Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha, pas vizitës në Francë
Përshëndetje. Jam para jush sot për samitin e Parisit për Mesdheun.
Me ftesë të Presidentit të Republikës franceze Nikola Sarkozy, në krye të delegacionit shqiptar, mora pjesë në samitin për Bashkimin e Mesdheut, që u mblodh më 13 korrik, në Paris. Në këtë samit, morën pjesë presidentë apo kryeministra nga 43 vende të rajoneve që shtrihen nga Groenlanda, në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, me një popullatë prej 760 milion banorë. Gjithashtu, morën pjesë si anëtare të gjitha vendet e Bashkimi Europian, 10 vende nga Lindja e Mesme dhe Afrika, si dhe Shqipëria si anëtare e Procesit të Barcelonës, Kroacia, Mali i Zi dhe Monako si vëzhguese të këtij Procesi, por që u pranuan anëtare me të drejta të plota të këtij Bashkimi. Në samit, morën pjesë Organizata e Kombeve të Bashkuara, e përfaqësuar nga Sekretari i saj i Përgjithshëm Ban Ki Moon, BE-ja, e përfaqësuar nga Kryetari i radhës Nikola Sarkozy, Presidenti i Komisionit Europian Hose Manuel Barroso dhe Kryetari i Parlamentit Europian Hans Gert Pottering, Lidhja e Shteteve Arabe, Unioni Afrikan, Këshilli i Vendeve të Gjirit, Banka Botërore, Banka Europiane e Investimeve, Unioni Arab i Magrebit.
Samiti i Parisit “Bashkimi për Mesdheun” ishte një iniciativë e madhe, e guximshme dhe largpamëse e Presidentit francez Nikola Sarkozy. Ky samit shënoi një fillim të ri të madh dhe historik në bashkëpunimin, shkëmbimin dhe marrëdhëniet pothuajse të përjetshme historike dhe aktuale, politike, ekonomike, kulturore e të gjithanshme, që lidhin vendet e rajonit të bregut jugor e verior të detit Mesdhe.
Samiti ishte një ridimensionim i madh i Procesit të Barcelonës. Samiti trajtoi problemet më madhore të kohës, me të cilat përballen vendet e këtyre rajoneve, anëtare të Bashkimit për Mesdheun, zgjidhja e të cilave ndikon ndjeshëm në paqen, stabilitetin dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të këtyre vendeve. Temat e zgjedhura për debat në samit ishin energjia, ushqimi, ndryshimet e klimës, mbrojtja e detit Mesdhe nga ndotja, arsimi, kultura, zhvillimi i burimeve njerëzore, siguria e fëmijëve, terrorizmi dhe ekstremizmi, dialogu politik fetar e kulturor. Të gjithë këto me synimin madhor, paqen dhe stabilitetin, mirësimin e mëtejshëm të jetës së qytetarëve të vendeve pjesëmarrësve.
Samiti u bashkëdrejtua me zotësi të veçantë nga Presidenti i Francës Nikola Sarkozy dhe ai i Egjiptit Hosni Mubarak.
Në samit e morën fjalën pothuajse të gjithë kryetarët e delegacioneve pjesëmarrëse, të cilët përgëzuan Presidentin e Francës për nismën e tij të madhe, si dhe shprehën mendimin dhe vizionin e tyre për temat e diskutimeve për të ardhmen e këtij Bashkimi. Ata theksuan rëndësinë shumë të madhe të këtij partneriteti multilateral, që ishte nisur me Procesin e Barcelonës dhe që u ridimensionua në samitin e Parisit, me Bashkimin për Mesdheun.
Në këtë samit, Shqipëria ndjehej si në familjen e saj. Ne shkuam aty si anëtare me të drejta të plota e Procesit të Barcelonës dhe për këtë dua të falënderoj përzemërsisht qeverinë spanjolle, e cila ndihmoi shumë qeverinë tonë dhe Shqipërinë që të anëtarësohemi në Procesin e Barcelonës. Shqipëria ndjej si në familjen e saj, pasi është vendi i tolerancës dhe dialogut të shkëlqyer ndërfetare. Në fjalën time, theksova se Shqipëria është e vendosur të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin e rajonit e më gjerë. Unë u ndala tek mesazhi i madh që populli shqiptar përcjell tek kombet e tjera me tolerancën e tij të shkëlqyer ndërfetare dhe ndëretnike. Unë i paraqita të pranishmëve foton e një ikone të shekullit të 18-të, që gjendet në një nga kishat e Beratit, e cila paraqet Shën Mërinë me Krishtin fëmijë dhe në dy anët e ikonës dy minare, dëshmi kjo e respektit të madh e të palëkundur që shqiptarët kanë për besimin e njëri-tjetrit. Ata e meritonin që unë të tregoja ikonën e Beratit, që simbolizon më së mirë tolerancën e tyre të shkëlqyer fetare.
