E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervistë e kryeministrit Berisha, dhënë për VOA-n

Në një intervistë, dhënë sot në mbrëmje për Zërin e Amerikës, kryeministri Berisha komentoi disa nga çështjet politike në vend.

Pyetje: Zoti kryeministër, reforma zgjedhore ishte një prej premtimeve tuaja kryesore elektorale. Ndërsa sot, ju po mbroni listat e vjetra zgjedhore që i keni kritikuar ashpër në zgjedhjet e kaluara dhe keni lënë të kuptohet se vitin e ardhshëm do të shkoni në zgjedhje me ligjin e vjetër. Përse nuk i është kushtuar reformës elektorale e njëjta vëmendje dhe përparësi si luftës ndaj krimit dhe korrupsioni?

Kryeministri: Reformës zgjedhore i është kushtuar një vëmendje po kaq e madhe sa luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Reforma zgjedhore parashikon ndryshimet e kodit për zgjedhjet e përgjithshme si një kusht për të përmirësuar procesin zgjedhor. Kjo reformë në të gjitha sugjerimet e saj, sipas OSBE/ODIHR-it nuk ka të bëjë me zgjedhjet vendore, përveç listave të zgjedhjeve, të cilat ne po vendosim t'i shqyrtojmë sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. OSBE/ODIHR-i paraqiti një dokument ‘non paper' me të cilin ranë të dakort plotësisht të dyja forcat e mëdha politike. Mbi bazën e saj u hartua amendamenti sipas të cilit listat do të ndërtoheshin bazuar në listat 2005 dhe regjistrin e përkohshëm. Pas kësaj, Partia Socialiste u tërhoq duke mos paraqitur asnjë alternativë tjetër, përveç mospranimit të regjistrit të përkohshëm, i cili mban 130 mijë zgjedhës.

Në këto kushte, ne kemi paraqitur alternativën tonë. Listat zgjedhore janë atribute të qeverisjes vendore. Qeveria qendrore merr përsipër të financojë të gjithë procesin e kontrollit dhe heqjes së dublikatave në të gjitha bashkitë dhe komunat ku qeveris Partia Demokratike dhe ky proces të bëhet nga zyrtarët vendorë të Partisë Socialiste. Sikundër për Partinë Demokratikë për bashkitë dhe komunat që qeverisen nga PS-ja. Pra, nuk është çështje e listave, por është çështje e një vullneti të madh për të marrë pjesë në zgjedhje nga këto forca politike.

Pyetje: PS kërkon ndryshim të listave siç keni kërkuar dhe ju gjatë zgjedhjeve të kaluara. Ndërsa tani ju po kërkoni thjesht verifikim të tyre.

Kryeministri: Dallimi është shumë i madh. Problemi qendron se listat hartohen nga qeverisja vendore në të cilën PS-ja ka qenë dhe është shumicë. Nuk po ndodh asgjë tjetër. Ata pretendojnë se do të ketë dublikata. Atëherë heqja e dublikatave i jep përgjigjen më të mirë listave. Por apriori ne nuk marrim dot përgjegjësinë për të përjashtuar 130 mijë qytetarë nga zgjedhjet, sepse ky është dënin për zgjedhet para se ato të zhvillohen.

Pyetje: Zoti kryeministër, kohët e fundit ju keni iniciuar një sërë nismash që prekin disa nga institucionet e rëndësishme të vendit si prokurorinë, KLD-në dhe Këshillin Drejtues të RTSH-së. Për të gjitha këto ndryshime opozita i ka bojkotuar senacat në parlament. A ju shqetëson fakti se reformat po bëhen pa pjesëmarrjen e opozitës?

Kryeministri: Natyrisht opozita është shumë e mirëpritur dhe ne jemi të hapur plotësisht për reforma. Por në rast se anëtarë politikë të bandës së Lushnnjes siç është ish-gjykatësi Gjermeni që lironte vrasësit, ata që vrisnin natën, i lironte ditën, duke falsifikuar familjarisht dokumenta, në rast se disa anëtarë të bandës arrestohen, ndërsa të tjerë lartësohen në detyrën e anëtarit të lartë KLD-së, mendoj se ky është një dëm jashtëzakonisht i madh që i bëhet vendit.

Përsa i përket prokurorit të përgjithshëm Sollaku janë faktuar nga komisioni hetimor në mënyrë të katërciptë lidhjet dhe mbrojtja që ai u ka bërë këtyre organizatave të rrezikshme kriminale, të denoncuara jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga komuniteti ndërkombëtar.

