E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Sali Berisha , pas kthimit nga Bukureshti

Pas kthimit nga Bukureshti, ku mori pjesë në samitin e kryetarëve të qeverive të vendeve të Europës Juglindore për zgjerimin e zonës së tregtisë së lirë (CEFTA), kryeministri Berisha doli, të premten, në një konferencë për shtyp.

"Dje në Bukuresht, siç jeni njoftuar zhvilloi punimet Samiti i CEFTA-s. Kryeministrat e Rumanisë, Bullgarisë, Moldavisë, Maqedonisë, Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës, ranë dakort të krijojnë një zonë të lirë të shkëmbimeve tregtare, një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm ky, pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve bilaterale të mëparshme. Në këtë samit, pati një prani të madhe të BE-së. Në Samit ishte i pranishëm Kryetari i radhës i Këshillit të Ministrave të BE-së, Volfgan Shusel, kancelar i Austrisë, Komisioneri për zgjerimin Olli Rehn dhe Komisioneri për Tregtinë e Lirë Peter Mandelson. Deklarata e cila u miratua me unanimitet nga të pranishmit përbën një akt shumë të rëndësishëm. Liria e tregut është themeli i prosperitetit dhe në këtë kontekst kjo deklaratë e djeshme ridimensionon dhe zgjeron lirinë e tregut në mbarë rajonin. Inkurajon investimet dhe investitorët si dhe shkëmbime të ndërsjerllta tregtare, pregatit këtë rajon për një integrim të plotë të suksesshëm në BE.

Gjatë qendrimit unë pata takime dhe bisedova me kancelarin Volfgan Shusel, i cili më siguroi mbështetjen e plotë të Austrisë, si presidente e radhës për firmosjen e MSA-së nga Këshilli i Ministrave, sikundër diskutuam gjerësisht mbi marrëdhëniet bilaterale. Një takim të veçantë pata me Perfaqesuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm, z.Petersen dhe Kryeministrin e Kosovës AgimÇeku. Në këtë zonë përfshihet edhe Kosova, ishte edhe ajo e pranishme në samit, kryeministrin e Maqedonisë, kryeministrin e Malit të Zi, kryeministrin e Kroacisë, Rumanisë. Në të gjitha këto takime diskutuam, për zgjerimin e bashkëpuinimit bilateral, intesifikimin e bashkëpunimit ekonomik, diskutuam për bashkëpunimin për nxitjen e investimeve të ndërsjellta sikundër luftën klundër krimit të organizuar.

Shfrytëzoj rastin për të falenderuar shumë përzemërsisht kryeministrin e Maqedonisë Buçkovski, kryeministrin e Kosovës z.AgimÇeku dhe kryeadministratorin Petersen, për ndihmesën shumë të çmuar që dhanë edhe në operacionin e suksesshëm, arrestimin e njërit prej të të kërkuarve të Shqipërisë dhe Ballkanit, dje në Tetovë.

Në përfundim të takimeve unë u prita nga Presidenti i Rumanisë, Basesku, me të cilin pata një bisedë shumë miqësore. Diskutuam tërësisht mbi procesin e integrimit. Rumania është një vend mik tradicional i Shqipërisë dhe shqiptarëve, e cila në fund të këtij viti fiton anëtarësimin e plotë në BE dhe kjo përbën një zhvillim historik për kombin rumun, por përbën edhe për rajonin e Ballkanit një zhvillim pozitiv. Diskutuam edhe për bashkëpunimin bilateral në të gjitha fushat, bashkëpunim i cili realisht ekziston, për përpjekjet e përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar, agjencitë e zbatimit të ligjit të Rumanisë kanë ndihmuar shumë dhe po bashkëpunojnë ngushtë me agjencitë tona në fushën e arsimit, janë qindra shqiptarë që shkollohen atje. Kërkova të shqyrtohet mundësia e vënies së linjës ajrore Tiranë-Bukuresht. Pra, ishte një vizite e shkurtër, por realisht intensive.

Natyrisht, ftova homologët e mi të vizitojnë Shqipërinë dhe u ftova të vizitoj vendet e tyre. Ftesat janë pranuar reciprokisht".

Pyetje: Ju sapo keni nënshkruar marrëveshjen e pragut në kuadër të Sfidës së Mijëvjeçarit. Si do t'i konsideronit marrëdhëniet mes qeverisë tuaj dhe SHBA-së dhe a do të pasohet kjo me projekte të tjera në të ardhmen?

