Kryeministri Berisha takon Drejtorin Ekzekutiv të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, z. Avni Mustafaj
Kryeministri Berisha pati sot një takim me Drejtorin Ekzekutiv të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, z. Avni Mustafaj.
Pasi i uroi mirëseardhjen, Kryeministri e njohu z. Mustafaj me zhvillimet në Shqipëri duke u ndalur veçanërisht në reformat e ndërmarra në fushën politike dhe ekonomike, krijimin e klimës së favorshme për biznesin, uljen e barrës fiskale, reduktimin e barrierave burokratike, vendosjen e taksës së sheshtë 10 % dhe aplikimin e one-stop-shop për regjistrimin e biznesit.
Gjithashtu Kryeministri e njohu Drejtorin Ekzekutiv të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan me ecurinë e reformës në sistemin e drejtësisë dhe reformën zgjedhore.
Nga ana e tij Drejtori Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, z. Avni Mustafaj pasi falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen vlerësoi hapat e mëdha e të sigurtë që Shqipëria ka bërë drejt zhvillimit dhe prosperitetit gjatë tre viteve të fundit.