Kryeministri Berisha merr pjesë në Samitin “Procesi i Barcelonës” Bashkimi për Mesdheun”
Kryeministri Berisha mori pjesë sot punimet e Samitit të Parisit “Procesi i Barcelonës” Bashkimi për Mesdheun”. Në Samit merrnin pjesë kryetarë të shteteve apo qeverive nga rreth 44 vende të BE-së, të rajonit të Mesdheut, etj..
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha përshëndeti Samitin, duke e konsideruar një fillim të ri të marrëdhënieve të gjithanshme, që lidhin vendet e këtij rajoni.
Kryeministri shprehu një falënderim të veçantë për vendin mikpritës, Francën dhe Presidentin Sarkozy si promotor i nismës “Bashkimi për Mesdheun”.
Kryeministri Berisha shprehu mbështetjen e fuqishme të Shqipërisë për këtë nismë dhe objektivat e saj për paqe stabilitet, siguri dhe integrim rajonal. Ne besojmë, - tha Kryeministri - se forcimi i dialogut politik dhe bashkëpunimit në të dy brigjet e Mesdheut është i domosdoshëm jo vetëm për Europën, por ai ka edhe dimension global.
Duke ju referuar faktit se Shqipëria dhe shqiptarët janë kombi me tolerancën më të shkëlqyer fetare ndëretnike, Kryeministri Berisha solli një shembull shumë kuptimplotë nga qyteti i Beratit i cili pak ditë më parë hyri në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Në këtë qytet, - tha Kryeministri - ndodhet një kishë e shekullit të 16-të që unë e vizitoj shpesh, sepse njëra prej ikonave të bukura të saj paraqet Shën Marien me foshnjën Jezu në krah dhe në të dyja anët e saj ndodhen dy minare, dëshmi kjo e një respekti të thelle e të palëkundur të shqiptarëve për besimin e njëri-tjetrit. Simbol i tolerancës sonë të shkëlqyer fetare.
Shqipëria dhe shqiptarët, - vijoi më tej Kryeministri Berisha - me përvojat e dhimbshme që historia u rezervoi, me traditat e një kombi me tolerancë fetare e ndëretnike par excellence, me përvojën e tranzicionit e transformimit rrënjësor të vendit të tyre gjatë 16 viteve të fundit, si dhe me arritjet e jashtëzakonshme në projektet madhore kombëtare për integrimin europian dhe atë euro-atlantik, kanë shumë për të ofruar në këtë proces.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri theksoi se në këto tre vitet e fundit, duke shndërruar reformat në perpetual mobile te saj, Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE dhe po e zbaton atë me sukses; më 3 prill të këtij viti mori ftesën për anëtarësim në NATO dhe më 9 korrik u nënshkruan në Bruksel protokollet e aderimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.
Duke vlerësuar rëndësinë që Procesi i Barcelonës: Bashkimi për Mesdheun i jep hartimit dhe realizimit të projekteve, Kryeministri Berisha tha se Shqipëria është e interesuar në projektet konkrete të propozuara, me interes të veçantë projektet në fushën e infrastrukturave të mëdha , mjedisit dhe energjisë.
Një tjetër aspekt i fjalës së Kryeministrit Berisha ishin edhe reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për krijimin e klimës më të favorshme për biznesin e investime, si një nga përparësitë më kryesore të saj. Shqipëria e ka nisur këtë vit me rritje dyshifrore, me inflacion plotësisht të kontrollueshëm, eksportet janë rritur me 41%. “Në harte, vendi ynë është i vogël, por ka potenciale të jashtëzakonshme turistike, ujore energjetike dhe minerare për investitorët e vendeve tuaja dhe tregun e punës më të favorshëm në Europë.” Kryeministri u bëri thirrje të gjithë investitorëve të vendeve pjesëmarrëse në Samit të vijnë dhe të eksplorojnë potencialet e jashtëzakonshme në burime e bukuri natyrale, si dhe kapacitetet njerëzore që Shqipëria ofron.
Duke u ndalur në zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Kryeministri tha se ky rajon, si vazhdimësi e rajonit të Mesdheut, ka një rëndësi jetike për paqen dhe sigurinë e vendeve tona. “Në rajonin tonë një fëmijë i ri ka lindur. Kosova po hedh hapat e saj të parë në ndërtimin e demokracisë më të re në Europë. Historia politike e legale e Kosovës, por edhe genocidi e fushatat e pastrimit etnik e bëjnë atë një rast unik që nuk krijon precedent. Kosova është njohur tashmë nga më se 42 vende”. Kryeministri i bëri thirrje miqësore vendeve pjesëmarrëse në Samit, të cilat ende nuk e kanë marrë këtë vendim, të shfrytëzojnë shansin për të dhënë kontributin e mëtejshëm në paqen në gadishullin tonë, duke njohur pavarësinë e Kosovës