Unë e vlerësoj këtë si një ngjarje realisht të rëndësishme. Marrëveshja është një besim që administrata e Presidentit Bush ka në përpjekjen tonë për çmontimin e sistemit të korrupsionit. Marrëveshja ka tre projekte të cilët kanë të bëjnë me tre shtyllat më kryesore të luftës kundër korrupsionit, siç jeni njoftuar; administrimin fiskal, ombusmenin për prokurimet publike dhe të dyja këto në funksion të klimës për biznesin one stop shop. Unë i kosideroj këto projekte shumë të rëndësishme. Jemi të vendosur me përkushtim të punojmë për zbatimin sa më të shpejtë të tyre. Jam i bindur se ato projekte sjellin një ndryshim real cilësor në të tri këto fusha tepër të rëndësishme për vendin. Zbatimi i tyre hap rrugën që Shqipëria të kalojë nga niveli i pragut në nivelin e Llogarisë së Mijëvjeçarit, çka do të thotë dhjetëra dhe qindra milionë dollarë dhuratë e qeverisë së Shteteve të Bashkuara në buxhetin e shqiptarëve për rrugë, shkolla, infrastrukturë, jetë më të mirë.

Pyetje: Z. kryeministër, a keni ndërruar mendim për çështjen e z.Ngjela, meqenëse keni deklaruar se nuk do të ketë më përjashtime?

Z. Berisha: Unë kam theksuar se PD-ja ka një statut, të cilin ajo e zbaton me përpikmëri. Natyrisht, bazuar në këtë statut, kam ushtruar kompetencat e mia si kryetar ndaj liberalit që u shndërrua në çimkë. Nuk ishte përgjegjësia ime këtu. E vetmja gjë që dua të njoftoj sot, këtu, është se masa do të shtrihet edhe ndaj FilipÇakulit. Do të ngrihet kandidimi i tij për një periudhë të pacaktuar si deputet i PD-së, dmth nuk do të kandidojë për një periudhë të pacaktuar për deputet, sepse dje deshi ta paraqiste si çimkë të huaj Ngjelën, çka nuk ka baza. Është çimkë vendi.

Pyetje: Z.Berisha, në fakt do merremi edhe pak me Ngjelën ...

Z.Berisha: Jo, nuk merrem më me të. Historia e tij është historia e gjelit dhe e melit, nuk ia vlen të merresh me të. Ai bëri zgjedhjen e tij, zgjedhje tragjike, nga liberal demokrat në çimkë. Por procedura për Ngjelën si deputet, për Ngjelën i pezulluar si sekretar për marrëdhëniet me publikun, për Ngjelën si anëtar i PD-së i ngrirë, do të jenë procedura parlamentare.

Pyetje: A do të arrini në kompromis për ndryshimin e rregullores, pasi negociatat e djeshme nuk arritën në ndonjë përfundim?

Z. Berisha: Janë bërë propozime të dyanshme dhe gjykoj se në ato propozime ekziston baza reale. Ata kërkojnë ta zëvendësojnë sistemin, le ta zëvendësojnë. Është një shumë prej 300 mijë dollarësh që duhen alokuar për një sistem të ri, ky që ekziston absolutisht është sekret, por meqenëse opozita e kërkon edhe qeveria duhet të bëjë hapin e vet dhe do ta bëjë. Unë isha për certifikimin e sistemit ekzistues, por ata nuk e pranojnë certifikimin dhe kërkojnë një sistem të ri me kushte të reja, le të mblidhen t'i përcaktojnë, të bëjnë një tendër. Unë shoh që në ato propozimet ekzizton bazë reale për kompromis. Ndërrimi i sistemit, ata, me sa duket, insistojnë shumë në këtë pikë dhe le të vendosin një sistem sekreteca e të cilit të certifikohet edhe nga faktori ndërkombëtar. Deri sa të vendoset ky sistem le të mos e përdorim këtë ekzistuesin. Por ka një problem që ata i ndërrojnë propozimet.

Pyetje: Z. Berisha a mund të na thoni si mund të evitohen pretendimet e z.Ngjela për shkelje të Kushtetutës?

