e ulëta mbi një 20 %. Respektivisht sektori i shëndetësisë me 23 % dhe arsimi me 22 %, ç'ka përbën edhe numrin më të madh të përfituesve nga administrata publike që ka vendi. Fondet e tjera destinohen për të rritur në tërësi pagat e administratës. Janë të gjitha kategoritë e administratës publike që rriten me të paktën 10 % dhe që kompensohen njëkohësisht tërësisht efektet që vijnë nga zbatimi i taksës së sheshtë.
Pra janë konsideruar të gjithë këto efekte dhe kemi një rritje që shkon nga 5 – 7 % për administratën masive dhe nga 15 – 22 për qind për kategori të veçanta të administratës. Janë alokuar dhe motivuar gjithashtu përmirësime të dukshme në personelin e kualifikuar në administratën publike përmes shpërblimeve për tituj dhe grada të tjera shkencore.
Ky buxhet mundëson financimin e diferencës së çmimit dhe përmirësimin e pozitës financiare të KESH-it me rreth 5 miliard lekë, që do të ndihmojë këtë kompani dhe do të kapërcejë atë pamundësi që vjen për t'u futur lirshëm në treg për shkak të rritjes së çmimit.
Buxheti shtesë i vitit 2007 mendoj se përbën një arritje që për shumë njerëz mund të ketë qenë një utopi. Por ai është tashmë realitet. Perspektiva për të mbajtur këto shifra dhe për të përmirësuar këtë strukturë kërkon një angazhim edhe më të madh nga aj që mundësoi këto parametra në buxhetin e shtetit shqiptar.
Ju faleminderit!"
Ministri i Financave z.Ridvan Bode i'u përgjigj pyetjeve të gazetarëve;
Pyetje:Zoti Ministër a do të ketë sërish një rritje të tillë të pagave dhe pensioneve vitin tjetër?
Përgjigje– Ne kemi një program dhe strategji ambicioze që jemi përpjekur ta respektojmë dhe të mundësojmë avancimin në kohë kur është e mundur. Vitin që vjen, prandaj e përmenda dhe në fillim, ruajtja e parametrave të këtij buxheti do të jetë një sfidë për qeverinë. Ato u vendosën por mbajtja e tyre përbën sfidën për qeverinë. Sigurisht për të vazhduar programin dhe politikat e deklaruara të rritjes së pagave. Ne po përdorim buxhetin e këtij viti për të avancuar programin e investimeve në mënyrë që në vitin 2008 të mund të kemi më shumë hapësirë për të mos bllokuar dhe penguar asnjërën prej politikave të deklaruar tashmë. Pra ne shtojmë 150 milion USD në buxhetin e këtij viti për të financuar projekte të cilat kanë qenë të programuara për vitin 2008, për të krijuar hapësira që në vitin e ardhshëm për shkak të përgjysmimit të taksave çdo efekt të mos prekë politikat thelbësore të deklaruara të pagave, të mbështetjes së arsimit dhe shëndetësisë dhe plotësimit të parametrave 2 % të buxhetit për ushtrinë, në mënyrë që gjithçka që është programuar dhe miratuar në program të realizohet pa pengesa dhe pa modifikime në rrugë e sipër.
Pyetje – A do mund të realizohen të gjitha shpenzimet dhe fondet e këtij buxheti shtesë ?
Përgjigje – Në këtë vit kemi një ecuri më të mirë nga viti i kaluar. Investimet publike kanë një rritje prej rreth 36 % më shumë nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar si 6 mujor. Nga të gjitha konfirmimet, diskutimet dhe deklaratat me shkrim që kemi marrë nga institucionet që kryejnë investime publike, na është konfirmuar se këto fonde do të realizohen tërësisht deri në fund të vitit.
Ndërkohë që fondet e tjera nuk është problem për t'i realizuar, pasi dihet se realizohen gjithnjë 100 %. Nuk ka rroga të pa marra, dieta, karburante apo telefona për të shpenzuar. Pra i gjithë problemi është se çfarë do të bëjmë për të realizuar programin e investimeve publike i cili është realisht tepër i madh, të paktën sa dyfishi i asaj që është realizuar në mënyrë tradicionale në Shqipëri. Shkojnë në rreth 800 milion USD investimet e këtij viti. Pra paratë që kemi vënë në dispozicion të investimeve publike. Ndërkohë që ne jemi duke ndjekur me shumë vëmendje të gjithë progresin që do të bëjnë institucionet dhe sigurisht që nëse do të ketë progres të pamjaftueshëm ne do të ndërhyjmë përsëri ndoshta në muajin dhjetor, për të bërë korrigjimet e nevojshme në mënyrë që të gjithë fondet që ne kemi mbledhur dhe janë autorizuar nga Kuvendi të mos mbeten pa u realizuar. Pra të mos digjen, sic thuhet zakonisht, megjithëse ato nuk digjen sepse shkojnë për pakësimin e borxhit publik që është krijuar nga qeveritë e mëparshme.
