E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha, pas kthimit nga Samiti i Bukureshtit dhe takimit në Zagreb me Presidentin Bush

"Mbrëmë vonë, delegacioni i nivelit më të lartë që mori pjesë në Samitin e Bukureshtit, u kthye në vend me ftesën për anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Me këtë vendim historik të Samitit të Bukureshtit, shqiptarët ndër popujt më të vuajtur, më të stërkequr dhe të pasigurt në historinë e tyre, fëmijët e tyre, fëmijët e fëmijëve të tyre dhe gjeneratat që vijnë, hynë në epokën e sigurisë së lirive të vendit të tyre, sigurisë që iu jep Aleanca më e fuqishme, më e shkëlqyer e kohërave dhe siç theksoi dje Presidenti Bush në fjalën e tij brilante, që mbajti në sheshin  “Shen Mark” të Zagrebit: ‘tani e tutje SHBA nuk do të pranojë, nuk do të lejojë t’ju prekë dhe rrezikojë kush lirinë”.

Kurrë në historinë e tyre mijëra vjeçare, shqiptarët dhe Shqipëria nuk kanë qenë më të lirë dhe më të sigurt se sa pas vendimit të dt. 3 prill 2008 të Kryetareve të Shteteve dhe qeverive të vendeve më të fuqishme të planetit për t’i ftuar ata në gjirin e tyre. 

Por, vendimi i 27 vendeve anëtare të NATO-s, për të ftuar Shqipërinë për anëtarësim të plotë, i jep jo vetëm sigurinë më të madhe lirive te shqiptareve dhe të Shqipërisë, të së ardhmes së tyre që meritojnë, mbrojtjen e tyre nga sistemi i sigurisë kolektive të vendeve të lira, si forma më supreme e sigurisë, por ftesa për anëtarësim në NATO ju jep dinjitet, emër të mire, nderim, respekt Shqipërisë dhe çdo qytetari të saj, të cilin nuk e kanë pasur kurrë në historinë e tyre .

Mbasi Shqipëria do të jetë vend anëtar i Aleancës më të madhe të lirisë së të gjitha kohërave dhe qytetarët Shqiptarë, qytetarë të një vendi anëtar të saj.

Vendimi i Samitit të Bukureshtit për të ftuar Shqipërinë për anëtarësim të plotë në NATO, i jep Shqipërisë pasaportën e vendit me demokraci të bazuar në vlerat e tregut që funksionon, vendit në të cilin investitorët nga e gjithë bota mund t’i vendosin projektet, ëndrrat, financat e tyre me investime të mëdha, kjo ftesë dhe ky anetarësim ndikon më shumë se çdo gjë tjetër në rritjen e investimeve të huaja dhe zhvilllimin e shpejte të vendit.

Duke u kthyer nga Samiti i NATO-s me ftesën për anëtarësimin e Shqipërisë, në realizuam me 3 prill ëndrrën më të bukur të rinisë shqiptare të dhjetorit të vitit 90, rikthyem Shqipërinë në gjirin e kombeve dhe qytetërimit perëndimor që ajo ju takon.

Duke u kthyer me ftesën për anëtarësim të Shqipërisë në NATO, ne shndërruam në realitet dëshirën e madhe, njërin nga dy projektet më madhorë të shqiptarëve në këtë shekull, anëtarësimin e tyre në NATO, projektin ndaj të cilit në Shqipëri votojnë mbi 95% e qytetarëve.  

Vendimi i 3 Prillit 2008, për të ftuar Shqipërinë për t’u anëtarësuar në NATO, është besimi i nivelit më të lartë dhe mbështetja politike më e madhe që Shqipëria ka marrë nga bota e lirë në tërë ekzistencën e saj.

Por ky besim, ky vlerësim, kjo mbështetje  të cilën Presidenti i SHBA-së George Bush do ta cilësonte dje ne fjalën e tij, në sheshin e Shën Markut, si votëbesim për reformat në Shqipëri  është njëkohësisht një përgjegjësi shumë e madhe për të gjitha institucionet e shtetit shqiptar, por para së gjithash për mazhorancën dhe opozitën e këtij vendi, që të ndërmarrin me seriozitetin më të madh këtë besim, këtë vlerësim dhe të përmbushin me vendosmëri të gjitha kërkesat që rrjedhin nga ky vendim historik, duke iniciuar dhe marrë çdo reformë të domosdoshme për arritjen dhe konsolidimin e të gjitha standardeve, të denja për vendet anëtare të Aleancës së Lirisë.

