E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e cmimit të energjisë, ERE: Shkak? Humbjet e amortizimi i aseteve

TIRANE- Amortizimi i aseteve të OSSH-së dhe niveli i lartë i humbjeve kanë qenë arsyet e rritjes së cmimit të energjisë elektrike me 13%. Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta ka shpjeguar në Komisionin e veprimtarive prodhuese arsyet pse shqiptarët shpenzojnë aktualisht më tepër se cdo qytetar tjetër i Europës Lindore për çmimin e energjisë. Ai ka deklaruar se kompania CEZ ka bërë rivlerësim të aseteve pas privatizimit dhe ka konstatuar se vlera e tyre është 10 miliard lekë më e ulët se ajo e paraqitur nga qeveria para shitjes së OSSH.-së. “Vlera e aseteve përpara privatizimit është vlerësuar me 26 miliardë lekë. Kur u bë rivlerësimi i aseteve, vlera e tyre doli që ishte 16 miliradë. Aktualisht me aplikimin e vet CEZ kërkon që të njihet norma e amortizimit për vlerën e asteve përpara privatizimit dhe jo për vlerën 16 miliardë. Arritëm në përfundimin që rritja e cmimit të energjisë të ishte në masën 13% dhe kjo i garanton atij përvec mbulimit të shpenzimeve edhe një kthim të kapitalit në një masë të konsiderueshme.” Shpjegon Nepravishta. Kreu i ERE ka kundërshtuar deklaratën e pak ditëve më parë të drejtorit të përgjithshmën të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes për rritjen e cmimit të energjisë deri në vitin 2014 në masën 15% plus inflacionin. Sipas Nepravishtës një pakt i tillë nuk parashikohet në deklaratën rregullatore. “Në rast se në një vit të caktuar çmimi i energjisë elektrike del i lartë atëherë ERE ka të drejtë që ti propozojë OSSH-së që për të mos rënduar konsumatorët çmimi të pjesëtohet në dy pjesë, për një vit të lihet një pjesë dhe pjesa tjetër të kompensohet në vitin pasardhës, ose në vitet e tjera pasardhëse në bazë të marrëveshjes midis palëve” u shpreh kreu i ERE. Nepravishta ka deklaruar se nga rritja e cmimit të energjisë me 13% do të preken vetëm 21% e familjeve pasi kaq është numri i atyre që shpenzojnë mbi 300 kilovat/orë. Përsa u përket bizneseve , Nepravishta është shprehur se furnizimi pa ndërprerje me energji kushton më shtrenjtë se ai i planifikuar me ndërprerje.(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›