Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha, në Korçë
“Kërkova këtë takim me mediat, para së gjithash, për t’ju shprehur respektim tim më të madh për punën e shkëlqyer që ju bëni në informimin e qytetarëve, si dhe për të përshëndetur përzemërsisht, nëpërmjet valëve dhe ekraneve të tuaja, qytetarët e Korçës, në këtë ditë të inaugurimit të autostradës Korçë – Qafë Plloç që, në përputhje me kontratat, do të përfundojë brenda këtij viti. Unë i bëj thirrje kompanive të ndërtimit që t’ia bëjnë dhuratë këtë rrugë Korçës, në ditën e flamurit. Por edhe nëse nuk e bëjnë, përfundimi brenda vitit është përfundim në afat. Përfundimi para afatit do të shpërblehet në mënyrë të merituar dhe ky është raporti që ne vendosim me kompanitë e ndërtimit.
Sikundër dua të garantoj qytetarët e Korçës dhe të mbarë Shqipërisë se pa përfunduar kjo rrugë, qeveria disponon fondet për të filluar pjesën tjetër të autostradës, Qafë-Plloç – Qafë-Thanë.
Këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar, ne investojmë në rrethin e Korçës rreth 9 herë më shumë. Dua t’ju informoj se, përveç 2.3 miliard që investohen në autostradën Korçë-Qafë Plloç, janë rreth 120 milion të tjerë investime në unazën e Korçës; rreth 60 milion investimet për rrugën Dardhë-Korçë, që do ta shndërrojë Dardhën në një nga qendra e mrekullueshme turistike në vendit; në rrugën e Liqenasit, edhe kjo një nga zonat më piktoreske të Shqipërisë, ne investojmë 308 milion lekë. Ndërkohë janë përfunduar rruga Baban-Oçishtë, një investim prej 33 milion lekë dhe sinjalistika e qytetit të Korçës me 72 milion. Ndërsa është në ndërtim unaza e Korçës, një pjesë e së cilës ka përfunduar dhe vazhdojnë punimet për pjesën tjetër, duke e shndërruar unazën e këtij qyteti, në një nga më të mirat në funksionalitetin e saj, ndër unazat e qyteteve të Shqipërisë.
Gjithashtu rreth 19 milion lekë do të jenë investimet në kanalizime dhe ujësjellës të qytetit.
Po kështu, janë në ndërtim e sipër rreth 14 shkolla, në qarkun e Korçës. I siguroj qytetarët e Korçës se viti 2008 do të jetë viti i realizimit të plotë të këtyre investimeve, sikundër do të përgatisë edhe bazat që në vitin 2009 këto investime të dyfishohen, në rrethin e Korçës.
Siç e shihni, ne po kalojmë nga inaugurimi në inaugurim të veprave shumë të mëdha e të rëndësishme për vendin. Pak ditë më parë, ne inauguruam rrugën e Kardhiqit, e cila shkurton distancën me detin me rreth 40 kilometra dhe e afron Sarandën me të gjitha pjesët e tjera të vendit. Dy ditë më parë, inauguruam në Laç përfundimin e shtrirjes së internetit në të gjitha shkollat e mesme të vendit. Sot inauguruam rrugën Korçë-Qafë Plloç. Një seri veprash e projektesh të tjera janë në zbatim.
Të gjitha këto janë bërë të mundur vetëm e vetëm duke luftuar korrupsionin. Ne nuk kemi rritur taksat, e kundërta është e vërtetë, ne kemi përgjysmuar taksat, por kemi forcuar disiplinën fiskale, duke goditur korrupsionin në autoritetet tatimore, kemi forcuar disiplinën në dogana, kemi rritur trasnparencën në procese. Ne respektojmë tregun dhe nuk ndërhyjmë në të në mënyrë të njëanshme. Kjo ka bërë të mundur që për këtë vit, të disponojmë 1.2 miliard dollarë më shumë. Kjo ka bërë të mundur që buxheti i këtij vitit të shënojë një stacion të ri për vendin. Duke filluar nga ky vit, qeveria aktuale shqiptare dhe çdo qeveri do të ketë mundësi të parashikojë vepra të mëdha për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Ne mbetemi të vendosur në tre drejtime themelore: në drejtim të modernizimit të infrastrukturës rrugore, sepse asgjë nuk e shpejton zhvillimin më shumë sesa rrjeti rrugor modern, asgjë nuk rrit vlerën e pasurive tona natyrore, mineraleve, të tokës dhe të gjitha pasurive të tjera, sesa rrjeti rrugor modern, asgjë nuk e firmos Shqipërinë si vend i zhvilluar, sesa rrjeti rrugor modern.