Në fjalën time, unë theksova gjithashtu se Shqipëria, ndonëse përballet me probleme energjetike, ka potenciale të jashtëzakonshme energjetike. Ajo është vend me potenciale të mëdha ujore. Me rreth 400 hidrocentrale për t’u ndërtuar, me mbi 20 miliard kilovat/orë, e hapur ndaj formave të tjera të energjisë eolike, por edhe të asaj nukleare, Shqipëria është shumë e vendosur të bëjë çdo përpjekje.
Unë i sigurova të pranishmit në samit për pastërtinë e deteve dhe ujërave të saj.
Për qeverinë time, sigurimi i burimeve njerëzore dhe arsimi janë përparësi. Në këtë kontest, ne duhet të synojmë standardet më të mira të kësaj hapësire.
Në fjalën time, paraqita ndryshimet e mëdha në gadishullin tonë, pas pavarësisë së Kosovës. Theksova se prej dekadash Kosova ishte shtazan me fatin e saj. Më 17 shkurt, fëmija lindi. Kosova është bërë e pavarur. Unë bëra thirrje që ta njohin edhe ata që nuk e kanë marrë këtë vendim ende, në mënyrë që të kontribuojnë për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë.
Samiti i mbylli punimet me një deklaratë shumë të rëndësishme, ku u shprehën jo vetëm vizioni strategjik për Mesdheun dhe objektivat e qëllimet e këtij partneriteti të shumanshëm, por u vendos edhe institucionalizimi i këtij Bashkimi me mbajtjen çdo dy vjet të samiteve të kryetarëve të shteteve, me takime vjetore të ministrave të Jashtëm, me krijimin e Sekretariatit dhe të Komitetit të përbashkët, me burimet financiare e fondet për zbatimin e projekteve.
Me pjesëmarrjen e nivelit më të lartë, me praninë e 43 vendeve, me çështjet e trajtuara dhe deklaratën që miratoi, samiti ishte një sukses i madh dhe i plotë. Dhe ky nuk ishte vetëm vlerësimi im, por edhe një vlerësim unanim i pjesëmarrësve në samit. Ai ishte një sukses i madh për Presidentin Sarkozy, për Procesin e Barcelonës dhe për të gjithë pjesëmarrësit.
Samiti, klima e tij e ngrohtë, pritjet, darka dhe dreka që Presidenti Sarkozy dhe zonja e parë e Francës Karla Bruni Sarkozy shtruan për pjesëmarrësit, e shndërruan samitin në një arenë të takimeve, bisedimeve dhe debateve intensive, të rëndësishme dhe interesante midis pjesëmarrësve. Natyrisht, unë shfrytëzova samitin dhe para tij, pritjen, darkën dhe drekën për t’u takuar pothuajse me të gjithë pjesëmarrësit në këtë samit, me objektiva të qarta: lobimin, nga vendet anëtare të NATO-s ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit në NATO, ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit për ato vende që nuk e kanë ratifikuar, liberalizimin vizave dhe probleme të tjera të bashkëpunimit bilateral dhe multilateral. Në të gjithë këto takime, të cilat shtypi i ka raportuar, unë kam gjetur mirëkuptimin e bashkëbiseduesve të mi.
Samiti i Parisit jo rastësisht i zhvilloi punimet e tij më 13 korrik, një ditë para festës kombëtare të Francës. Në falën time në samit pata rastin të përshëndes personalisht Presidentin Sarkozy për festën kombëtare, t’i përcjell urimet e mia më të përzemërta dhe të shqiptarë për këtë ditë dhe ta falënderoj për ftesën për të marrë pjesë në festimin e 14 korrikut. Kjo datë, 14 korriku, Dita e Deklaratës është festë jo vetëm për popullin francez, por për qytetarët e të gjitha vendeve, kombeve, racave dhe besimeve, pasi 14 korriku është dita kur nderohen idealet më të larta të njeriut, të lirisë, barazisë dhe vëllazërimit. Në këtë kontekst, theksova se fiksimi i datës së samitit me 14 korrikun ishte nder i veçantë për samitin.
