E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha

“Sot jam para jush për  të informuar qytetarët shqiptarë se qeveria ka përfunduar përllogaritjen e plotë të rritjes së rrogave dhe pensioneve më datën 1 maj. Në përputhje me këto përllogaritje, rroga mesatare e punonjësve të administratës, në katër vite, rritet me 68 %, ndërkohë që dyfishohen rrogat e ulëta, dyfishohen rrogat e infermierëve dhe ato të mësuesve.

Këtë vit nuk rriten rrogat më të larta, që do të thotë rrogat e deputetëve, ministrave, kryeministrit apo zyrtarëve më të lartë. Kjo bëhet sepse ne jemi zotuar të ngushtojmë diferencën midis rrogave të ulëta dhe rrogave të larta. Kështu, diferenca midis rrogës minimale dhe rrogës mesatare në administratën publike zbret në 1 me 5, raport ky që ka qenë 1 me 10 katër vite më parë.

Në datën 1 maj dyfishohen pensionet në fshat. Pra, pensionisti që ka marrë 34 mijë lekë të vjetra, në datën 1 maj do të marrë 68 mijë lekë të vjetra, madje edhe pak më shumë. Të ardhurat pensionale minimale në qytet aktualisht janë 110 mijë lekë dhe shkojnë në 122 mijë lekë. Rritje të ndjeshme pësojnë edhe të gjitha llojet e pensioneve të tjera.

Me këto rritje, qeveria shqiptare i jep përgjigje shumë të vendosur mjerimit dhe varfërisë. Mbi 800 mijë familje shqiptare të cilat jetonin me 1 dollarë në ditë për frymë, pas kësaj rritjeje, do të kenë të ardhura dy herë më shumë se katër vite më parë. Pra, i jepet një përgjigje e vendosur varfërisë dhe daljes prej saj. Kjo ka qenë dhe një nga qëllimet tona më kryesore në politikën e pensioneve, politikën e ndihmës ekonomike, e cila javën e ardhshme do të adresojë, pas përfundimit të grupit të punës, disa nga problemet e mprehta të familjeve më në nevojë.  

Rritja e rrogave dhe pensioneve nuk ka as një qëllim elektoral. Edhe po të kishte një të tillë, nuk do ta fshihja. Ndërkohë, atyre që shprehen se kjo rritje ka qëllim elektoral, u themi se kjo rritje është bërë në vitin 2006, madje rrogat e mësuesve janë rritur me 27 %, të infermierëve me 27 % dhe nuk ka qenë rritje elektorale. Kjo rritje është bërë në vitin 2007, edhe në vitin 2008 dhe, për fat të keq, në të gjitha këto rritje opozita e vendit ka votuar kundër në parlament. E kundërta është e vërtetë, për të mos e bërë këtë rritje në periudhën kur është rregulli, u detyruam ta spostojmë atë dy muaj para zgjedhjeve. Kjo gjë ka pasur faturën e vet,  pasi ne nuk donin që të lidheshin këto dy procese njëri me tjetrin. Rritja e rrogave, të cilën opozita nuk e këshillon dhe paraqet si argument për të kundërshtuar këtë rritje, krizën botërore dhe pasojat e saj në ekonominë shqiptare, bëhet edhe për një qëllim tjetër; të rrisë kërkesën, të shtojë fuqinë blerëse në tregun e brendshëm. Dhe kjo është një masë e rëndësishme kundër pasojave të krizës. Mendoj se vendet të cilat nuk rrisin, por i ulin rrogat, janë në një situatë krejt tjetër nga ne. Janë në një situatë në të cilën këto vende nuk disponojnë të ardhura, për shkak të krizës në të cilën janë përfshirë. Ndërkohë që qeveria ime disponon çdo qindarkë për rritjen e  rrogave dhe pensioneve.

 Gjatë këtyre dy javëve të fundit, opozita, krahas sulmeve që ka bërë ndaj rritjes së rrogave dhe pensioneve, ka mbrojtur rritjen e madhe të taksave që është bërë në Bashkinë e Tiranës dhe jo vetëm në këtë bashki. Kjo dukuri është një masë që ndikon në krizën ekonomike. T’i kundërvihesh krizës me rritje taksash dhe mos rritje rrogash, do të thotë t’i kundërvihesh krizës duke e shndërruar varfërinë në mjerim dhe, ata që janë të varfër, t’i zhytësh në varfëri të thellë.

Çështja e dytë për të cilën dal sot para jush, është çështja e Kartave të Identitetit. 