Ne mbetemi po kaq të vendosur në drejtim të rrogave dhe pensioneve. Në këtë aspekt, vij këtu i bindur se Shqipëria e vitit 2008 është një Shqipëri tjetër, në të cilën mësuesit paguhen 80 për qind më shumë, ku pensionistët nuk marrin më nën 100 dollarë dhe pensioni në fshat po shkon drejt dyfishimit.
Gjithashtu në drejtimin tonë të tretë, po kaq kryesor, arsimin, ne ia dolëm që këtë vit të dyfishojmë buxhetin. Nëse shtojmë edhe paratë e projektit të Bankës Botërore, buxheti për arsimin është dy herë më i madh, krahasuar me buxhetin e vitit 2005. Dhjetëra e dhjetëra shkolla të reja janë në ndërtim dhe qindra të tjera në rikonstruksion. Brenda këtij viti, rrjeti i internetit do shtrihet në të gjitha shkollat e tjera të vendit dhe për këtë janë blerë të gjithë kompjuterat e nevojshëm. Gjithashtu, ka një ndryshim cilësor në tërheqjen e mësuesve. Po kështu, është dyfishuar numri i studentëve. Në vitin 2004, kishte 52 mijë studentë, ndërsa sot ka mbi 100 mijë.
Sjella e Shqipërisë në moshën dixhitale, ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Çdo ditë, në celularin tim marr mesazhe nga fëmijë, në shkollat e të cilëve nuk ka shkuar ende interneti dhe që presin me padurim të kenë kabinetin e kompjuterëve, në mënyrë që interneti dhe kompjuteri të mos jetë më mollë e ndaluar për asnjë fëmijë shqiptar.
Në këtë vit, ne do të përqendrohemi tek privatizimet. Ne do të privatizojmë sipërmarrjet e mëdha.
Ky vit është viti i prokurimeve të plota elektronike për të gjitha ministritë e bashkitë e mëdha. Ky vit është viti i taksave elektronike që do të shtrihen me shpejtësi dhe viti i dixhitalizimit të një serie procedurash të tjera. Dhe të gjitha këto ndikojnë pozitivisht tek qytetarët, sepse eliminojnë radhët e gjata dhe kontaktet e panevojshme me zyrtarët, si dhe u ofrojnë atyre një shërbim bashkëkohor.
Në fund të muajit shkurt, mbyllet tenderi për pasaportat dixhitale dhe kartat e identitetit, që do të jenë ndër më modernet që ekzistojnë. Kjo ka qenë dhe është një dosje jo e thjeshtë, si rezultat i shumë faktorëve, por ne kemi kontraktuar një nga kompanitë më të mira në Europë, e cila u ka asistuar 20 qeverive. Ne jemi shumë të sigurtë në suksesin e kësaj reforme. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që shqiptarët të kenë në xhepin e tyre kartën e identitetit pasaportën dixhitale si qytetarët europiane dhe, në këtë mënyrë, ne ecim drejt standardeve.
Këtë vit, ne shndërrojmë në realitet projektin prej 400 milion dollarë për rrugët rurale. Nga ky projekt do të përfitojë çdo qark dhe Korça është një nga qarqet që do të përfitojë menjëherë.