Megjithatë ne kemi menduar që të kemi një zë më vete për pakësimin e borxhit publik. Janë rreth 8 miliard lekë që pakësojnë borxhin e trashëguar dhe kjo na bën që të ulim edhe me 2 pikë % mbi PBB-në, në deficitin publik që ka vendi në totalin e tij. Pra borxhi nga 54 % shkon në rreth 52 % e PBB-së. ndërkohë borxhi i vitit në vijim është shumë më i ulët për shkak se do pakësojmë marrjen e borxhit të ri nga privatizimi.
Pra mendojmë që ideja për të kryer shpenzime në mënyrë efektive dhe në përputhje me programin për investime publike do të jetë një përqendrim i vazhdueshëm i qeverisë në periudhën e ardhshme. Sigurisht që nuk do të shpenzojmë për të shpenzuar por në mënyrë efektive.
Pyetje – Në fakt sa do të ndikohet realizimi i buxhetit shtesë në rast se shkojmë në zgjedhje të parakohshme, që tashmë duken të pashmangshme?
Përgjigje – Ju kërkoni të dini të gjithë sekretet që ka ministri i Financave? Ky buxhet ka brenda gjithçka. Ka masa sigurie të mjaftueshme për të përballuar gjithçka dhe jo vetëm zgjedhje. Masat nuk i them në qeveri kështu që nuk mund t'i nxjerr këtu në konferencë.
Pyetje – Z. Bode , keni folur para dy ditësh për rritje të çmimit të energjisë elektrike. A keni ndonjë llogaritje për këtë dhe nëse do të lindë nevoja për të financuar KESH-in mbi 5 miliard lekë a janë mundësitë e qeverisë për ta bërë këtë ?
Përgjigje – Ky 5 miliardësh sipas të gjitha llogaritjeve dhe sipas konsultave që kanë bërë edhe ekspertët ndërkombëtarë që asistojnë KESH-in gjithashtu ( Banka Botërore dhe FMN, pasi KESH –i është futur edhe në agjendën e Fondit), vlerësimet janë që 5 miliardë janë të mjaftueshme për ta ndihmuar kompaninë dhe për të rritur kapacitetin e saj që të vijojë programin e investimeve dhe aktivitetin e përditshëm pa pengesa dhe të mundësojë plotësimin e nevojave që ka vendi për furnizim me energji elektrike. Pra nuk mendoj se do të ketë ndonjë risk tjetër brenda vitit. Ndërkohë që nuk janë përjashtua risqet në perspektivë, në qoftë se thatësira do të vazhdojë me të njëjtën ashpërsi që ka qenë këto dy vitet e fundit. Ne shpresojmë që ciklet klimaterike të mos ndryshojnë 3 vjet po i kalojmë në thatësirë, presim 3 vite me shi që të kapërcejmë situatën. Ndërkohë që 5 miliardë lekë janë pikërisht për të subvencionuar çmimin e energjisë. Nuk ka politikë për rritjen e çmimit në këtë vit, por po e subvencionojmë me shpresë që bilanci i prodhimit të kompanisë të jetë i mjaftueshëm për të vijuar me atë çmim që kemi aktualisht.
Pyetje – A keni një skenar rezervë për problemin e energjisë në rast nevoje urgjente nga KESH-i?
Përgjigje – Ky është risku. D.m.th ajo që ka ndodhur ka ndodhur me kompaninë dhe janë marrë në konsideratë efektet që vijnë nga strategjia që po zbaton aktualisht KESH-i, strategjia që me një sistem kufizimi të energjisë elektrike duke ruajtur raportet që 50 % të vijnë nga prodhimi dhe 50 % nga importi. Ky skenar me nevojat apo me normat që janë përllogaritur edhe nga fakti i vitit të kaluar shkon te vlera 5 miliard që ne e alokuam. Pra brenda vitit nuk kemi risqe të tjera. Ndërkohë që sikurse e thashë në perspektivë gjithçka varet nga faktorët e tjerë.
Pyetje – Sa është vlera e borxhit që parashikohet të shlyhet me këtë buxhet?
Përgjigje – Pakësimi i borxhit të brendshëm është siç e thashë rreth 8 miliard lekë, lidhet me privatizimin dhe është sipas marrëveshjes me Fondin.
Pyetje – Sa para janë parashikuar për rrugën Durrës - Kukës nga buxheti shtesë ?
Përgjigje – Financimi është i konsiderueshëm. Ne kemi pasur 5 miliard lekë në buxhetin e vitit, shtuam dhe 7.2 miliard lekë të tjera dhe kemi arritur në 12 miliard lekë. Ndërkohë që janë në dispozicion të financimit të kësaj rruge në varësi të avancimit të punimeve dhe vëllimit të tyre, edhe 230 milion euro, që tashmë janë kontraktuar nga qeveria shqiptare me bankat që fituan tenderin.