Në lidhje me Radiotelevizionin dhe KKRT-në mund t'ju them se politika në 15 vite dështoi në menaxhimin e mediave dhe të bordit të tyre. Është bërë një provë e re: këto institucione i janë dorëzuar shoqërisë civile. Në përbërjen e këtyre dy institucioneve nga 12 anëtarë të zgjedhur vetëm dy që kanë patur lidhje me strukturat e PD-së. Nuk ka asnjë prej tyre që të ketë marrë një ditë rrogë në administratën e qeverisjes së PD-së qoftë në vitet '90, qoftë tani. Për mendimin tim janë nga më të pavarurit që mund të ekzistojnë. Megjithë këtë i kam propozuar dhe i propozoj sërish opozitës se jam dakort të votojmë në parlament ligjin ‘par condicio', standart ky nga më të mirët në vendet demokratike. Sikundër ftoj opozitën të marrë drejtimin e monitorimit të kohës për forcat politike në media dhe të adaptojë qendrimet më të rrepta në rast se kjo kohë nuk respektohet. Por t'i paragjykosh ato, sepse kryesoheshin nga ministra dhe deputetë socialistë dhe tani kryesohen nga personalitete të shoqërisë civile dhe të pavarur, nuk më duket se është produktive.

Reformat janë jetike për Shqipërinë. Me reformat ne synojmë ta nxjerrim vendin nga korrupsioni, nga krimi, të rivendosim standarte të reja, të cilat do të jenë të dobishme për të gjithë shoqërinë.

Pyetje: Zoti kryeministër, ju nuk akuzoheni për mosbërjen e reformave. Por akuzat për ju janë për mënyrat sesi po bëhen këto reforma. Nëse ju keni të drejtë në parim kur thoni edhe për KQZ-në se qeveria duhet ta drejtojë këtë komision, pasi ajo është përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve, qoftë edhe për radiotelevizionet keni të drejtë në parim, kur vendosni aty shoqërinë civile ,ajo për të cilën ju kritikoheni është forma sesi bëhen këto ndryshime.Çfarë rëndësie ka zbatimi i ligjit për ju?

Kryeministri: Kjo është një pyetje interesante. Por dëshiroj t'ju kujtoj se reforma për mediat ka zgjatur jo më pak se 5 muaj. Janë ftuar me dhjetra herë përfaqësuesit e opozitës që të përzgjidhnim bashkërisht personat që vinin nga shoqëria civile. Të jem i sinqertë, nuk isha dakort për forcat politike. Jam i kënaqur që nuk provova të njëjtën gjë si përpara. Por në mënyrë absolute, këto propozime u refuzuan në mënyrë të vazhdueshme nga opozita.

Po kështu për KQZ-në. Këta që sot pretendojnë të kenë vetë 4 anëtarë dhe të lënë qeverinë me 3, e kanë mbajtur për vete komisionin për 6 vjet me radhë 6 me 1 dhe 5 me 2. Këta, me ne sëbashku, kur u vendos raporti 4 me 3 për qeverinë ramë dakort se ky është ekuilibri, kjo është balanca. Të gjitha vendimet për rezultatet merren 5 me 2 dhe opozita ka forcën bllokuese. Për muaj të tërë, është lutur opozita në mënyrë të vazhdueshme për të marrë pjesë. Sërish i lutemi: nëse keni dyshim për listat, na sillni modelin tuaj që garanton qytetarët shqiptarë të votojnë dhe ne do ta miratojmë menjëherë. Nëse keni probleme me mediat, urdhëroni dhe monitorojini ato. Unë jam dakort që kryetari i opozitës të ketë sekondë për sekondë në çdo dalje kohën që do të ketë kryetari i qeverisë. Por që të paragjykojnë, unë e konsideroj jo të vlefshme.

Reformat janë të domosdoshme për vendin. Por sigurisht një herë do konkludohet dhe muaj e muaj të tërë këto tre ligje kanë qendruar në parlament.

Pyetje: Zoti kryeministër, ofertat që keni bërë deri tani për opozitën janë hedhur poshtë prej saj. cila është rruga më pas? Si do të vazhdojë politika në Shqipëri në të ardhmen? A do të shkoni në zgjedhjet lokale vitin e ardhshëm pa pjesëmarrjen e opozitës në to?

Kryeministri: Sigurisht zgjedhjet nuk mund të pengohen. Një gjë është e sigurtë që jam totalisht i angazhuar për çdo përpjekje për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në rast se opozita për aspekte personale të një lideri apo të një tjetri, ekziston një rivalitet evident dhe i jashtrëzakonshëm midis karriges bosh të Fatos Nanos dhe kryetarit aktual të PS-së, në rast se për qëllime të caktuara bojkotohen zgjedhjet, këto janë vendime shumë të gabuara dhe kundërproduktive.

Zgjedhjet do të zhvillohen dhe unë mbetem totalisht i angazhuar, i përkushtuar për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm. Nuk mundet qeveria të detyrojë opozitën në një proces që ajo vendos ta bojkotojë. E ftoj dhe do ta ftoj të bashkëpunojë për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›