Kryeministri Berisha takohet me Kryetarin e opozitës greke Jorgos Papandreu
Sot pasdite, Kryeministri Berisha pati një takim me Kryetarin e opozitës greke, zotin Jorgo Papandreu.
Të dy personalitetet diskutuan për marrëdhëniet midis dy vendeve dhe popujve tanë. Kryeministri Berisha vlerësoi se marëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë të lashta, të ndërtuara në mënyrë të vazhdueshme dhe shumë të rëndësishme për të dy palët. Për këtë arsye ekziston vullneti dypalësh për fuqizimin e këtyre marrëdhënieve.
Takimi u përqëndrua dhe në proceset e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe në NATO. Zoti Papandreu siguroi mbështetjen e gjithanshme të opozitës greke në këto procese.
Kryeministri Berisha dhe Kryetari i opozitës greke Papandreu folën dhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik midis vendeve, veçanërisht për nxitjen e mëtejshme të investimeve greke në Shqipëri.
Gjithashtu, në takim u diskutua dhe për minoritetin grek në Shqipëri, si dhe për qytetarët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi. Të dy palët gjetën mirëkuptimin dhe shprehën angazhimin e përbashkët për mbështetjen e të drejtave të tyre në vendet respektive.
Kryeministri Berisha dhe Kryetari i opozitës greke Papandreu u ndalën edhe në zhvillimet në rajon, duke vlerësuar bashkëpunimin në këtë drejtim për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.