Në Bukuresht, unë u betova se Qeveria ime do të ndërmarrë çdo reformë, do të miratojë çdo ligj dhe vendim për të merituar sa më shpejt, për të shndërruar sa më shpejt ftesën në anëtarësim të plotë të Shqipërisë në NATO. Do të procedojmë me vendosmëri në reformat e mëdha të sistemit zgjedhor, sistemit të drejtësisë, do të thellojmë reformat në ushtri dhe institucione të tjera, për ta bërë Shqipërinë sa më shpejt anëtare të plotë të NATO-s. Unë ftoj opozitën shqiptare, e cila ka kontributin e vet të padiskutueshëm në këtë proces, të bashkëpunojnë për finalizimin e këtij projekti më të rëndësishmin e të gjithë kohërave për shqiptarët dhe vendin e tyre.

Zonja dhe Zotërinj,

Ne morëm ftesën për anëtarësim në NATO dhe kjo ishte një fitore historike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kjo fitore u bë e mundur para së gjithash nga reformat e thella dhe të gjithanshme të ndërmarra gjatë 16 viteve të fundit, që e shndërruan Shqipërinë në vendin e demokracisë, funksionimin e shtetit ligjor dhe tregut të lirë, partnere e denjë e NATO-s dhe vendeve anëtare. Në të gjitha këto arritje rëndësi kryesore kanë pasur ndihma tejet e çmuar, solidaritet i pa precedent i SHBA-së dhe vendeve tjera mike anëtare të NATO-s, qeverive dhe taksapaguesve te tyre, Sekretarit të Përgjithshëm, stafit te tij dhe Komandës së NATO-s. Unë shfrytëzoj rastin për t’ju shprehur të gjithë atyre mirënjohjen më të thellë. Por, me vendimin e kryetarëve të vendeve dhe qeverive të vendeve anëtare të NATO-s, rëndësi përcaktuese kanë pasur reformat e këtyre viteve të fundit dhe suksesi dhe progresi i tyre që do të shndërronin Shqipërinë, një vend frymëzues për vendet e rajonit, siç do të deklarohej në Deklaratën e 27 Ministrave të Jashtëm të BE, në Slloveni, në prag të kësaj ftese. Dua t’ju them se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe jo vetëm ai, por edhe kryetarë të shteteve dhe qeverive, duke filluar nga Presidenti Bush, Presidentë e Kryeministra të vendeve të tjerë, patën vlerësimin më të lartë për suksesin e reformave të Shqipërisë gjatë këtyre viteve të fundit.

Ftesën e bënë të mundur lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, i cili kishte nxirë tmerrësisht imazhin e Shqipërisë në Europë dhe më gjerë dhe kërcënuar më shumë se çdo gjë tjetër lirinë dhe sigurinë e qytetarëve shqiptarë. Në më pak se dy vjet u shkatërruan mbi 206 organizata dhe grupe kriminale ndër më të fortat, më agresivet, më të pasurat në Europë. Ne mbetemi të vendosur të vazhdojmë me zero tolerancë këtë luftë

Shqipëria ka sot treguesit e kriminalitetit në strishën  e ulët të kriminalitetit në Europë.

Ftesën për anëtarësim në NATO e bënë të mundur lufta më e vendosur se kurrë kundër korrupsionit, e cila bëri të mundur të shkurtohen me mbi 100 milionë Euro shpenzimet e administratës publike, të shkurtohen me rreth 20% kostoja e prokurimeve publike të qytetarëve shqiptarë, të arkëtohen në arkën e publikut shqiptar, duke nxjerrë dhe shpëtuar nga  kthetrat e kontrabandistëve, evazorëve dhe zyrtarëve të korruptuar   mbi 1.2 miliard dollarë.

Ftesën e bënë të mundur reformat e thella ekonomike, fiskale që ndërmori qeveria që unë drejtoj dhe që në një kohë relativisht të shkurtër shndërruan Shqipërinë në vendin realisht tërheqës për investimet e huaja.

Ftesën e bënë të mundur reformat e thella të Forcave tona të Armatosura, të cilat ecin çdo ditë e më afër standardeve të ushtrive të vendeve aleate. Forcat tona të Armatosura kanë dëshmuar dhe dëshmojnë  këto standarde në të gjitha zonat e nxehta në Bosnje, Kabul, Herat, Mosul ku ato ruajnë paqen së bashku së bashku me ushtritë e vendeve aleate. Ne jemi shumë krenarë dhe mirënjohës ndaj tyre.

