E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë për shtyp e Kryeministrit në Athinë

Në përfundim të takimeve në Greqi, Kryeministri Berisha dha dje, në Athinë, një konferencë për shtyp për gazetarët që ndoqën nga afër vizitën e Kryeministrit.

Kryeministri bëri një vlerësim të rezultateve të takimeve me autoritetet e lartë të shtetit fqinj dhe më pas bëri disa komente në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve.

Kryeministri: Erdha me shumë interes dhe largohem i kënaqur nga një vizitë thellësisht miqësore. Me këtë rast unë dëshiroj t'i shpreh falenderimin dhe mirënjohjen e madhe Kryeministrit Karamanlis për ftesën dhe mikpritjen që më rezervoi, të falenderoj përzemërisht Presidentin Papulias dhe Kryetaren e Parlamentit Benaki-Psarouda për takimet e ngrohta dhe miqësore që më rezervuan.

Gjithashtu pata mundësinë t'i adresohem edhe botës së biznesit grek dhe një audience të shkëlqyer gjatë mbrëmjes që Dhoma e Tregtisë organizoi shtroi për delegacionin tonë.

Kjo vizitë ishte një vizitë shumë e frutshme për marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë. Në bisedat e hapura dhe miqësore, bashkëbiseduesit e mi konstatuan se marrëdhëniet politike midis dy vendeve janë shumë të mira. Marrëdhëniet në tërësi janë thellësisht miqësore dhe progresojnë me shpejtësi. Grekët dhe shqiptarët kanë një prej traditave më të lashta të fqinjësisë në Evropë dhe kjo është një trashëgimi shumë pozitive. Mbi të gjitha, vendet tona kanë një vizion të përbashkët për të ardhmen. Kombi grek dhe Greqia kanë ndihmuar dhe do të ndihmojnë shqiptarët në përpjekjet e tyre evropiane.

Në 15 vite, Greqia është gjendur fuqimisht në anën e përpjekjeve të Shqipërisë dhe shqiptarëve për ndërtimin e demokracisë, ekonomisë së tregut dhe integrimit. Kryeministri Karamanlis më siguroi se qeveria e tij do të mbështesë, sikundër deri më sot, projektin evropian të Shqipërisë, integrimin e Shqipërisë në BE.

Një hapësirë të madhe në diskutimet tona zuri bashkëpunimi ekonomik. Shqipëria është thellësisht e interesuar për tërheqjen e investimeve greke. Investitorët grekë në Shqipëri zënë vendin e parë me rreth 230 ndërmarrje dhe investime në mbi 400 milion euro. Konstatojmë me kënaqësi se hapësira për të shumfishuar këtë pjesëmarrje, badhkëpunim dhe investime janë realisht më të mëdha. Të dy qeveritë qendrojnë fuqishëm për të inkurajuar investimet.

Diskutuam edhe për bashkëpunimin ushtarak. Kryeministri Karamanlis më siguroi për mbështetjen e madhe të Greqisë për procesin e anëtarësimit e Shqipërisë në NATO. Dhe kjo nuk do të jetë vetëm një mbështetje politike, por edhe në rrafshin ushtarako-teknik, në mënyrë që Shqipëria të përmbushë sa më mira standartet e anëtarësimit.

Diskutuam me kënaqësi si problemet e minoriteteit grek në Shqipëri dhe problemet e emigrantëve shqiptarë në Greqi. Konstatojmë se ka një progres të madh dhe real dhe një vullnet të palëkundur të dy qeverive për të konsoliduar standartet më të mira në këtë drejtim.

Kryeministri Karamanlis pranoi ftesën për të vizituar Shqipërinë dhe do të pritet si një mik i çmuar jo vetëm i imi, por i mbarë shqiptarëve. Shpresoj që, së shpejti, të pres në Tiranë edhe Presidentin Papulias, Kryetaren e Parlamentit, Zonjën Benak-Psarouda.

Jam i sigurtë se ky dialog miqësor intensiv i shërben zgjerimit me shpejtësi dhe intensifikimit të marrëdhënieve të gjithashanshme midis dy vendeve dhe kombeve mike.

Pyetje: Zoti Kryeministër çështja pronave çame konsiderohet një çështje e hapur apo një kapitull i mbyllur?

Kryeministri: Ju e njihni qendrimin tim. Qendrimi im për këtë është çështje sanksionuar në traktatin që unë sëbashku me Presidentin Stefanopulos kemi firmosur për problemin e pronave të qytetarëve shqiptarë në Greqi dhe qytetarëve grekë në Shqipëri. Kjo është një çështje tekniko-juridike e përcaktuar në Traktat dhe unë i mbetem plotësisht traktatit që kam firmosur. Ministritë respektive duhet të ngrenë grupet tekniko-ligjore në mënyrë që kjo çështje rast pas rasti të trajtohet në kuadrin e ligjeve dhe të traktatit të miqësisë.

Pyetje: Jeni takuar me anëtarë të maxhorancës, por edhe me përfaqësues të opozitës. Sa optimist keni dalë prej këtyre takimeve për ratifikimin e MSA-së nga Greqia?

