Kryeministri Berisha pret në takim artisten e mirënjohur shqiptare Elsa Lila
Kryeministri Berisha priti sot, në një takim të ngrohtë e miqësor, artisten e mirënjohur shqiptare Elsa Lila, e cila shoqërohej nga Drejtori i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Publik Shqiptar, z. Petrit Beci.
Kryeministri e përgëzoi artisten shqiptare për arritjet e saj në fushën e këngës dhe për rolin në promovimin e artit shqiptar në botë, duke qenë kështu një ambasadore shumë e mirë e artit dhe kulturës shqiptare.
Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare mbështet dhe do të vazhdojë të mbështesë projektet dhe iniciativat për promovimin e artistëve shqiptarë dhe kulturës shqiptare në tërësi. Në këtë drejtim, artistja Elsa Lila e njohu Kryeministrin Berisha me projektet e saj për të ardhmen, duke u ndalur në takimin e saj të fundit në Los Angelos, të SHBA me artistin me famë botërore të muzikës lirike Placido Domingo. Ajo vuri në dukje interesin e madh të shprehur prej artistit te madh Domingo për të ardhur në vendin tonë, si përkrahës dhe promovues i artistëve shqiptarë të muzikës, që përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë në skenat e mëdha të botës.