Ftesa u bë e mundur sepse Shqipëria jo vetëm ia doli të firmosë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, por dhe ta zbatojë atë me seriozitetin e duhur, si në rrafshin e kritereve të Kopenhagenit, ashtu dhe kritereve ekonomike dhe standardeve europiane.

Ftesa u bë e mundur nga bashkëpunimi dhe klima pro NATO-s e qeverisë dhe opozitës në reformat e mëdha të vendit

Ftesa u bë e mundur sepse Shqipëria, me politikën e saj të jashtme qëndrimet e saj u dëshmua një faktor paqe dhe stabiliteti rajonal. Ajo bashkëpunoi ngushtë me vendet e Kartës së Adriatik 3, por dhe me të gjitha vendet e rajonit, me NATO dhe BE, duke dhënë ndihmesën e vet dhe eksportuar stabilitet dhe siguri në rajon e më gjerë.

Ftesa u bë e mundur edhe në sajë të përpjekjeve të fuqishme politike dhe diplomatike, të papara ndonjëherë, të ndërmarra nga qeveria dhe të gjithë institucionet e tjera të këtij vendi që inkurajuan një mbështetje gjithnjë në rritje në vendet anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut ndaj Shqipërisë.

Unë dua ta mbyll këtë fjalë, duke shprehur mirënjohjen më të thellë ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Presidentit Xhorxh Bush, të gjithë kryetarëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare për votëbesimin e madh që i dhanë Shqipërisë në datën 3 prill, me vendimin që morën. Dua t’u shpreh atyre, mirënjohjen më të thellë, të falënderoj të gjithë ata që kanë mbështetur reformat në Shqipëri dhe dua t’i siguroj se do të bëjmë çdo përpjekje për të merituar sa më shpejtë anëtarësimin e plotë. Dua të falënderoj Presidentin dhe qeverinë rumune për organizimin e shkëlqyer të Samitit.

Një falënderim shumë të veçantë dua t’i bëj qeverisë dhe Presidentit të Kroacisë për mikpritjen e madhe që na rezervuan dje, Presidentit Xhorxh Bush, i cili na ftoi ne në Zagreb dhe shtroi, për të festuar dhe uruar anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, një drekë ndër më miqësoret dhe më të paharrueshmet, duke ftuar aty përfaqësuesit më të lartë të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë.

Faleminderit!

Pyetje:  Pas marrjes së ftesës pritet tashmë anëtarësimi i plotë në NATO. A do të mundet Shqipëria të realizojë standardet e kërkuara me qëllim që anëtarësimi i plotë të reallizohet në samitin e tjetër, ku është edhe 60 vjetori i krijimit të Aleancës?

Kryeministri Berisha: Dua të garantoj se qeveria do të bëjë të gjitha përpjekjet për të merituar në kohën më të afërt të mundshme anëtarësimin e plotë në NATO. Natyrisht, ky është një  proces që varet nga shumë faktor. Por atë çka ne do të kemi në duart tona, ju siguroj se do ta realizojmë.  

Pyetje: A do t’i qëndroni ju premtimit të bërë për dëmshpërblimin në masën 100 për qind të banorëve të dëmtuar nga tragjedia e Gërdecit, duke pasur parasysh se një pjesë e këtyre banorëve kanë kundërshtuar vendimin  e qeverisë për masën e dëmshpërblimit? 

Kryeministri Berisha: Qeveria do të dëmshpërbleje 100 për qind dëmin e shkaktuar. Në këtë kontekst, mund të them se sipas informacionit që kam, nga ankesat e paraqitura dhe rivlerësimet, janë rreth 40 në të cilat ka çështje thelbësore. Unë i garantoj të gjithë këta se qeveria nuk ka asnjë hezitim për shqyrtimin e plotë të tyre. Nga ana tjetër, kanë konstatuar edhe një seri ankesash, të cilat nuk bien dakord me shumën e vlerësuar, pasi konsiderohet e pamjaftueshme për të meremetuar dëmtimin. Në këto raste, qeveria do të marrë përsipër tërësisht meremetimin e dëmtimit. Ne jemi angazhuar për mbështetje të plotë ndaj këtyre banorëve. Por natyrisht, paratë janë të taksapaguesve dhe ne  jemi të detyruar të bëjmë menaxhimin më të mirë të tyre. Ne kemi bërë një vlerësim, mbi bazën e të cilit paratë e caktuara janë tërësisht të mjaftueshme, por ai që dyshon  se nuk janë të mjaftueshme, le të mos marrë paratë dhe ne, me këto para, do të kontaktojmë kompanitë private për të bërë meremetimin e dëmeve. Por, në tërësi vlerësimet janë pranuar dhe vazhdojnë të hapen numrat e llogarive, të cilat sigurisht  për fat të keq janë një praktikë jo e njohur për shumicën e shqiptarëve, ndërkohë që bankat kanë rregullat e tyre.