Z. Berisha: Nuk do të merremi më me Ngjelën. Ai bëri një zgjedhje tragjike, nga liberal u shndërrua në çimkë. Ngjela ka qenë avokat i fjalës së lirë, por tani u shndërrua në çimkë të lirë. Do të jetë i pavarur. Ai e bëri zgjedhjen vetë, nuk e nxiti kush. Si mjek unë kuptoj që sëmundjet kronike shërohen me vështirësi.

Pyetje: A do të ketë hetim për përgjimin?

Z. Berisha: Nuk do të ketë asnjë lloj hetimi, sepse kryeministri është publik. Kam dhënë porosi që çdo akt i imi të kalojë në web. Unë nuk kam asnjë lloj veprimtarie sekrete. Por çimkat atë zanat kanë.

Pyetje: Ka disa projektligje që në fakt kanë shkaktuar një lloj shqetësimi për liritë e të drejtat e njeriut, psh. projektligji për skafet.

Z. Berisha: Por kush i ngre këto? Ata që kanë pasaportë diplomatike në xhep. Ata që ngrenë çështjen e skafeve janë njerëz me pasaporta diplomatike në xhep, me viza vjeçare e shëtitin ku të duan. Por këta persona, me pasaportë diplomatike, janë gjithsej një mijë apo dy mijë. Ndërsa 3 milion shqiptarë nuk janë të gjendje të marrin një vizë, të presin me muaj dhe sërish të mos e marrin.Çfarë është për shqiptarët bashkintegrimi europian? Unë ju them se, para së gjithash, është lëvizja e lirë dhe këtë unë e shoh edhe në vende të tjera. Nuk është se vjen dikush të të dyfishojë rrogën me të ardhurat e veta, të ndihmon në infrastrukturë, por mbi të gjitha është lëvizja e qytetarëve europianë. Ata do të ishin të vërtetë, nëse do të dorëzonin pasaportat diplomatike dhe nuk do të lëviznin vetë lirshëm, ta barazonin veten me ata që s'lëvizin dot. Nuk them se nuk ka një shkelje, nuk them që nuk cënohen psh një mijë apo dy mijë qytetarë shqiptarë që kanë skafe dhe nuk i përdorin për trafiqe, por përfitojnë 3 milion shqiptarë mbrapa. Besoj se të gjithë duhet të jemi për interesin publik të qytetarëve shqiptarë. Ky ligj është një nga ligjet më të përshëndetura nga partnerët tanë. Mos mendoni se ata nuk njohin të drejtat e njeriut e janë kundër shkeljes së tyre. Në këtë rast është një domosdoshmëri kombëtare. Nuk ka qenë qeveria e Sali Berishës që e shndërroi Shqipëerinë dhe e bëri sinonim të skaforepublikës. Është e thjeshtë të bësh Simbad detarin me pasaportë diplomatike e viza një vjeçare në xhep dhe të mos mendosh për atë që i vdes fëmija, i vdes i afërmi dhe nuk merr dot një vizë ta shohë. Reformat ngjallin kritika dhe kjo është normale, por reformat kanë një synim, të përmirësojnë jetën e qytetarëve shqiptarë, të përmirësojnë kushtet dhe konkretisht kushtet e lëvizjes. Integrimi europian efekt pozitiv të parë ka lëvizjen e lirë, për këtë mund të pyesni hungarezët, polakët etj.. Efekti më imediat dhe konkret i integrimit nuk është se ndryshojnë rrogat, se po të shohim rrogat, ka nga këto vende që nuk i kanë larg rrogave tona, i kanë më të larta, por jo shumë më lart, por lëvizin lirshëm, ndjehen qytetarë europianë.

Pyetje: Përsa i përket negociatave do të përqendrohen thjesht tek problemet teknike apo tek çështja?

Z. Berisha: Sesi do të jenë unë nuk e di, sepse nuk jam në negociata, por që të kalojmë në paraelektronikë këtë nuk e pranoj. Absolutisht, sepse në erë paraelektronike nuk mund të kalohet. Meqë ata vënë në diskutim këtë sistem, le ta zëvendësojnë me sistem tjetër. Ne jemi qeveri dhe doemos që do ta marrim parasysh dhe derisa opozita e vë në diskutim integritetin e sitemit ka dy mënyra: për të sjellë një komision për të certifikuar integritetin e tij, meqë nuk janë dakort me këtë dhe kërkojnë një sistem të ri, le të përcaktojmë bashkë kriteret, ta blemë dhe ta vendosim.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›