Por, gjithsesi, nuk e mohoj se kemi një problem, që duhet t’i bëhet e ditur qytetarëve shqiptarë. Në rast se qeveria ia doli që, nëpërmjet luftës kundër korrupsionit, evazionit dhe kontrabandës, edhe duke përgjysmuar taksat, të shumëfishojë investimet, nuk mund të them se janë shumëfishuar edhe kapacitetet e kompanive të ndërtimit dhe për këtë nuk ka pasur asnjë pengesë tjetër, përveç etjes për fitim. Para dy javësh, vizitova Korçën dhe kryetari i Bashkisë më informoi se një kompani ka mbajtur 6 muaj peng qytetin, pasi nuk ndërtonte kanalizimet. Kjo nuk do të mund të tolerohet më. Kompanitë ndërtuese që nuk zbatojnë kontratën duhet të lënë punën, nëse nuk zbatojnë grafikun e punimeve, duhet të lënë punën. Por në rast se i përfundojnë ato para afatit, ata do të shpërblehen. Duhet të kuptohet se këto nuk janë marrëdhënie me qeverinë apo bashkinë, por janë marrëdhënie direkt me qytetarin. Nga zvarritja e punimeve nuk lëndohet personalisht kryeministri, ministri, apo kryetari i bashkisë, por lëndohet qytetari dhe ne nuk do ta tolerojmë këtë.
Ministrit të Punëve Publike i kam kërkuar që çdo të hënë të paraqesë një raport të hollësishëm mbi gjendjen e ndërtimeve në rrugë dhe i garantojmë punonjësit e Drejtorisë së Rrugëve se çdo pasaktësi në atë raport do të ketë ndëshkim proporcional. Qytetarët duan rrugët dhe qeveria i disponon fondet. Për përfundimin e tyre duhet të punohet edhe me tre turne.
Edhe një herë, siguroj qytetarët e Korçës dhe të mbarë Shqipërisë se ne do t’i shndërrojmë në realitet premtimet tona. Radhën e kaluar premtuam se do t’i japim kryetarit të bashkisë fondin për ndërtimin e një pallati për komunitetin rom dhe ky premtim do të shndërrohet sa më shpejt në realitet, sepse ne nuk duam të zhgënjejmë askënd me premtimet tona.
Pyetje: Sanksionet që ju përmendet për kompanitë, do të jenë për ato kompani që kontraktohen më pas, apo edhe për kompani që, në fakt, i kanë shkelur disa herë afatet për ndërtimet dhe nuk i kanë përfunduar punimet?
Kryeministri Berisha: Ministri i Punëve Publike u ka bërë të qartë kompanive ndërtuese se grafiku i punimeve është kusht absolut. Disa prej tyre kanë marrë paralajmërimin për karton të kuq. Ne nuk mund të pranojmë që të lëndohen qytetarët shqiptarë, vetëm e vetëm se një kompani apo një tjetër zvarrit në pafundësi përmbushjen e detyrimit kontraktual që ka. Kështu që kjo është e vlefshme për të gjithë.
Pyetje: Të dhënat që ju publikoni për arritjet në vitin 2007, nuk janë aspak të njëjta me ato që zoti Rama thotë në takimet me qytetarë, në turin e tij?
Kryeministri Berisha: Të dhënat që ne japim janë reale. Çdokush mund t’i lexojë në ligjin e buxhetit dhe të vetmes gjë që nuk mund t’i bëhet asnjë lloj devijimi, ai është buxheti, pasi është i përcaktuar. Kush njeh buxhetin, e di qartë se të dhënat janë shumë të sakta. Ato nuk kanë vetëm një verifikim parlamentar, por kanë edhe verifikim dhe certifikim ndërkombëtar, sepse ato shqyrtohen një për një nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe partnerët të tjerë, me të cilët ne bashkëpunojmë.
Pyetje: Një grup deputetësh kanë qenë dje në Kalimash, ku kanë inspektuar punimet, përjashtuar deputetët e opozitës të zotit Rama. Si e shikoni këtë hap dhe a do të ndikojë ai në hetimet e mëvonshme?
Kryeministri Berisha: Unë u informova se mbi 30 deputetët kanë vizituar dje rrugën. Unë e kam vizituar atë më parë. Pas shembjes së diktaturës dhe hapjes së vendit dhe tregut, e konsideroj këtë, projektin më madhor për Shqipërinë dhe Kosovën. Dua të deklaroj para jush e t’ju siguroj se, edhe sikur në Morinë e më tej të mos ishte Kosovë, edhe 10 a 100 herë të tjera do të merrja po atë vendim, sepse kaq të rëndësishëm e konsideroj rrugën për Shqipërinë. Edhe sikur rruga të kalonte në një krah tjetër, jo vetëm në Shqipëri, por të ishte vetëm në funksion të Kosovës, po të kisha pasur mundësi, unë do të kisha marrë të njëjtin vendim. Kjo rrugë është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin, rëndësia e së cilës do t’i bëjë portet tona portet më të rëndësishme rajonale, për një territor që shtrihet nga Sofja, në Sanxhak, në jug të Bosnjes.