Qeveria ka përgatitur një skemë të re, sipas të cilës, për të gjithë personat me ndihmë ekonomike pa përjashtim, me të drejtë vote, kryetarët e komunave do të blejnë kuponët për secilin prej tyre. Mbi bazën e dokumentacionit që ata do të dorëzojnë, qeveria do t’i japë 10 mijë lekë për gjithsecilin, sepse dy mijë lekë ata i paguajnë vet.

Personat me ndihmë ekonomike do të marrin kuponët dhe do të paguajnë vetëm dy mijë lekë, pasi 10 mije lekë të vjetra do t’i marrin sapo ato të sjellin dokumentin. Personat me ndihmë ekonomike që kanë marrë kuponin do të rimbursohen pranë zyrave që marrin ndihmë ekonomike.

Komuniteti rom dhe egjiptian që ndodhet në skemën e ndihmës ekonomike, do t’i marrë falas dhe qeveria do të vendosë 12 mije lekë të vjetra të ndihmën ekonomike për kuponët e tyre. Por në këto komunitete, mund të ketë edhe persona që janë jashtë ndihmës ekonomike. Atëherë, për këtë gjë, do të ngrihet një komision, me përfaqësues të kryetarit të bashkisë dhe prefektit, në mënyrë që të shmangen abuzimet, të mbikëqyret procesi i pajisjes së tyre me karta të identitetit,  ashtu siç është premtuar, me letërnjoftime falas.

Për studentët e universiteteve, fakultetet dhe ministria e Arsimit do të blejë për ta kuponët dhe do ua shpërndajnë atyre. Ndërkohë, studentët do të mund të hyjnë në provim duke paraqitur kartën në sekretari dhe duke dorëzuar 2 mijë lekë që u takon. Pra, edhe studentëve u shmanget parapagimi.

Për pensionistët me pension minimal, më datën 1 maj, përveç rritjes së pensionit që nuk ka lidhje me këtë proces, qeveria do të vendosë në shumën e pensioneve të tyre, 10 mijë lekë shtesë. Pra kjo shumë do të jetë krahas shifrës për rritjen e pensionit. Pra, pensionistët me pension minimal, duke shtuar vetëm 2 mijë lekë nga buxheti i tyre, do të marrin letërnjoftimin. Ata do të kenë dy muaj afat për këtë proces,  pas dy muajve, ata nuk do të mund të marrin pensionin,  pa paraqitur Kartën e Identitetit. Pensionin do ta marrin duke dorëzuar fotokopjen e Kartës së Identitetit.

Këto masa bëhen të domosdoshme për shkak të zgjedhjeve, por duhet të kemi edh enjë vetëdije tjetër se, në rast se nuk do të kishte zgjedhje, qytetarët duhet të kenë detyrimisht një dokument identiteti në lëvizjen e tyre. Pra, në rast se po vihen këto masa, ato janë të domosdoshme për të garantuar pajisjen me dokumente identiteti. Në të gjitha vendet e Europës, me përjashtim vetëm të një vendi, është e detyrueshme mbajtja  dhe qarkullimi me dokumente identiteti.

Ne vendosim kështu një standard, duke hequr të gjitha vështirësitë e parapagimit të shumës më të madhe për pajisjen me këto karta, bazuar në atë vendim që është përcaktuar".   

Pyetje: Zoti Kryeministër, për ata persona që i kanë tërhequr tashmë kuponët, kur do të mund të tërheqin paratë e kompensimit për kartat e identitetit?

Kryeministri Berisha: Pensionistët që i kanë blerë kuponët tashmë, do t’i tërheqin paratë e kompensimit në datën 1 maj. Ne do të vendosim në pensionet e tyre të gjithë shumën, ashtu siç theksova. Edhe studentët mund t’i tërheqin ato gjatë muajit prill deri nga mesi i muajit maj.  Personat me ndihmë ekonomike do të mund t’i tërheqin me marrjen e parë të ndihmës ekonomike. Pra, ne bëjmë disponibël të gjitha fondet.

Pyetje: Zoti Kryeministër, ju keni ardhur në krye të qeverisë në vitin 2005 me sloganin “me duar të pastra”. A ju duket normale që ministri aktual i jashtëm Basha, nuk u gjykua asnjëherë dhe u fsheh pas procedurave?

