E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendim për mjetet motorike lundruese

V E N D I M

PËR

MJETET MOTORIKE LUNDRUESE, QË LEJOHEN TË QARKULLOJNË NË ZBATIM TË MORATORIUMIT "PËR MJETET MOTORIKE LUNDRUESE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË"

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 1 e 3, të ligjit nr.9509, datë 4.3.2006, "Për shpalljen e moratoriumit për mjetet motorike lundruese në Republikën e Shqipërisë", me propozimin e ministri të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I :

1. Lejohen të qarkullojnë në ujërat, territoriale dhe të brendshme, të Republikës së Shqipërisë, mjetet motorike lundruese me flamur të huaj dhe/ose në pronësi të personave apo të subjekteve të huaja, si dhe mjetet motorike lundruese shqiptare, të përfshira në kategoritë e mëposhtme:

a) Mjetet motorike lundruese, në përdorim të organeve shtetërore:

i. Presidentit të Republikës;
ii. Kryeministrisë;
iii.Ministrisë së Mbrojtjes;
iv. Ministrisë së Brendshme;
v. Ministrisë së Financave;
vi. Ministrive të tjera dhe institucioneve në varësi të tyre, kur këto mjete përdoren brenda veprimtarive, të lejuara në Kodin Detar, marrëveshjeve dy dhe shumëpalëshe, në të cilat Republika e Shqipërisë është palë.

b)Mjetet motorike lundruese, që përdoren në shërbimin portual, ku bëjnë pjesë:

i. mjetet motorike lundruese, në pronësi ose në përdorim të Ndërmarrjes së Mjeteve të Shërbimeve Detare dhe të subjekteve private, të pajisura me leje për shërbimet portuale nga Ministria e Punëve Publike, Trasportit dhe Telekomunikacionit.

ii. mjetet në përdorim të porteve.

c) Mjetet motorike lundruese, të destinuara për peshkim, ku bëjnë pjesë;

i. mjetet motorike lundruese, të cilat kanë fituar klasin si mjete peshkimi, nëpërmjet Regjistrit Detar Shqiptar, dhe që janë të regjistruara si të tilla në regjistrin e mjeteve të peshkimit, në mbështetje të ligjit nr.7908, datë 5.4.1995, "Për peshkimin dhe akuakulturën".

ç) Mjetet motorike lundruese, që shërbejnë për transport mallrash, ku bëjnë pjesë:

i. mjetet që kanë fituar klasin për transport detar mallrash, nëpërmjet Regjistrit Detar Shqiptar, dhe që janë pajisur me leje nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.

d) Mjetet motorike lundruese, që shërbejnë për transport pasagjerësh, të klasifikuara nga Regjistri Detar Shqiptar për transport pasagjerësh dhe të licencuara për këtë veprimtari nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.

2. Ngarkohen Policia e Shtetit dhe Roja Bregdetare për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›