Kryeministri Berisha i pranishëm në paradën në Champs Elysses, me rastin e festës kombëtare të Francës

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha, ishte sot i pranishëm në tribunën presidenciale, në paradën ushtarake më madhështore në historinë e Francës, me rastin e festës kombëtare të saj, e cila u zhvillua në Champs Elysees, në prani të dhjetëra mijëra spektatorëve dhe gazetarëve nga e gjithë bota.
Në këtë paradë morën pjesë kryetarët e shteteve dhe të qeverive, të cilët ishin të ftuar nga Presidenti Sarkozy në Samitin e Bashkimit Mesdhetar, të zhvilluar dje në Paris.
Në paradë parakaluan forcat e ushtrisë franceze dhe ajo u mbyll me forcat parashutiste, të cilat u ulën mbi Champs Elysees, duke shpalosur flamujt e Francës, BE-së dhe OKB-së.
Pas përfundimit të paradës, të gjithë kryetarët e shteteve dhe qeverive, bashkë me bashkëshortet e tyre, ishin të ftuar të Presidentit Sarkozy dhe zonjës së tij, Karla Bruni Sarkozy në pritjen dhe në drekën e shtruar për nder të tyre, në rezidencën Martigni.
Kryeministri Berisha gjatë drekës zhvilloi mjaft takime dhe biseda të ngrohta dhe miqësore me të ftuarit, ku shfrytëzoi rastin për të falënderuar Presidentin francez Sarkozy për ftesën për të marrë pjesë në Samit dhe në festën e Francës, si dhe ta përgëzonte atë për suksesin dhe rezultatet e Samitit për Bashkimin e Mesdheut.