Kryeministri Berisha:  Nuk ka mjerim më të madh mendimi dhe pyetje më të mjerë se kjo që po më adresoni. Një proces gjyqësor i rregullt, është kushti më fondamental për një shtet demokratik. Duhet të jeni të bindur se për çdo qytetar, pavarësisht nga bindjet e tij politike, kjo është e qartë. Nuk e di se çfarë ju duket ju anormale në një proces ku  gjykatat e të gjitha niveleve janë shprehur në unison dhe kanë mbrojtur ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Atëherë më duhet t’ju them se gjendeni ekstremisht e skajuar.  Nuk po marr çështjen tjetër që është marrë përsipër në mënyrën më politike dhe më të keqpërdorur; pra të gjykohet akti kolektiv, pasi këtë akt nuk e kanë bërë as në diktaturë, nuk e kanë bërë as prokurorë të sëmurë psiqikë, pasi nuk gjykohet akti kolektiv. Ka një dogmë në drejtësi dhe nuk mund të gjykohet kurrë akti kolektiv. Por verbëria politike ka shtyrë prokurorinë të merret me gjykimin e aktit kolektiv, i cili është akt politik.

Pra, ministri ka zero implikim personal dhe çdo gjë është vendim i Këshillit të Ministrave. Një prokurore e papërgjegjshme ndaj ligjit dhe detyrës, mori përsipër dhe mendoi se mund të gjykojë aktet kolektive. Por aktet kolektive nuk mund t’i gjykojë askush. Ju duhet të jeni të bindur se kjo nuk do të mund të kapërcehet shumë thjesht. Nuk është Shqipëria një vend ku mund të gjykosh aktet kolektive. As diktaturat nuk e bëjnë këtë gjë. Ndërsa vendimet e  gjykatës janë vendime gjykate dhe kanë të bëjnë me ligjshmërinë.  

Pyetje: Mediat, disa ditë më parë, kanë publikuar dokumente që tregojnë bashkëpronësinë e një prej anëtarëve të Këshillit Kombëtar, zotit Fahri Balliu, me Mihal Delijorgjin,  një ndër të akuzuarit e ngjarjes së Gërdecit. A keni një koment për këtë çështje?

Kryeministri Berisha: Unë di që Edi Rama është bashkëpronar në 30 pallate. Pra, ajo që unë di është që Edi Rama ka dhënë 30 leje ndërtimi dhe është bashkëpronar në 30 pallate. Sepse besoj e dini që Edi Rama, kur jep një leje ndërtimi merr 2 kate. Balliu ka dhënë një deklaratë, ka bërë sqarime. Ndërkohë që ai që nuk ka bërë sqarime është Edi Rama. Ai ka nxjerrë Shalsin e vet, por ai duhet të dalë të shprehet. Besoj se ju e patë se si u rreshtuan 30 lejet para bashkisë. Por këto janë 60 kate, duke i llogaritur nga 500 deri në 1 mijë euro metri katror. Ky problem mbetet  për t’u zgjidhur, për t’u hetuar. 

Pyetje: Duke pasur parasysh edhe masat e fundit që ju keni marrë për pajisjen e qytetarëve me letërnjoftime elektronike, nëse deri në 20 qershor që është edhe afati I fundit kur zyrat  do të jenë të hapura për aplikim, nëse nuk do të bëhet e mundur pajisja e të gjithë shtetasve që janë pa pasaporta të pajisjen me Kartat e Identitetit, çfarë ndodh dhe sa ekziston probabiliteti për shtyrjen e zgjedhjeve.

Kryeministri Berisha: Unë mendoj se nga fundi i majit, të gjithë qytetarët që duan të pajisen me letërnjoftime dhe që janë pa pasaportë, do të kenë mundësinë për t’u pajisur me letërnjoftime. Kjo është siguria ime e plotë. Gjithashtu, është e qartë se nuk mund t’ia japësh kartën çdo njeriu me detyrim, sepse jo çdo njeri mund ta sjellësh në votim. Opozita, nëse do të donte të funksiononte detyrimi, le të sillte ligjin përmes të cilit të detyroheshin qytetarët të votonin. Sado që kjo është një gjë e diskutueshme, por ka disa vende            që e kanë këtë standard. Nëse do të kishim një ligj të tillë, që qytetarët duhet të votojnë sepse kanë këto sanksione, atëherë edhe kartat do t’u jepeshin atyre me detyrim.

Ne, siç ju po e shikoni, po bëjmë një seri stimujsh shumë të mëdhenj, përveç detyrimit që nuk mund ta bëjmë.

Pyetje: Edhe njëherë, nëse nuk pajisen me këto karta, ata shtetas që nuk kanë pasaportë, rrezikohet shtyrja e zgjedhjeve?

Kryeministri Berisha: Qytetarët që nuk kanë pasaportë, nëse duan të marrin kartat e identitetit, në 28 maj do t’i kenë ato të përfunduara.

