Konferenca për zhvillimin, Vasili: Paketë falas për shërbimet e shëndetit riprodhues
TIRANE- Në kuadër të 15-vjetorit të nëenshkrimit në Kajro të planit të veprimit për popullsinë dhe zhvillimin, u organizua në Tiranë një konferencë ndërkombëtare organizuar nga përfaqësia e PNUD në vendin tonë. Shqipëria: Synimet, Arritjet dhe Sfidat ishte tema kryesore e kësaj konference. Të pranishmit në këtë konferencë vunë theksin në arritjen e objektivave të zhvillimit të mijëvjacrit deri në vitin 2015. Në fjalën e tij ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili hodhi një vështrim të situatës dhe problematikave të shëndetit riprodhues në vendin tonë. Shërbimet e shëndetit riprodhues – tha Vasili - si shëndeti i nënës dhe fëmijës, planifikimi familjar, parandalimi dhe trajtimi i dhunës, HIV/AIDS janë të përfshira në paketën bazë të shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor që ofrohen falas. Gjatë kësaj periudhe 15 vjeçare, qeveria shqiptare ka punuar për përshtatjen dhe përmirësimin e kuadrit legjislativ dhe zhvillimin e strategjive për përmirësimin e shëndetit riprodhues të popullatës si: Strategjia Kombëtare për HIV/AIDS, Strategjia Kombëtare për të rinjtë dhe Plani i Veprimit Kombëtar, Strategjia Kombëtare për barazinë gjinore dhe eleminimin e dhunës, Strategjia Kombëtare për fëmijët, Dokumenti strategjik dhe plani i veprimit për shëndetin riprodhues për vitet 2010-2015.(m.a/News24/BalkanWeb)