Pyetje: Ka një pohim të opozitës të cilët shprehen se janë për reformat, por jo me juve Kryeministër. Cili është komenti juaj?

Kryeministri Berisha: Opozita, në një vend të lirë ka të drejtë të paraqesë të gjitha  kërkesat. Kjo është një gjë normale. Një vend demokratik pranon spektrin e gjerë të kërkesave të opozitës. Unë, pas kthimit nga Bukureshti, me ftesën e anëtarësimit në NATO, do të punoj me të njëjtin përkushtim për anëtarësimin e plotë në NATO, ashtu siç punova për marrjen e ftesës. Jam njeri që presistoj dhe ajo që unë kam premtuar u bë realitet. Kështu do të bëhet realitet edhe anëtarësimi i plotë. Sigurisht që është shumë mirë që opozita të vazhdojë të bashkëpunojë për dy arsye; e para, ajo ka investimin e vet dhe unë, në asnjë nga dy projektet e mëdha, integrimi në NATO dhe në BE, nuk e përjashtoj dhe veçoj kontributin e opozitës, përkundrazi e mirëpres atë. Së dyti, ajo ka programin e vet, i cili parashikon këto dy projekte.

Opozita ka disa  probleme, pasi një pjesë e saj i beson këtij procesi, por disa prej tyre nuk i besojnë atij. Pikërisht, natën kur do të nisej delegacioni shqiptar për në samitin e Bukureshtit, eksponentë të opozitës deklaronin se Shqipëria nuk do ta merrte ftesën dhe se ka vende që nuk do ta votojnë Shqipërinë. Absolutisht ata nuk përfaqësojnë gjithë opozitën, por realisht ata janë eksponentë jo të papërfillshëm të saj. Po ashtu, janë edhe truket mediatike që ata realizonin, duke e ditur se shqiptarët janë tmerrësisht të interesuar për këtë projekt madhor. Është shumë e gabuar që të mos lexohet arsyeja përse shqiptarët e mbështesin kaq shumë këtë proces; sepse anjë komb, asnjë vend, nuk ka ndier në lëkurë dhe në shpirt dhimbjen dhe pasojat e pasigurisë, se sa ne. Ndaj ata kanë një adhurim, një padurim, për ta parë Shqipërinë në NATO. Pra, me gjithë truket mediatike të referendarëve të NATO-s, ftesa u mor dhe u bë realitet. Realitet do të jetë edhe anëtarësimi i plotë. Ndaj, ftoj opozitën të bashkëpunojë me transparencë të plotë, të ketë informacion të plotë. Sinqerisht, jam çuditur kur natën që prisnim të niseshim në Bukuresht, eksponentë të opozitës deklaronin se ka vende që nuk do të votojnë pro Shqipërisë, çka do të thotë se ata kishin një keqinformim. Ne u nisëm me besimin për të marrë ftesën dhe merituar atë. Por opozita, në mungesë të informacionit mund të thërrisnin ministrin e Jashtëm, Kryeministrin dhe t'i kërkonin sqarime, informacion dhe jo të merreshin me thashethemin e rrugës.

Pyetje: Ka shumë zëra edhe brenda mazhorancës të cilët mendojnë se reforma kaq të rëndësishme për vendin, së pari duhet të fillojnë nga vet kabineti qeveritar. Si do t’u përgjigjeshit këtyre zërave?

Kryeministri Berisha: Unë mund t’u përgjigjem se kanë qenë reformat e thella të këtij kabineti ato të cilat bënë Shqipërinë frymëzuese për vendet e rajonit. Ju duhet të jeni të sigurt se në politikë nuk lëshohet asnjë frazë dhe fjalë pa vend në deklarata, në mënyrë të veçantë, në deklarata kolektive. Nuk mundet që në një deklaratë kolektive të vihet cilësori frymëzues, pa pasur një vlerësim të përbashkët të të gjithë atyre të emër të të cilëve flitet. Cilësimi i reformave të Shqipërisë, i progresit të këtyre reformave, pra i zbatimit dhe rezultateve të tyre si frymëzuese për vendet e rajonit, besoj se është shumë e rëndësishme dhe është gjithashtu e rëndësishme që skeptikët e tyre t’i lexojnë më mirë ato brenda vendit. Dashakeqët e tyre të mbajnë qëndrimin që duhet, sepse ky është një vend i lirë. Por veçanërisht skeptikët, ata që vërtetë duan që reformat të realizohen, duhet të kuptojnë se reformat e vendit të tyre janë shumë frymëzuese. Mos mendoni se mund të ketë vlerësime të porositura. Jo! Mund të ketë tek - tuk ndonjë shkrim të porositur, por nuk ka vlerësime të porositura.