Kryeministri: Unë jam takuar me përfaqësues të maxhorancës, si dhe me përfaqësues të opozitës, Zotin Papandreu dhe këtë e konsideroj detyrë, sepse miqësia dhe bashkëpunimi misid dy vendeve dhe kombeve është një detyrë e të gjithë spektrit politik. Dhe kësaj detyre i kanë qendruar plotësisht qeveritë tona, pavarësisht, cili ka qenë spektri i tyre politik. Në këtë kontekst është shumë normale ta takoj dhe ta falenderoj Zotin Papandreu. Me Zotin Papanderu diskutuam për marrëdhëniet midis dy vendeve. Ai i mbështet plotësisht këto marrëdhënie edhe në opozitë. Diskutuam probleme të rajonit, probleme të lidhura me investimet greke në Shqipëri, probleme të minoritetit, të emigrantëve shqiptarë në Greqi. Pra, diskutuam një spektër të gjërë çështjesh. Nuk ka asnjë lloj mëdyshje se Zoti Papandreu, me grupin e tij parlamentar që kryeson, do të votojë sëbashku me deputetët e Partisë Neo Demokracia dhe deputetët e partive të tjera ratifikimin e Marrëveshjes.

Pyetje: Zoti Kryeministër, cilat ishin problemet konkrete që diskutuat me Kryeministrin Karamanlis për emigrantët? Së dyti, Kryeministri Koshtunica ka deklaruar se Kosova do të përfshihet në Kushtetutën e Serbisë. Do të doja një koment për këtë, si dhe qendrimin e Zotit Karamanlis për Kosovën?

Kryeministri: Siç e theksova diskutuam edhe për emgrantët. Një nga probelmet që ne konsiderojmë të rëndësishme dhe që, në tërësi, kemi gjetur edhe mirëkuptimin e Kryeminsitrit Karamanlis dhe qeverisë së tij është problemi i pensioneve. Ka një aspekt sa ekonomik edhe human ky problem. Unë jam ndarë sot realisht optimist,. Kam parë një vullnet të qartë tek qeveria për të ecur drejt zgjidhjes së tij. Sikudnër e diskutove edhe me opozitën, meqenëse mund të jetë edhe vendim parlamenti. Gjeta të njëjtin mirëkuptim edhe nga shefi i opozitës, Zoti Papandreu.

Diskutova me Presidentin lidhur me mundësitë që shqiptarët të mësojnë gjuhën e tyre amtare këtu. Edhe Presidenti Papulias e mbështeti plotësisht këtë ide. Jam informuar nga ambasada se Ministria e Arsimit ka lëshuar një qarkore në të cilën u kërkon të gjitha bashkive e komunave të krijojnë lehtësirat e nevojshme për këtë dhe kjo është në proces e sipër. Natyrisht edhe ne do të bëjmë përpjekje për t'i furnizuar me libra e mjetet e nevojshme, që krahas shkollimit të gjuhës greke të mësojnë në orë suplemetare dhe gjuhën e nënës. Tek udhëheqja politike e këtij vendi mik gjeta ndjenja miqësore dhe vlerësim të madh për rolin e shqiptarëve.

Lidhur me deklaratën e sotme të Kryeministrit Koshtunica më duhet të shpreh keqardhjen se Beogradi ka një mungesë realizmi në qendrimin ndaj problemit të Kosovës. Kryeministri Karamanlis shprehu preokupimin e tij për të drejtat e serbëve të Kosovës. Por ky nuk është vetëm një preokupim i Kryeministrit Karamanlis, por është një preokupim edhe i Kryeministrit të Shqipërisë dhe duhet të jetë një preokupim tërësor. Ju informoj se në të gjitha takimet që bëj me udhëheqëit e Kosovës, të qeverisë dhe forcave politike, ndër pikat e para në axhendën e bisedimeve janë liritë dhe të drejtat e minoritetit serb të Kosovës, të cilat duhet të garantohen. Nga ana tjetër, e sigurova Kryemnistrin Karamanlis se udhëheqja e Kosovës ka një vetëdije dhe përkushtim të plotë për garantimin e këtyre lirive dhe të drejtave. Kjo është ajo që biseduam.

Pyetje: Meqenëse ju deklaruat qendrimin tuaj për pronat çame, mund të na thoni se cili ishte qendrimi i Kryeministrit Karamanlis?

Kryeministri: Mund t'u them se ky problem ka dalë në mënyrë të përsëritur. Nuk kam gjetur asnjë nga autoritetet me të cilat kam diskutuar që të mos pranojë referencës e Traktatit të Miqësisë e Bashkëpunimit.Çështjes i jepen nuanca nga më të shumtat. Naturisht në trajtimin e këtij problemei i jam përmbajtur dhe me vetëdije të plotë kam firmosur një Traktat për të cilin mendoj se jep përgjigjen më të mirë të mundshme problemeve të lidhura me pronat e shqiptarëve në Greqi, por edhe të qytetarëve grekë në Shqipëri.Çështja e pronave është një çështje që duhet zgjidhur.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›