E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha bën homazhe ne nderim të viktimave të tragjedisë së helikopterit Bell 222, në ujërat e Adriatikut

Sot paradite, kryeministri Sali Berisha bëri homazhe, në pallatin e Kongreseve, në nderim të kujtimit të viktimave të tragjedisë së helikopterit Bell 222, në ujërat e Adriatikut.

Duke vlerësuar dhe nderuar kujtimin e tyre, kryeministri Berisha theksoi:

"Këshilli i Ministrave shpreh edhe njëherë dhimbjen e thellë për tragjedinë e helikopterit Bell 222. Ai u shpreh ngushëllimet e thella dhe ndjenjat e solidaritetit familjeve dhe të afërmëve të Gramoz e Ruben Pashkos, VangjelÇondit, Demush Hebës, Qemal Konit dhe Aleksandër Baloit.

U nisën, sëbashku si vëllezër, në një mision shpëtimi. Deti që i mori ata deshi t'i mbante përgjithmonë në gjirin e tij. Ata do të prehen në përjetësi në thellësitë e Adriatikut si simboli i sakrificës më sublime dhe dashurisë njerëzore.

Ne përulemi me respekt në kujtim të jetës dhe kontributit të tyre njerëzor.

Përulemi përpara kontributit të profesor Gramoz Pashkos për ndërtimin e demokracisë dhe ekonomisë së tregut në Shqipëri. Gramozi ishte bashkëthemelues i pluralizmit politik në Shqipëri, bashkëthemelues dhe drejtues i Partisë Demokratike dhe frymëzues i idealeve të demokracisë. Ai qe ideatori kurajoz i reformave të para ekonomike, të cilat e shndërruan Shqipërinë nga vendi i hiperkolektivizmit total në vendin e ekonomisë së tregut të zhvilluar.

Ne kujtojmë sot Rubenin, studentin e shkëlqyer, të shkolluar në perëndim që u kthye në atdhe për të kontribuar me dijen e tij për zhvillimin e vendit.

Ne nderojmë sot Demushin dhe Vangjelin, pilotët e shkëlqyer që nuk u kursyen për asnjë çast dhe para asnjë vështirësie për të përmbushur me nder dhe dinjitet detyrën. Me përkushtimin dhe aftësitë e tyre, ata i shërbyen atdheut me nder dhe krenari deri në sakrificën e fundit. Nderojmë Qemalin që gjithë jetën e tij u përkujdes për sigurinë e të tjerëve dhe nuk i zhgënjeu ata asnjëherë. Njerëz të thjeshtë, prindër shëmbullorë, kolegë të jashtëzakonshëm, ushtarakë të shkëlqyer.

Sot, nderojmë Aleksandrin, mjekun human, i cili betimin për t'u shërbyer njerëzve në nevojë e mbajti deri në sakrificën më sublime. I specializuar në perëndim, ai u kthye në atdhe për të shërbyer atje ku nevoja për të qe më e madhe dhe nuk hezitoi asnjë çast për t'i shërbyer me jetën e tij jetës së të tjerëve.

Ndonëse po mbushen rreth një muaj që nga çasti tragjik kur ata u ndanë nga ne, mungesa e tyre është po aq e madhe sa ditën e parë. Koha nuk do të na e shuajë kurrë kujtimin e tyre të nderuar".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›