E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Thjeshtimi i proçedurave te liçensimit, domosdoshmeri

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë të shtunën paradite në takimin konsultativ të biznesit të zhvilluar në Hotel Tirana, ku u trajtuan probleme të liberalizimit të plotë të sektorit hidrokarbur, të sektorit minerar, të sektorit të punëve publike dhe rëndësia e konsultimit me biznesin. Në takim merrnin pjesë Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, z. Genc Ruli, zv/ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Eno Bozdo, përfaqësues të Dhomës së Tregtisë, ekspertë të ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, etj. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, kryeministri Berisha u shpreh:

"Është shumë kënaqësi për mua që të takohem sot me ju dhe t'u riafirmoj qëndrimin e palëkundur të qeverisë që unë kryesoj, të riafirmoj qëndrimin e filozofisë së partisë që përfaqësoj. "Minimumi i ndërhyrjes shtetërore në biznese", kjo është motoja jonë, ky është thelbi i filozofisë tonë. Në këtë aspekt, unë ju garantoj se nuk do të lëmë përpjekje pa bërë për të minimalizuar ndërhyrjen shtetërore në punët tuaja. Dhe kjo është rruga e vetme e sigurt për të zgjeruar hapësirat e lirisë së tregut.

Muaj më parë ne krijuam një trask force për të lehtësuar klimën e tregut. Task forca përbehet nga disa grupe. Të gjitha këto grupe po punojnë në mënyrë intensive. Sot njëri nga këto grupe sjell këtu para jush frutet e punës së tij, të cilat konsistojnë në liberalizimin e liçensave, e praktikave, për tregtinë e karburanteve, për minierat dhe një seri aktivitetesh të tjera. U siguroj se ky është vetëm fillimi, se shumë shpejt një paketë e dytë do të paraqitet para jush, e cila do të ketë si objektiv ndërtimin, thjeshtimin e të gjitha procedurave për lejet e ndërtimit. Në këtë mënyrë ne duhet që jo vetëm të minimizojmë rolin e shtetit por dhe një rol akoma më të shëmtuar, më të keq, rolin e sekserit. Ju nuk duhet dhe nuk mund të përkuleni para askujt për një të drejtë që i takon çdo qytetari për të ushtruar veprimtarinë tuaj të lirë.

Ky është veçse një hap që ne bëjmë sot në zbatim të asaj filozofie. Por unë iu garantoj se hapa të tjerë shumë të rëndësishëm do të ndjekin këtë hap në mënyrë që biznesmenët shqiptarë të kenë klimën më të përshtatshme për ushtrimin e veprimtarisë së tyre. Ne jemi në një përballje të madhe me praktika të një sistemi i cili ishte kryekëput për biznes klientelist. Kurse sot, ju jeni të lirë, nuk ja dini për nder askujt atë që bëni, përkundrazi, shoqëria u detyrohet ju për veprimtarinë tuaj të dobishme. Në rast se e filluam me disa nga aktivitetet kryesore tregtare, naftën, gazin, supervizionin e punimeve, shumë shpejt do ta shtrijmë, siç e thashë, në ndërtimet, tregtinë e ushqimeve, tregtinë farmaceutike, dhe të gjitha sferat.

Por, kjo të dashur biznesmenë, është vetëm një tjetër hap pas përgjysmimit të taksave për biznesin e vogël dhe publikimit të çmimit të referencës. Hapa të tjerë shumë të rëndësishëm do të ndërmerren në respektin e kësaj filozofie. Me expertë dhe drejtues të Ministrisë së Financave po shqyrtojmë paketën fiskale. Ne do e mbajmë fjalën tonë. Ato që ju kemi premtuar ju para zgjedhjeve do ti mbajmë një për një. Qershori erdhi, vertet nuk e realizuam dot në janar për shkak të marrëveshjes me FMN-në, por administrimi fiskal ka ecur aq mirë sa na lejon ne plotësisht, me besueshmëri të plotë brenda dhe jashtë vendit, të bëjmë lëvizjen e fuqishme fiskale që iu kemi premtuar. Edhe ajo lëvizje, edhe ato ndryshime para se të shpallen, do të mblidhemi në këtë sallë, do ti diskutojmë bashkërisht, dhe do ti vendosim bashkërisht.

Së treti, arbitrariteti i shtetit do të marrë përgjigjen e merituar. Nuk mund ta paguani ju energjinë më shumë se të gjithë të tjerët në rajon. Qeveria merr përsipër një ulje të ndjeshme të çmimit të energjisë për ju, dhe unë iu garantoj se ky do të jetë vetëm fillimi. Barrën e kësaj ulje do ta përballojë tërësisht qeveria, kryekëput. Nuk mund të ndodhë që të paguajë biznesi dyfishin e çmimit që paguajnë qytetarët. Nuk ndodh kund kjo, vetëm këtu, ku shteti u bë sinonim i arbitraritetit. Ndaj dhe ne, së shpejti do të ndërmarrim vendime të reja për të ulur çmimin e energjisë që ju paguani. Ky do jetë vetëm hapi i parë. Këtë ulje do ta përballojë tërësisht qeveria. Me këtë nuk kam ndërmend t'ju them se qeveria do t'ju subvencionojë ju. Jo, qeveria ka mekanizma të tjera për ta përballuar këtë, duke ndërhyrë tek fatura e familjarëve, pa i rënduar ata aspak. Kështu që ne po studiojmë të gjitha modalitetet se si të zvogëlojmë arbitraritetin e shtetit ndaj jush.

Ju dhe shoqërinë shqiptare, në përputhje me një zotim të madh, ne po fillojmë ta çlirojmë nga kthetrat e krimit të organizuar. Merr fund një herë e përgjithmonë koha, kur kriminelë të paguar i prisin fatura biznesit shqiptar, i prisnin gjoba atij. Në Shqipëri askush nuk do të përkulet dot më nga krimi. Ne jemi shumë të vendosur të garantojmë veprimtarinë tuaj, jemi shumë të vendosur të garantojmë veprimtarinë e qytetarëve shqiptare, ndaj dhe duke e falenderuar z. Ruli, z. Bozdo, ekpertët e ministrisë për këtë paketë të rëndësishme që paraqesin sot para jush, dua t'iu siguroj se përqëndrim kryesor ne do të kemi, lehtësimin e veprimtarisë dhe praktikave tuaja, lehtësimin e veprimtarisë tuaj duke iu mbrojtur nga gjobat, qoftë të krimit të organizuar, qoftë të administratës. 1.4 miliard dollarë ka qënë gjoba që bizneset dhe qytetarët shqiptarë paguanin për të fituar të drejtat e tyre. Në rast se kjo do të kthehej në investime, imagjinoni ju se sa mijëra e mijëra vende pune do krijoheshin dhe çfarë zhvillimi do merrte vendi.

Ndaj dhe le të vazhdojmë së bashku dialogun dhe komunikimin. Dua të ndiheni të lirë të shprehni qëndrimet tuaja ndaj çdo akti padrejtësie që mund të ndeshni. Nuk kërkojmë asgjë tjetër, vetëm ligjin, zbatimin e ligjit dhe jemi të gatshëm ti përmirësojmë ligjet me sugjerimin tuaj. Por cili do qoftë ligji, çfarëdo të metash të ketë është më i mirë se mungesa e tij."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›