E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha uron nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor 2008-2009

Kryeministri Berisha uroi sot nxënëset dhe nxënësit e të gjithë shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të vendit për fillimin e vitit të ri shkollor 2008-2009. 

Gjatë një vizite në shkollën e mesme, “Myslim Keta” në zonën e Kombinatit në Tiranë, Kryeministri  tha se nxënësit dhe mësuesit në të gjithë vendin nisin sot vitin e ri shkollor në kushte shumë më moderne se tre vjet më parë.

Kryeministri tha se në tre vite janë investuar 14 miliardë lekë për ndërtimin e shkollave dhe ambjenteve të reja për nxënësit, krahasuar me periudhën e tetë viteve të qeverisjes së mëparshme, që u investuan vetëm 7 miliardë lekë.

“Sot në mbarë vendin funksionojnë një numër i madh shkollash të reja. Mbi 141 shkolla u ndërtuan në tre vjet, mbi 459 të tjera u rikonstruktuan, ndërsa buxheti për arsimin po shkon drejt dyfishimit”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Më tej Kryeministri theksoi se gjatë këtij viti nxënëset dhe nxënësit në mbarë vendin do të kenë në shkollat e tyre kabinete informatike dhe internet.

Duke iu referuar situatës së arsimit në Tiranë, Kryeministri theksoi se qeveria i ka akorduar Bashkisë së Tiranës 2.2 miliardë lekë për ndërtimin e shkollave të reja dhe rikonstruksionin e atyre ekzistuese.

Ky projekt, tha Kryeministri, kishte për qëllim krijimin e kushteve sa më moderne dhe uljen e numrit të nxënësve për klasë në shkollat e Tiranës, por nga 7 shkolla të reja që duhet të ishin ndërtuar, janë ndërtuar vetëm dy apo tre dhe nga 12 që duhet të ishin rikonstruktuar janë rikonstruktuar vetëm gjysma, duke rrezikuar kështu edhe djegien e fondeve.
Kryeministri u shpreh se në rast se do të ishte investuar kjo shumë  e akorduar për Bashkinë e Tiranës, kryeqyteti do të kishte një nivel dy herë më të lartë pajisjesh dhe shkollash më moderne.

“Të mos ndërtohen shkolla me fondet e qeverisë, në një kohë kur komunat ndërtojnë shkolla me fondet e tyre, është absolutisht e papranueshme. Një analizë të hollësishme, Këshilli Bashkiak duhet ta bëjë për këtë situatë. Është krijuar një amulli në regjistrimin dhe ç`regjistrimin e nxënësve sepse nuk janë mbajtur premtimet”, u shpreh Kryeministri.

Më pas Kryeministri Berisha vizitoi ambientet e brendshme të shkollës, bibliotekën, kabinetin e informatikës dhe palestrën.  Kryeministri përgëzoi stafin pedagogjik për krijimin e një mjedisi të posaçëm për bibliotekën e shkollës dhe i inkurajoi ata për pasurimin e mëtejshëm të saj me libra të reja.


Gjatë vizitës në ambientet e kabinetit të informatikës, Kryeministri tha se është në interesin dhe detyrimin absolut të shkollave që kabinetet e informatikës të vihen në dispozicion të çdo nxënësi dhe më pas të kalohet tek prindërit.
Vitin e kaluar, theksoi Kryeministri, kemi patur rritjen më të lartë në Europë të përdorimit të internetit, por kjo nuk do të thotë se kemi arritur aty ku duhet. “Për të arritur aty ku është e nevojshme, ne duhet të përcaktojmë një mision që çdo shqiptar të mund të përdorë internetin”, tha Kryeministri.

Gjatë kësaj vizite Kryeministri Berisha shoqërohej nga deputeti i zonës, njëkohësisht Ministër i Brendshëm, Bujar Nishani dhe përfaqësues të Drejtorisë Arsimore të Tiranës.      

Në fjalën e tij Kryeministri Berisha u shpreh: 

Të dashur nxënëse, nxënës, mësuese dhe mësues, prindër e familjarë,
Z. Ministër dhe deputeti i zonës Nishani, zoti Drejtori i shkollës, drejtues të arsimit të Tiranës!
Së pari dëshiroj t`ju përshëndes ju dhe mbarë nxënëset e nxënësit dhe mësuesit e Shqipërisë: Gëzuar ditën e parë të vitit të ri shkollor!
Ju siguroj se viti tjetër do të jetë një vit edhe më i mirë, me shkollat më moderne një vit që do të gjejë arsimin tonë në stadin më të lartë se viti në vazhdim. Nxënëse dhe nxënës, mësuese dhe mësues të shkollës Myslim Keta! Sot ju rinisni ose nisni për së pari garën e dijes, garë e cila ka qenë dhe është promotori kryesor i zhvillimit të qytetëruar të kombeve dhe vendeve, garë e cila ka qenë dhe është përcakttuese për konsolidimin e lirisë, shoqërisë së lirë dhe e tillë është dhe do të jetë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne nisim këtë vit shkollor në rrethana dhe kushte krejtësisht të tjera nga ato që ekzistonin tre vjet më parë.
Sot në mbarë vendin një numër i madh shkollash të reja funksionojnë. Mbi 141 shkolla u ndërtuan në këto tre vjet, ndërsa mbi 459 të tjera u rikonstruktuan. Buxheti për arsimin po shkon drejt dyfishimit. Në rast se tre vite më parë u investuan 7 miliardë lekë në arsim gjatë këtyre tre viteve po investohen rreth 14 miliardë lekë në ndërtimin e shkollave dhe ambjenteve të reja për nxënësit. Gjatë këtij viti nxënëset dhe nxënësit në mbarë vendin do të kenë një kabinet të informatike dhe internetin. Këtë vit mësueset dhe mësuesit tuaj nisin vitin shkollor më mirë se tre vjet më parë. Ne jemi konsistent në premtimet tona për arsim modern, shkolla moderne, standarde europiane këto janë zotimet tona për ju.