Pyetje: Ashtu siç ju e thatë, premtimi juaj për rritje pagash dhe pensionesh tashmë është i realizuar. A ka premtime të tjera të pa realizuara në axhendën tuaj? Së dyti, rruga Durrës - Kukës po ecën, por akoma nuk është përmbyllur. Mendoni se udhëtimin tuaj për në Kosovë do ta bëni nga kjo rrugë?

Kryeministri Berisha: Rruga po përfundon. E kuptova këtë edhe nga tmerri që pashë këto ditë në radhët e opozitës. Kështu që rruga është e sigurt që  përfundon në kohë. Se me ç’mjet dhe ç’rrugë do të shkoj në Kosovë, kjo është punë protokolli.

Pyetje: Ju thatë se asnjë prokurori nuk mund të gjykojë akte kolektive dhe këtë çështje ju thatë se nuk do ta lini me kaq. Kjo nënkupton që do të ngrini një akuzë, apo padi, ndaj kryeprokurores Ina Rama?

Kryeministri Berisha: Kjo nënkupton që ky vend do të qëndrojë ndaj këtij akti, sepse është shkelur një parim i lashtë sa vet e drejta. Akti kolektiv nuk mund të gjykohet, kjo është e vërteta. Nëse dikush mendon se mund të shkruajë të drejtën dhe ligjet e këtij vendi, do t’i bëjmë të qartë që këtë gjë nuk mund ta bëjë dot. Këtu është bërë një shkelje shumë e rëndë. Por ky është një proces në të cilin do të qartësohet çdo gjë.

Pyetje: Keni lëshuar ftesa për shumë parti politike për krijim koalicioni dhe duket se koalicioni i djathtë do të jetë nga më të gjerët. Por janë disa parti, si ajo e Ballit Kombëtar, PBDNJ, etj që ende nuk dihet. Pra, ftesa do të jetë për të gjithë? Së dyti, cili do të jetë hapi juaj i radhës, pas turit paraelektoral? A do të kemi ndonjë prezantim të ndonjë kompanie konsulence, prezantim kandidatësh, etj?

Kryeministri Berisha: Së pari, po vazhdojnë negociatat për koalicionin dhe unë mendoj se janë negociata të frytshme.

Së dyti, po bëhet një dialog me qytetarët në mbarë vendin. Siç e shihni, janë një seri ekipesh të drejtuesve të PD-së që po dialogojnë me qytetarët në të gjithë Shqipërinë. Ky dialog, gjatë majit, do të thellohet më tej dhe do të shërbejë si bazë e ndërtimit të programit specifik. Pra, do të ketë aspekte të përgjithshme të programit, por do të ketë edhe obligimet lokale për çdo komunë dhe fshat të këtij vendi. Ju mund të pyesni nëse në këtë mënyrë merren atribute të qeverisjes vendore. Jo! Ne kemi një partneritet me qeverisjet vendore, në bazë të të cilit ata bëjnë projektet ne realizojmë financimin. Por ne marrim dijeni për të gjithë problematikën.

Sot, para se të vija këtu, po lexoja një mesazh të një qytetari nga Sauku, Flamur quhej. Ai më thoshte: zoti Kryeministër, më vjen shumë mirë që po bëhen gjithë këto inaugurime, por unë kam dy vjet që po kërkoj shtrimin e rrugës sime, prej 200 metra. Ajo është baltë e gropa. Për Flamurin kanë shumë rëndësi ato 200 metra sepse këto 200 metra ai i kalon çdo ditë, në baltë ose në pluhur. Prandaj ne do të shkojmë të dëgjojmë çdo qytetar, do të shkojmë të regjistrojmë problemet e tyre, në mënyrë që t’i marrim dhe t’i përparësojmë ato, së bashku me qeverisjet vendore.

Por ne nuk shkojmë te qytetarët me retorikë. Ne shkojmë me vepra konkrete, ujësjellës, shkolla, rrugë, kanalizime. Pra e kemi shumë të thjeshtë filozofinë tonë të punës.

Pyetje: Zoti Kryeministër, një vit pas ngjarjes së Gërdecit, a jeni ju në dijeni se cila është firma që u kontraktua për punishten e demontimit të armëve?

Kryeministri Berisha: Mendoj se është bërë një hetim nga prokuroria dhe dosjet janë dorëzuar. Qeveria ka dhënë ndihmën më të madhe në këtë hetim. Opozita bëri manipulimin më të paskrupullt me shpirtrat e të vdekurve. Ndaj dhe Kashari i dha leksionin e merituar. Edhe njëherë dua të theksoj, në mënyrë që ju të jeni të qartë; sa herë t’ju shkojë ndërmend për Gërdecin, lutjuni Zotit për shpirtrat e viktimave. Mos harroni manipulimin që bëri opozita dhe përgjigjen që i dha Kashari. Për të tjerat, ju them se qeveria ka bërë një rehabilitim të plotë të zonës, ka bërë të gjitha investimet dhe ka dhënë gjithë mbështetjen për atë zonë.

