Kryeministri Berisha përuron fillimin e punimeve për rrugën Korçë - Qafë Plloçë
- Kryeministri fton firmat ndërtuese ta përfundojnë rrugën në ditën më të shënuar të kombit, më 28 nëntor, duke i bërë një dhuratë të çmuar qytetarëve të Korçës
Kryeministri Berisha përuroi fillimin e punimeve për rikonstruksionin e plotë të rrugës Korçë - Qafë Plloçë, 23 kilometra. Rindërtimi i këtij aksi të rëndësishëm rrugor është investim i buxhetit të shtetit me vlerë 2.3 miliard lekë. Rruga nisi rikonstruksionin në të 5 lotet përbërëse të saj dhe parashikohet të përfundojë brenda vitit 2008.
Kryeministri përgëzoi të 5 kompanitë ndërtuese të kësaj rruge, të cilat janë zotuar t’i përfundojnë punimet brenda këtij viti. Kryeministri i ftoi firmat ndërtuese ta përfundojnë rrugën në ditën e shënuar të kombit, më 28 nëntor, duke i bërë në këtë mënyrë një dhuratë të çmuar qytetarëve të Korçës.
“Dua të përgëzoj punëtorët, inxhinierët dhe sipërmarrësit për zotimin e tyre solemn për t’ia dorëzuar këtë rrugë Korçës brenda vitit. Unë i ftoj ta përfundojnë atë në ditën më të shënuar të kombit, më 28 nëntor, në këtë mënyrë festat dhe dhuratat do kenë vlerën më të madhe.”
Kryeministri theksoi edhe një herë kërkesën për ritme të përshpejtuara të punës në mënyrë që përfundimi i veprave publike të bëhet jo vetëm brenda afatit, por edhe para tij, duke nënvizuar se qeveria do të shpërblejë firmat ndërtuese që i përfundojnë punimet para afatit dhe me cilësi.
“Ne jemi shumë të vendosur të ndjekim me rigorozitet ecurinë e punimeve, sikundër jemi të vendosur të shpërblejmë kompanitë që i përfundojnë punimet para afatit dhe me cilësinë e duhur.”
Më pas, Kryeministri inspektoi punimet në të 5 lotet e rrugës Korçë-Qafë Plloçë. Kryeministri shoqërohej nga ministri i Financave Ridvan Bode, ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi dhe kryetari i bashkisë së Korçës Niko Peleshi.