Pyetje: Pas tragjedisë së Gërdecit, ju keni deklaruar se reforma do të prekë një sërë institucionesh të cilat nuk kanë funksionuar siç duhet, kryesisht institucionet e sigurisë kombëtare. A mund të na thoni se si do të bëhet kjo reformë, a do të krekë ajo vetëm krerët e institucionit të sigurisë, apo do të jetë një reformë me ligj?

Kryeministri Berisha: Mendoj se reforma e institucioneve të sigurisë është një domosdoshmëri e madhe. Këto institucione e kanë nisur punën dhe kjo punë do të ecë përpara. Dua të jem i hapur me ju. Çështjet e sigurisë marrin përgjigjen më të mirë kur ato konsiderohen çështje të para nga i tërë shteti, nga të gjitha institucionet e tij. Nuk mund ta sjellë sigurinë vetëm policia, apo vetëm shërbimet inteligjente, por është një nocion shumë më i gjerë.

Ndaj, nëse ne do ta fokusojmë këtë vetëm si ndryshime krerësh, kjo nuk është reformë. Në këtë reformë është e domosdoshme një riorjentim, një mirëkordinim dhe bashkëpunim i të gjitha institucioneve të sigurisë së vendit. Dua t’ju jap një shembull; Ju, me shumë të drejtë, jeni marrë për dy javë rresht me kronikat e Gërdecit. Por nga kjo gjë kam vetëm një lëndim; se nuk u fokusuat te heroizmi i vërtetë i shpëtimtarëve të asaj dite. Ju i keni parë vet ata, i keni filmuar me kamerat tuaja.   Ishin mbi 1500 anëtarë të forcave të ushtrisë dhe të rendit, në një zonë ku vërshonin predhat. Ata nuk i kapi kaosi, asnjë prej tyre nuk tha se nuk futem në këtë zonë, nuk doli ndonjjë komandant, ushtar, apo zyrtarë që tha; së pari do të presim të eksplodohen predhat e më vonë të veprojmë. Jo! Pra, në këtë linjë, institucionet funksionuan brenda të gjitha standardeve të një vendi të mirëorganizuar dhe të lirë. Sikundër, pati dështim real në paranjoftimin dhe parandalimin e tij. Ndaj reformat duhet t’i shohim në kompleks. Unë jam optimist për këto reforma. Sigurisht ka një hetim që nxjerr të gjitha përgjegjësitë dhe kjo është normale, por reformat janë të pazëvendësueshme.

Ndërhyrje e gazetarit: Televizioni TCH, ju bëj me dije se ka bërë një homazh të gjatë e  të mbështetur për forcat RENEA që kanë qenë në zonën e Gërdecit që në momentet e para të tragjedisë  

Kryeministri Berisha: Ju përshëndes për këtë gjë. Me sinqeritet ju them se ata e kanë merituar, ata dhe të gjitha forcat e tjera atje.

Pyetje:  Sipas të dhënave, mendohet se të vdekurit e kësaj tragjedie kanë shkuar në 27 persona. A ndjeni përgjegjësi për këtë ngjarje zoti Kryeministër?

Kryeministri Berisha: Së pari më duhet t’ju korrigjoj pak, nuk janë 27 viktima dhe përpara se të themi numrin, duhet të përmendim emrat. Të dhënat zyrtare janë për 24 të vdekur, nëse ju keni të dhëna të tjera, mund t’i thoni ato. 

Së dyti, qeveria ka nxjerrë të gjitha përgjegjësit dhe ka marrë një plan të gjithanshëm të trajtimit të këtij problemi dhe besoj se këtë e ka bërë në mënyrën më të përgjegjshme, më efiçennte, më të plotë. Kjo është përgjigjia e qeverisë. Qeveria ka reaguar që në minutat e para dhe vazhdon non stop të përballet me efiçnsë  me të gjitha pasojat e saj.