Pyetje: Sot Partia Socialiste prezantoi programin e saj  elektoral. Në ç’pikë jeni ju me programin tuaj dhe cila do të jetë pika e fortë e këtij programi?

Kryeministri Berisha: Sigurisht, të gjitha programet e partive politike meritojnë të shqyrtohen. Por, ajo që unë dëgjova sot, nuk ishte program. Ju jeni të rinj, por unë pothuajse nuk u besova veshëve të mi për atë që dëgjova. A e dëgjuat ju zotin Rama kur po fliste për “sovranitet ushqimor”? Ai e mori këtë term nga gjysmë daja i tij, që na solli nga Meksika çmimin e ushqimit, kur deklaroi atje se Shqipëria ka garantuar  “sovranitetin ushqimor”, në një kohë kur këtu vdisnin njerëzit urie. Zoti Rama lexon në arkivat e vjetra si zgjidhje për kohën e sotme sovranitetin ushqimor, ashtu siç ju e dëgjuat. Çmimi për “sovranitetin ushqimor” i është dhënë Shqipërisë në Meksikë rreth viteve 1983-1984, pra imagjinoni, në kohën kur gjysma e vendit ishte në uri. Unë nuk them se Rama do të zhysë vendin në uri, pasi nuk ka më programe të tillë, por ai u kthye sërish në origjinë, sepse këtë term e gjeti në arkiva. Futuni në internet dhe kërkoni; nëse gjeni në terminologjinë e pas rënies së Perdes së Hekurt nocionin “sovranitet ushqimor”, mund të më thoni. Kjo mund të ekzistojë ende sot në Korenë e Veriut. Ne sot themi treg i hapur, ne themi  mbështetje e prodhimit vendas. Megjithatë, janë rreth 3 muaj para zgjedhjeve dhe unë shpresoj që “sovranitetin ushqimor” ai ta arkivojë dhe ta çojë atje ku e ka marrë.

Pyetje:  Lidhur me rritjen e rrogave që pensioneve që ju deklaruat sot, ju iu referuat vetëm opozitës që ishte kundër kësaj rritjeje, por në fakt ishte FMN që deklaroi se nuk duhen të rriten shpenzimet në këtë periudhë. A mendoni se anashkalimi i kësaj këshille të FMN-së mund të ketë pasoja për vendin?   

Kryeministri Berisha:  E kam theksuar dhe po e theksoj edhe njëherë; FMN, në filozofinë e tij, miraton indeksim rrogash, që do të thotë rritje rrogash në përqindjen që rritet inflacioni. Kjo është filozofi shumë e drejtë. Por, unë nuk i përmbahesha dot kësaj filozofie, sepse qeveritarët e mëparshëm bënë një katastrofë me rrogat në vendin tonë. Rritën 6-7 herë rrogat e larta dhe mezi rritën 20-30-40  për qind  rrogat e ulëta, në 8 vite. Në 8 vite, ata kanë vendosur në total për rritje të rrogave dhe pensioneve, 13 miliardë lekë. Vetëm në 3 vite, ne kemi vendosur 38 miliardë lekë. Në këtë shumë nuk kemi futur 5 mijë lekë të funditvitit, sepse po të llogaritet dhe kjo shifër, shkojnë rreth 55 miliardë lekë. A mund të pranoja unë që 170 mijë pensionistë në fshat në merrnin 1 dollarë në ditë?  Ndaj ne vendosëm për pensionet në fshat njësoj sa është vendosur për këto pensione 17 vite të marra së bashku. I gjetëm këto pensione 34 mijë lekë dhe po i bëjmë ato 70 mijë lekë.

Unë nuk kam asgjë kundër me konceptin e FMN-së, rrogat dhe pensionet indeksohen. Mirëpo, Shqipëria ka ca specifika që mua më kanë imponuar të marr këto masa, të cilat janë faktuar të drejta. Rritja e rrogave dhe pensioneve në Shqipëri nuk ka sjellë asnjëherë lëkundje të stabilitetit makroekonomik të vendit, nuk është  bërë mbi bazën e rritjes së deficitit buxhetor, nuk është bërë mbi bazën e rritjes së borxhit. Përkundrazi, të gjitha këto kanë ardhur në zvogëlim, për shkak të perfomancës më të mirë.                      


13/04/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›