E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë për shtyp e Këshilltarit të Kryeministrit për Marrëdhëniet Publike

Këshilltari i Kryeministrit për Marrëdhëniet Publike, zoti Neritan Sejamini, dha sot një konferencë për shtyp, në të cilën bëri këto komente:

"Në emër të Kryeministrit, dëshiroj të shpreh edhe njëherë qëndrimin se ftesa e qeverisë drejtuar opozitës për bashkëpunim është një ftesë e hapur dhe e sinqertë.

Përgatitja e zgjedhjeve është detyrë parësore e qeverisë dhe ajo është e vendosur për të marrë të gjitha masat për përmbushjen me sukses të këtij procesi. Në këtë kuadër, ajo është e vendosur të bashkëpunojë me të gjitha forcat politike dhe pushtetin lokal për të garantuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Por nga ana tjetër, opozita ka përgjegjësitë e saj politike për procesin zgjedhor dhe këto përgjegjësi nuk mund të përmbushen kurrsesi përmes bojkotit dhe refuzimit të bashkëpunimit.

Qeveria i ka vlerësuar me përgjegjësi të gjitha shqetësimet e opozitës. Propozimet e bëra publike ditët e fundit nga Kryeministri Berisha i japin zgjidhje këtyre shqetësimeve.

Problemi i listave të zgjedhësve është problem tërësisht teknik dhe plotësisht i zgjidhshëm. Qeveria është e vendosur për të ofruar gjithë mbështetjen financiare dhe logjistike për të garantuar heqjen e dublikimeve në këto lista. Në radhë të parë, hartimi i listave të zgjedhësve është përgjegjësi e pushtetit lokal. Opozita është shumicë në pushtetin lokal dhe është në dorën e saj për të siguruar heqjen e dublikimeve në shumicën e bashkive dhe komunave të Shqipërisë ku ajo qeveris. Oferta e Kryeministrit që grupet e punës së Partisë Socialiste të kontrollojnë listat në komunat dhe bashkitë që drejtohen nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe aleatët e saj, i mundëson opozitës transparencë të plotë mbi listat dhe praktikisht heq çdo arsye për dyshim.

Është e rëndësishme të theksohet se e drejta e votimit është e drejtë bazë dhe e patjetërsueshme, ndaj në asnjë rast nuk mund të imponohen zgjidhje të cilat cënojnë këtë të drejtë.

Së dyti, dëshiroj të theksoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka legjitimitet të plotë. Anëtari i fundit i zgjedhur nga Kuvendi është zgjedhur në një proces të rregullt ligjor dhe në legjitimitet të plotë. Ky është një fakt i qartë edhe për opozitën. Balancimi 4 me 3 i KQZ-së, në favor të opozitës, është pranuar si balancim i drejtë i komisionit edhe nga opozita.

Duhet theksuar edhe njëherë se duke qenë se votimi për rezultatet e votimeve kërkon një shumicë prej 5 anëtarësh, opozita gëzon aty pushtet të plotë mbi votimet e rëndësishme të KQZ-së.

Në lidhje me shqetësimin për KKRT dhe KD të Radiotelevizionit Shqiptar, duhet thënë se reforma e ndërmarrë në këtë drejtim është një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të këtyre institucioneve. Ndryshimet ligjore në këtë drejtim garantojnë që për herë të parë të kemi institucione krejtësisht të pavarura nga politika. Përbërja e këtyre institucioneve nuk le asnjë vend për komente.

Propozimi i kryeministrit për të sanksionuar me ligjin "par condicio" është një nga normat më demokratike perëndimore që i garanton opozitës të njëjtën hapësirë për mbulim në media, sikurse edhe qeverisë.

Së fundi, dëshiroj të theksoj se politika e paragjykimit është jo produktive. Pjesëmarrja dhe bashkëpunimi janë të vetmet mjete që sigurojnë proces demokratik dhe përmbushje të detyrimeve ndaj qytetarëve".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›