Më informuan se në këtë grup kishte edhe deputetë socialistë. Pjesa dërrmuese e deputetëve socialistë e kanë mbështetur edhe më parë këtë rrugë dhe është tjetër gjë që nuk i lejonin ta fillonin, ndërsa ne e nisëm. Rruga ka një histori të thjeshtë. Ne thamë se do ta bënim rrugën dhe se nuk e bëjmë për të dëmtuar askënd, por në interesin më të mirë të shqiptarëve dhe të Shqipërisë.
Pyetje: Në lidhje me emërimin e zotit Arben Sefgjini, në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Mendoni se është personi i duhur, në një kohë që ka qenë akuzuar për zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha?
Kryeministri Berisha: Ka një dallim thelbësor midis demokracisë dhe diktaturës. Në diktaturë po u akuzove, pavarësisht se mund të mos kesh asnjë faj, je i pashpresë. Në demokraci derisa provohet akuza, cilado qoftë ajo, je i pafajshëm dhe nuk mundet askush të të konsiderojë ndryshe. Në këtë logjikë, ju siguroj se sot, në vendet e lira demokratike, ka jo pak ministra, apo edhe mbi ministrat që kanë pasur jo një, por më shumë akuza të ndryshme. Duhet të kuptohet se tjetër është akuza dhe tjetër faji. Fajin e fakton gjykata dhe kjo është një nga arritjet tona më të mëdha.
Pyetje: A do të kenë ndryshime në qeveri, pas presionit që ju është bërë nga një grup aleatësh?
Kryeministri Berisha: Qeveria ecën me shpejtësinë e plotë të reformave. Ju e shihni se çfarë intensiteti kanë reformat. Tani në kilometrin e fundit drejt ftesës për anëtarësim në NATO, sinjalet po bëhen gjithnjë e më pozitive për mundësinë e marrjes së saj. Këtë kilometër duhet ta përshkojmë me punë dhe me realizime konkrete. Unë kam besim se, me seriozitetin që po tregojnë forcat politike të të gjithë spektrit ndaj këtij procesi, ky kilometër do të përshkohet me sukses të plotë.
Pyetje: Zoti Kryeministër, në dy takimet e fundit në Korçë keni treguar se jeni shumë i kujdesshëm me kryetarin e bashkisë së këtij qyteti, edhe pse i përket një force tjetër politike. Kjo do të thotë se do të jeni po kaq i kujdesshëm edhe për sa i përket investimeve për bashkinë e Korçës?
Kryeministri Berisha: Dua të siguroj qytetarët e Korçës e mbarë qytetarët shqiptarë se nuk bëj dhe nuk do të bëj asnjë dallim në qëndrimin tim ndaj qeveritarëve vendorë, pavarësisht nga ngjyra partiake e tyre. Do të ishte jashtë çdo lloj koncepti që përkatësia partiake të më bënte të ndëshkoja qytetarët e të mbaja një qëndrim jo luajal ndaj atyre që ata kanë votuar në shumicë dhe i kanë dhen votëbesimin.
Së dyti, jam shumë i kënaqur në bashkëpunimin dhe partneritetin me qeverinë vendore dhe e konsideroj këtë një nga risitë më pozitive për vendin. Në këtë partneritetit të qeverisë qendrore me qeverinë vendore, ne, reciprokisht, arrijmë të përmirësojnë qeverisjen e vendit në tërësi. Qeveria qendrore, pa partneritetin me qeverinë vendore, nuk përmbush dot objektivat e saj. E njëjta vlen edhe për qeverinë vendore.