Në 14 korrik, në orën 10.30, të gjithë kryetarët e delegacioneve u gjendëm në tribunën presidenciale dhe patëm rastin të ndjekim paradën më madhështore që Europa ka njohur, më të bukur e më qytetare. Paradë, e cila u zhvillua nën flamujt kombëtar të Francës, flamurit të Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, të cilët u zbritën nga qielli nga parashutistë, kampionë botëror në sportin e parashutizmit dhe mbyllën këtë paradë të shkëlqyer.
Pas paradës, Presidenti Sarkozy dhe zonja e parë e Francës Karla Bruni Sarkozy dhanë një pritje dhe shtruan një drekë për të gjithë të pranishmit. Delikatesa, finesa e mikpritjes franceze, përzemërsia e saj, shkëlqyen edhe në këtë pritje.
Gjatë qëndrimit në Paris, unë firmosa me Përfaqësuesin e lartë të BE-së për Sigurinë dhe Politikën e Jashtme Javier Solana Marrëveshjen e dërgimit të trupave tona në Çad. Kjo Marrëveshje u dëshmua nga Ministri i Jashtëm i Francës Bernard Kouchner dhe ai shqiptar Lulzim Basha. Ky ishte një vendim shumë i drejtë i qeverisë dhe parlamentit shqiptar, për më tepër kur ky nënshkrim korrespondonte me një datë shumë të përshtatshme, me datën e samitit të Bashkimit për Mesdheun, në Paris.
Pyetje: Unioni Mesdhetar ka krijuar edhe një fond financiar, i cili do të përdoret për projekte që do t’u shërbejnë vendeve anëtare të këtij Unioni. A do përfitojë vendi ynë nga ky fond?
Kryeministri Berisha: Unioni ka krijuar dhe do të ketë fonde të mëdha për të gjitha tematikat që u përcaktuan në këtë samit. Shqipëria do të aplikojë dhe do të kontribuojë në këto projekte. Tani për tani, institucionalizimi i tij, sipas deklaratës në këtë samit, është vendosur të finalizohet në nëntor të këtij viti, në takimin e Ministrave të Jashtëm. Burimet financiare janë të Bashkimit Europian, të Bankës Botërore, të Bankës Afrikane për Zhvillim, të Bankës Europiane të Investimeve dhe të një seri institucioneve dhe vendeve anëtare.
Pyetje: Cila është rëndësia nga pikëpamja politike, e pjesëmarrjes së Shqipërisë në këtë samit?
Kryeministri Berisha: Mendoj se rëndësia është shumë e madhe. Së pari, theksoj se Shqipëria ishte në këtë samit si vend anëtar i Procesit të Barcelonës. Së dyti, realisht, Shqipëria në këtë bashkim të vendeve të të dy brigjeve, shkon krenare, ballëhapur, me mesazhin e tolerancës dhe bashkëpunimit ndërfetar që përcjell. Nuk duhet të harrojmë se një nga qëllimet kryesore të këtij Unioni, ashtu siç unë e theksova edhe në fjalën time atje, është shembja e mureve të mosnjohjes, injorancës, të frikës, abuzimit me doktrinat fetare.
Pyetje: Zoti kryeministër, gjatë pjesëmarrjes suaj në këtë samit, jeni parë që keni shkëmbyer biseda miqësore me kryeministrin Italian Berluskoni. A keni diskutuar me të edhe për çështjen e centralit bërthamor, duke ditur që Italia është një vend shumë i interesuar për këtë projekt?
Kryeministri Berisha: Me mikun tim Silvio Berluskoni kam diskutuar shumë gjëra, ndër të cilat padyshim edhe për centralin nuklear. Kam diskutuar edhe për vizitën e tij në Shqipëri, si dhe për shumë e shumë çështje të tjera, sikundër edhe me bashkëbiseduesit e tjerë.
Pyetje: A patët ndonjë bisedë me Presidentin sirian gjatë këtij samiti?
Kryeministri Berisha: Me Presidentin sirian pata vetëm një përshëndetje. Presidenti sirian ishte i pranishëm edhe në Samit edhe në paradën franceze dhe e vërteta është që ai tërhoqi vëmendjen e mediave. Unë pata thjesht një përshëndetje të rastit me të. Ai kishte axhendën e tij, ndërsa axhenda ime kishte çështjet që unë i bëra të ditura edhe këtu para jush. Ndërsa me Presidentin Mubarak pata një bisedë shumë të mirë, ashtu sikurse me të gjithë të pranishmit.