E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrave Berisha dhe Geir H. Haarde

I nderuar zoti Kryeministër, Geir H. Haarde
Të nderuar ministra,
Zonja e Zotërinj,

Shfrytëzoj rastin t’ju përshëndes shumë përzemërsisht për këtë vizitë historike, të parën të Kryeministrit të Islandës në Shqipëri.
Zoti Kryeministër, edhe njëherë gjej rastin T`ju falënderoj me shumë mirënjohje për pritjen e shkëlqyer që më rezervuat gjatë vizitës time në Islandë, si dhe t`ju falënderoj për kthimin e kësaj vizite. Islanda është një vend i vogël, por një shembull i madh dhe frymëzues, një shembull që dëshmon se sa shumë mund të arrijnë njerëzit e lirë. Në këtë kontekst jam shumë i bindur se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona paraqesin një interes shumë të madh për Shqipërinë, e cila ka një histori të shkuar të vështirë, por që sot është e vendosur të shfrytëzojë liritë dhe vlerat e saj për të ndërtuar të ardhmen. Kryeministrit Geir Haarde dhe qeverisë së tij dua t`i shpreh mirënjohjen e madhe për mbështetjen që i dhanë Shqipërisë për të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO. Ne zhvilluam diskutime të zgjeruara, si në takimin kokë më kokë, ashtu dhe në takimin ndërmjet dy delegacioneve, të cilat u përqendruan para së gjithash në bashkëpunimin bilateral mes dy vendeve.
Ne nënshkruam dy marrëveshje të rëndësishme dhe dua të them se janë në përgatitje e sipër dy marrëveshje të tjera, në mënyrë që të përgatisim një bazë të shkëlqyer ligjore të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe kombeve tona.
Shqipëria ofron mundësi të mëdha reale për investitorët islandezë.
Shqipëria ka një potencial të madh turistik për të zhvilluar. Islanda dhe Shqipëria ngjasojnë me njëra-tjetrën në pasuritë e mëdha ujore që kanë. Në këtë kontekst ne mirëpresim kompanitë islandeze të investojnë në rezervat energjetike të mëdha ujore në Shqipëri dhe të investojnë gjithashtu në të gjitha fushat me interes për to. Kryeministri Geir Haarde më siguroi se qeveria e tij do të ratifikojë në muajt që vijnë Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe për këtë e falënderoj me shumë mirënjohje. Islanda dhe vendet e Veriut kanë ruajtur një interes të madh për zhvillimet në rajonin tonë. Kanë kontribuar në paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë. Unë mbetem shumë mirënjohës për vendimin e qeverisë islandeze për të njohur pavarësinë e Kosovës. Ne diskutuam gjerësisht mbi problemet që ende ekzistojnë në rajon, dhe besoj se zgjidhja e tyre me dialog është shumë e dobishme dhe e domosdoshme. Diskutuam dhe për zhvillimet më gjerë se rajoni, për situatën në Gjeorgji dhe pasojat e agresionit rus në këtë vend. Ne ramë dakord të bëjmë çdo përpjekje për intensifikimin e marrëdhënie miqësore mes dy vendeve tona. Edhe njëherë dua të falënderoj mikun tim të çmuar e të shquar Kryeministrin e Islandës për këtë vizitë.

Kryeministri Z.Geir H. Haarde: Faleminderit zoti Kryeministër.
Është kënaqësi t’ju takoj përsëri dhe dua t’ju falënderoj për ftesën që më bëtë për të vizituar vendin tuaj. Falënderoj të gjithë pjesëmarrësit, anëtarët e qeverisë dhe përfaqësuesit e mediat.
Sikurse u shpreh edhe Kryeministri Berisha, gjatë takimit ne diskutuam gjerësisht për disa çështje, për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona, si dhe për marrëdhëniet ndërkombëtare. Unë nuk dua të përsëris atë çfarë tha Kryeministri Berisha, por dua të theksoj se ne jemi shumë të interesuar për të zhvilluar edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona. Ne do të bëjmë çdo përpjekje për të vijuar me marrëveshjen për evitimin e taksimit të dyfishtë dhe mbrojtjen e investimeve.
Gjithashtu, dua t’ju siguroj ju se Parlamenti i Islandës do të ratifikojë brenda vitit Protokollin për Anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Unë dua ta mbyll fjalën time, duke përshëndetur edhe një herë Kryeministrin Berisha dhe qeverinë e Tij për të gjithë këtë zhvillim të dukshëm që ka bërë Shqipëria në vitet e fundit. Ne e falënderojmë Shqipërisë edhe për mbështetjen do të na japë për të qenë një vend anëtar i Këshillit të Sigurimit. Kam besim se në të ardhmen do të kemi më shumë hapësira për të bashkëpunuar si në sektorin e energjetikës, në fushën e turizmit, në farmaceutikë, etj..

Pyetje: Zoti Kryeministër, në fjalën tuaj përmendët dhe situatën në Gjeorgji. A është e vërtetë që Shqipëria i ka shitur armë Gjeorgjisë, sikurse autoritete të larta ruse kanë deklaruan një ditë më parë?
Kryeministri Berisha:
Gjeorgjia është një vend mik yni dhe një vend demokratik, i cili do të ketë të gjithë mbështetjen që meriton një vend i tillë në një situatë të vështirë.
Të mendosh që Gjeorgjia paska nevojë për armët e Shqipërisë, kjo është një shpikje. Gjeorgjia është një vend që ka pasur armët e veta, ushtrinë e vetë dhe që pësoi agresion. Akuzat ruse nuk më çudisin aspak sepse kanë një qëndrim konstant ndaj shqiptarëve. Për mendimin tim, qëndrimi rus ndaj vendeve të vogla është jashtëzakonisht i dënueshëm. Rusia një ditë sulmon një vend, ditën tjetër bën deklarata kundër anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, e kështu me radhë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›