Në aspektin e parandalimit, ka një dorëheqje të ministrit të linjës, e cila theksoj  edhe njëherë se është një dorëheqje politike. Sikundër, ka një hetim. Eështë hera e parë që një  fatëkeqësi hetohet me intensitet nga prokuroria e vendit. Ky hetim do të vërtetojë të gjithë përgjegjësit dhe shkaqet reale të kësaj tragjedie.   

Pyetje: Nesër do të kalojnë në komisionin e ligjeve amendamentet e propozuara nga PS për reformën zgjedhore. A do t’i mbështesni këto amendamente?

Kryeministri Berisha:  Ne jemi tërësisht për realizimin e reformës zgjedhore dhe jemi përcaktuar kundër fenomenit të Dushkut. Mendoj se propozimet e paraqitura nga grupi parlamentar i PS-së janë propozime të cilat duhen përshëndetur, sepse i japin fund “Dushkut” dhe japin një përfaqësim më dinjitoz, më të mirë të vullnetit të zgjedhësit shqiptar.

Ka pasur një keqkuptim; kur unë kam deklaruar se do t’ia lemë opozitës propozimin ose zgjedhjen, absolutisht nuk kam pasur ndërmend të ve në pozitë të vështiirë opozitën. Jo!.  Kur vjen çështja e diskutimit të sistemit, në qoftë se njëra palë nuk lëshon, konsensusi nuk arrin kurrë dhe ajo palë është e detyruar të lëshojë kur paraqitet një  propozim i arsyeshëm. Propozimi i opozitës mua më duket i arsyeshëm. Këtu nuk ka asgjë tjetër përveç vullnetit të përvashkët,  të hapur dhe jo të fshehtë, për të promovuar reformën.  Kur është i fshehtë është vërtetë i tillë, kur them është i hapur është vërtetë i tillë dhe duhet t’i merrni fjalët ashtu siç ua them. Nuk ka asgjë të fshehtë. Të dyja palët janë të detyruara të procedojnë me reformën.

Pyetje: Ndryshimet në qeveri, a do të jenë thelbësore, cilat nivele të ministrive do të preken dhe kur do të bëhen këto ndryshime?

Kryemiministri Berisha: unë jam këtu para jush për ftesën. A janë reformat e ndërmarra nga kjo qeveri faktori më përcaktues i kësaj ftese? A u vlerësuan këto reforma si frymëzim për vende të tjera? Në këtë kontekst, nuk mendoj se qeveria nuk ka përmbushur misionin e vet. A premtuam ne se do të marrim ftesën dhe a nuk pati dhe opinione se edhe mund të mos merret kjo ftesë?  Por ftesa u mor dhe kjo u bë e mundur nga reformat. Reformat kanë vetëm një prooblem; mediat, sido që të jenë reformat, ato nuk i quajnë të bukura ndonjëherë. Kjo ndodh kudo, jo vetëm në Shqipëri por në gjithë botën.

Pyetje: A do të përfaqësohet mazhoranca me këtë kabinet deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, apo do të ketë ndryshime, duke pasur parasysh edhe faktin që republikanët janë të përfaqësuar vetëm në rag zëvendësministrash dhe jo në rang ministrash?.

Kryeministri Berisha: Kjo është një pyetje e drejtë. Republikanët kanë bërë një tërheqje, por për ta dera është e hapur në çdo kohë. Ata kanë marrë një vendim dhe është në tagrin e tyre se për sa kohë do i qëndrojnë atij vendimi. Kjo parti është forcë kryesore aleate e PD-së dhe e koalicionit qeveritar, ndaj ka vendin e vet.  Natyrisht që duhet të bëhen rirregullimet e kabinetit në përputhje me ta.

Pyetje: Kur do të kemi një emër në postin e zëvendëskryeministrit?

Kryeministri Berisha: Shumë shpejt. Të jem i sinqert, këto ditë kam qenë i përqëndruar tek samiti i Bukureshtit dhe te marrja e ftesës.  Nuk është se kjo çështje është më pak e rëndësishme. Tani duhet të plotësohet dhe vendi i zëvendëskryeministrit, që është një detyrim kushtetues dhe ligjor. Por kjo është edhe nevojë, sepse zëvendëskryeministri, pavarësisht se ka një punë jo kaq të ekspozuar,  ka një funksion jashhtëzakonisht të rëndësishëm, ai ndjek disa nga reformat më të rëndësishme të vendit.        

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›