Kryeministri Berisha: Zgjedhjet e parakohshme dëmtojnë procesin e integrimit të vendit
- Kryeministri: Zoti Bamir Topi, kandidati më i përshtatshëm për President i Republikës
Kryeministri Berisha, në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, ftoi opozitën që të bëhet pjesë e procesit kushtetues të zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe të mos nxisë zgjedhjet e parakohshme, pasi ato do të dëmtonin procesin e integrimit të vendit.
Kryeministri Berisha theksoi se mazhoranca është shprehur qartë për shmangien e zgjedhjeve, jo sepse i trembet rezultatit, por sepse duhet të bëhen të gjitha përpjekjet që vendi t'i afrohet sa më shumë ftesës për në NATO, të japë garanci për investimet dhe reformat që e presin. Ai tha se opsioni i opozitës për zgjedhje të parakohshme është i gabuar dhe shumë i pa justifikuar.
Kryeministri Berisha vlerësoi se raundi i tretë i votimit në parlament për Presidentin e Republikës "dëshmoi qartë se së shpejti do të kemi Presidentin e Republikës dhe se zoti Topi është kandidati i fitores së kësaj gare". Në këtë raund, tha Kryeministri, Parlamenti ishte tërësisht funksional dhe zbatoi me përpikëri rregullat.
Në fjalën e tij, ndër të tjera, Kryeministri Berisha u shpreh:
"Do të doja që sot para jush të flisja për buxhetin suplementar, por jam i bindur që mediat, me të drejtë, dëshirojnë të dëgjojnë për çështjen e Presidentit të Republikës. Unë, në mirëkuptim të dëshirës së tyre, dua të theksoj se ka pasur risi shumë pozitive në këtë proces të një rëndësie shumë të madhe.
Së pari, raundi i tretë arriti dhe tejkaloi shumicën kushtetuese në procesin e votimit. Ata që kanë ndjekur në vendet përreth zgjedhjen e presidentit, panë në raundin e tretë një parlament tërësisht funksional që zbatoi me përpikëri rregullat.
Së dyti, në raundin e tretë u shtua edhe një kandidat tjetër nga radhët e opozitës dhe hyri në garën presidenciale. Pra, raundi i tretë u zhvillua me 3 kandidatë. Unë mendoj se ky ishte një zhvillim shumë pozitiv. Raundi i tretë dëshmoi qartë se së shpejti do të kemi Presidentin e Republikës dhe se zoti Topi është kandidati i fitores së kësaj gare. Mendoj se edhe një studim opinionesh, i publikuar ditën e votimit apo një ditë më parë, faktonte se zoti Topi ishte me distancë kandidati më i preferuar nga qytetarët shqiptarë, të cilët po të kishin pasur mundësinë të votonin, nuk do kishin zgjedhur asnjë tjetër përveç zotit Topi.
Por, me gjithë këto zhvillime të rëndësishme pozitive që faktojnë se po shkohet drejt kurorëzimit të procesit, me keqardhje më duhet të konstatoj se partia kryesore e opozitës shqiptare dhe aleatë të saj, po bëjnë çdo përpjekje për të çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Por, që të jem i sinqertë me ju, nëse këto zgjedhje do të kishin si shkak para së gjithash marrjen e pushtetit, mund të thosha se, në sovranitetin e saj, opozita mund të bëjë çdo veprim. Por, siç është e qartë për çdo shqiptar, këto përpjekje nuk janë asgjë tjetër veçse rezultat i luftës të brendshme të saj, për të cilën unë e garantoj opozitën se kam qëndruar dhe do të qëndroj totalisht neutral dhe i pa përzier. Kjo sepse lufta dhe rivaliteti brenda forcave politike janë një konstante e tyre. Por, përpara se të kërkohen zgjedhjet e parakohshme, sepse njëri grup mendon se në këtë mënyrë do të nxjerrë jashtë loje grupin kundërshtar, do t'i nxjerrë nga lista e deputetëve ata që u rebeluan apo grupi tjetër të punojë për zgjedhje të parakohshme për të faktuar disfatën e drejtuesit kryesor, më duket se ka vend dhe hapësirë për bashkëpunim. Ndaj i bëj thirrje opozitës të rishqyrtojë qëndrimin. Për të mos thënë, i treti i tyre, që është kryetari i Grupit parlamentar, i cili në mënyrë absolute ua ka me hile që të dyve dhe, si dinak që është, në rast se nuk do ketë se kujt t'i bëjë dinakëri dhe hile, do të kthehet t'i bëjë vetes së tij. Nuk them se ai po loz një rol tmerrësisht nxitës për opozitën që ajo të ndjekë platformën e zgjedhjeve, në një kohë kur ne po ndjekim platformën e Presidentit, në një kohë kur kishte mundësi të plotë të lozte të gjithë rolin në mënyrë që, të gjetur para faktit të kryer, votave, firmave të mbledhura nga ish kryetari i tyre, t'u kërkonte zyrtarisht deputetëve socialistë që të paraqiteshin në parlament dhe të votonin ish kryetarin e tyre. Ose t'i thoshte ish kryetarit të largohej nga gara dhe të vendosnin një socialist tjetër.
Nuk dua të ndalem në analizë, vetëm se opsioni i opozitës për zgjedhje të parakohshme është i gabuar dhe shumë i pa justifikuar. Ndaj, edhe njëherë, i bëj thirrje dhe i ofroj bashkëpunimin që të bëhet pjesë e këtij procesi kushtetues, të shmangë përdorimin e problemeve të brendshme për të marrë vendime që në radhë të parë jo produktive për vet opozitën.
Në qoftë se ne jemi kaq të përcaktuar për shmangien e zgjedhjeve, nuk e bëjmë këtë për shkak se druhemi nga rezultati. Jo, në mënyrë kategorike. Ne nuk kemi asnjë ndrojtje nga rezultati. Por edhe sikur ky rezultat të na jepte 100 deputet, ne duhet të bënim të gjitha përpjekjet për t'i shmangur ato, në mënyrë që t'i afrohemi sa më shumë ftesës për në NATO, të japim garanci për investimet, reformat që na presin. Ndaj e ftoj opozitën që të vazhdojë të bashkëpunojë në këtë proces, të bashkëpunojë në të gjitha proceset , duke i dëshmuar asaj respektin tim të plotë dhe të palëkundur. Në këtë pikë nuk kam asnjë lloj mëdyshje".