Të dashur mësues të kësaj shkolle, por edhe arsimtarë në të gjithë vendin: Kjo qeveri më shumë se çdo qeveri tjetër në historinë e këtij vendi ka bërë përpjekje reale dhe  të vështira për t`u vendosur ju në piedestalin që meritoni për të bërë të mundur që ju të përmbushni me dinjitet misionin e madh dhe fisnik të dijes për fëmijët tanë dhe ju përmbushni me nder dhe dinjitet këtë mision. Por ne mendojmë dhe besojmë se fuqitë, dijet dhe kapacitetet tuaja janë dhe më të mëdha ndaj dhe unë u bëj thirrje që këtë shkollë ta vendosni në shërbim të komunitetit, me të gjitha laboratoret, në mënyrë që ata që kanë humbur kohë të kapin kohën e humbur. Ne po ngrejmë në çdo shkollë kabinetin e informatikës. Është në detyrën tuaj që sa më shpejt çdo nxënës i kësaj shkolle të ketë akses të plotë në internet, çdo nxënës i kësaj shkolle të lundrojë në internet, të shfrytëzoni maksimalisht kabinetin. Është në detyrën tuaj që sa më shpejt të jetë e mundur që këto kabinete t`i vendosni në shërbim të komunitetit, në shërbim të nxënësve, të prindërve dhe familjarëve të tyre në mënyrë që ne të ecim me shpejtësi të madhe drejt shoqërisë së informacionit, të rrisim me shpejtësi shkallën e përdorimit të saj si rruga më e sigurtë për t`u orfruar qytetarëve shqiptarë shërbimet më të mira dhe më të lira. Ne po e transformojmë arsimin siç është tranformuar shkolla juaj me 1 milionë euro. Këtë vit theksova se do të ketë internet në të gjitha shkollat. Kemi vendosur maturën shtetërore. Maturantët e kësaj shkolle prej tre vitesh shkojnë ballëhapur në universitet pa patur nevojë të kërkojnë ndihmën e askujt përveç vetes së tyre.


Ne jemi të vendosur të investojmë në arsimin e lartë në mënyrë që secili nga nxënësit tuaj të gjejë atje mjedise moderne kushte më të mira për të marrë arsimin universitar. Ne bëjmë përpjekje të mëdha sot që çdo fëmijë që mbaron shkollën 9-vjeçare të mundë të ndjekë shkollën e mesme. Një zinxhir konviktesh po ndërtohen nga Tropoja në Gramsh e Sarandë. Ne jemi të vendosur të japim për të gjithë fëmijët në nevojë bursën e mjaftueshme për të ndjekur shkollën e mesme.

Për qytetin e Tiranës qeveria që unë drejtoj ka marrë një kredi dhe ka vendosur nga buxheti i saj, së bashku shumën 2.2 miliardë lekë për arsimin. Ky projekt ka patur një qëllim që fëmijët e Tiranës të mësojnë në klasa moderne që ato të mos jenë të mbingarkuara. Por për fat të keq më duhet të them se në vend që të falenderoja këtu kryetarin e Bashkisë së Tiranës, më duhet të them se nga 7 shkolla të reja që duhet të ishin ndërtuar, janë ndërtuar vetëm dy apo tre dhe nga 12 që duhet të ishin rikonstruktuar janë rikonstruktuar vetëm gjysma, duke kërcënuar kështu edhe me djegien e fondeve. Ndaj dua t`i them këtu t`a marrë me seriozitetin më të madh çështjen e arsimit. Nuk është arsimi vetëm tre apo pesë topa. Arsimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe qeveria ka vendosur 2.2 miliardë lekë për të vetëm në kryeqytet. Në rast se do të ishin ivestuar ato, Tirana do të kishte një nivel dy herë më të lartë pajisjesh dhe shkollash më moderne, ndaj le t`i shërbejë kjo ditë si një detyrim madhor ndaj fëmijëve dhe prindërve të kryeqytetit për t`i dhënë sa më shpejt asaj shkollat më të mira.

Dua të siguroj qytetarët e Tiranës se qeveria është e vendosur të investojë në çdo skaj të kryeqytetit, për fëmijët e tyre, është e vendosur që qyteti i Tiranës të ketë klasat më normale, më të pajisura, mësuesit më të kualifikuar.
Edhe njëherë ju uroj gëzuar këtë ditë të bardhë, ditë shprese, ditë suksesi të vërtetë.            
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›