Së treti, personalisht jam ithtar i flaktë e i vendosur i decentralizimit. Unë kam besimin më të madh se ky parim është jetik për konsolidimin e demokracisë në Shqipëri. Në këtë kontekst, ne po shndërrojmë në realitet çdo premtim që kemi bërë për decentralizimin. Kemi decentralizuar së fundi taksat, ujësjellësit, Inspektoratin e Ndërtimi, ndërkohë një grup i Shoqatës së Bashkive po punon me ekspertë të Ministrisë së Financave dhe këshilltarë të mi për të shqyrtuar decentralizimin e mëtejshëm fiskal. Ne kemi mbidyfishuar grantin për qeverinë vendore, kemi transferuar grantet, investimet e arsimit dhe të shëndetësisë dhe do t’i kalojmë të gjitha tek qeveria vendore, është përshpejtuar si asnjëherë tjetër procesi i transferimit të pronave publike pushtetit vendor, ka porosi të prerë që, brenda muajit maj, pyjet e kullotat, përveç parqeve kombëtare, të jenë transferuar të gjitha në pronësi të bashkive e komunave të vendit. Nëse flasim për mirëqeverisje dhe miradministrim, ky proces është i domosdoshëm dhe unë i përmbahem atij. Pikërisht këtu qëndron fryma ime dhe qeverisë që unë drejtoj, në bashkëpunimin me qeveritë e zgjedhura me votën e lirë, në komunat e bashkitë e vendit, pavarësisht nga përkatësia e tyre partiake. Ne nuk bëjmë dhe nuk do të bëjmë diferencime.
Pyetje: A mund të bëni një koment për sa i përket regjimit të vizave me Maqedoninë, edhe në rrethanat kur komuniteti i biznesit është shumë i dëmtuar nga ky regjim vizash me vendin fqinj?
Kryeministri Berisha: Diplomatët e të dy palëve po e trajtojnë problemin për t’i gjetur një zgjidhje.
Pyetje: Cili është vizioni i marrëdhënie me Kosovën dhe Serbinë, pas statusit dhe si e konsideroni propozimin që ka bërë para dy ditësh zoti Ilir Meta për liberalizimin e vizave me Serbinë?
Kryeministri Berisha: Pavarësia e Kosovës është vendimtare për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Në bindjen time më të thellë, është njëkohësisht edhe interesi më i mirë i Serbisë të shkëputet nga e shkuara jashtëzakonisht problematike dhe të shohë përpara. Në 4 mujorin shtesë të negociatave, udhëheqja politike e Kosovës i ka ofruar Beogradit një traktat miqësie dhe bashkëpunimi dhe unë mendoj se ai traktat për Kosovën ka një vlerë të madhe. Shqipëria është dhe do të jetë për zhvillimin e marrëdhënieve normale, për një kapitull të ri në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve, midis Beogradit dhe Tiranës, midis Prishtinës dhe Beogradit dhe ne do të bëjmë përpjekjet tona.
Pyetje: Duke u ndalur tek problemet e ndërtimit, një pjesë e investimeve për Korçën u përmendën dhe ishte edhe Dardha. Ndërkohë që një pikë tjetër turistike është edhe Voskopoja, por që sot nuk ka një plan të mirëfilltë rregullimi. A është parashikuar se kur do ta ketë një plan të tillë Voskopoja, pasi aktualisht ka dhe shumë ndërtime në këtë fshat turistik?
Kryeministri Berisha: Qeveria ka parashikuar në buxhet ndërtimin e rrugës e Voskopojës dhe këtë vit, ne rikostruktojmë dhe e sjellim në standarde këtë rrugë. Ndërsa plani rregullues i Voskopojës është detyrim i qeverisë vendore të Voskopojës, së cilës ne jemi të gatshëm t’i japim ndihmën që do të kërkojë. Natyrisht, jam dakord që Voskopoja kërkon kujdes të veçantë për vlerat e mëdha historike që ka, sikundër duhet të zgjidhen edhe disa çështje si ai i manastirit, ku ka disa probleme me pronësinë e kishës, në mënyrë që edhe kisha të ketë pronat e saj, siç i ka pasur. Ka një kontratë problematike dhe unë do të kërkoj që të shqyrtohet kjo çështje, sepse nuk mund të mbahen institucionet e kultit si në periudhën ateiste.
Ju falënderoj për pyetjet dhe praninë tuaj këtu.”