E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon kryeministrin grek Kostas Karamanlis

Sot në mesditë, Kryeministri Berisha zhvilloi në Athinë një takim me homologun e tij grek Kostas Karamanlis.

Të dy kryeministrat u shprehën të kënaqur për nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë si dhe për bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimin tregtar gjithnjë në rritje.

Kryeministri Karamanlis përshëndeti nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me BE-në dhe shprehu angazhimin e Greqisë për të ndihmuar Shqipërinë në këtë proces.

Në takim u vlerësua pozitivisht bashkëpunimi në fushën ushtarake, si dhe ndihma që ka dhënë ushtria greke në drejtim të modernizimit të ushtrisë shqiptare në kuadrin e anëtarësimit në NATO.

Në takim u konstatua, gjithashtu, bashkëpunimi i kënaqshëm ndërmjet strukturave të policisë dhe agjencive te zbatimit të ligjit të të dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe organizatave kriminale që veprojnë në rajon.

Një vend të rëndësishëm në takim iu kushtua zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike, veçanërisht rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe shtimit të investimeve greke në Shqipëri. Kryeministri Karamanlis vlerësoi nënshkrimin e marrëveshjes për energjinë, e cila do të sigurojë jo vetëm bashkëpunimin në sektorin energjitik, por do të bëjë të mundur krijimin e një rrjeti rajonal të shpërndarjes së energjisë elektrike. Gjithashtu kryeministi grek përshëndeti reformat e ndërrmarra nga qeveria shqiptare, duke vlerësuar në mënyrë të veçantë nismën më të fundit "Shqipëria, një euro", e mirëpritur nga biznesi grek.

Të dy kryeministrat u ndalën edhe në çështjen e emigrantëve shqiptarë në Greqi. Kryeministri grek vlerësoi pozitivisht kërkesën e qeverisë shqiptare në lidhje me pensionet e emigrantëve. Ai theksoi se qeveria greke do ta shikojë me kujdes këtë kërkesë duke pranuar që emigrantët shqiptarë kanë dhënë një kontribut të ndjeshëm qoftë me punën e tyre ashtu dhe me të ardhurat në formën e sigurimeve shoqërore.

Kryeministri Karamanlis vlerërsoi progresin që është bërë në vite lidhur me çështjen e minoriteteve duke vënë theksin se kjo çështje nuk është vetëm rajonale, por e standarteve ndërkombëtare

Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri grek Karamanlis bënë këto komente për mediat:

Kryeministri Berisha: "Përfitoj nga rasti për t'i shprehur mirënjohjen e thellë Kryeministrit Karamanlis, mik i çmuar i imi, për të gjithë mbështetjen që qeveria, populli grek dhe Greqia i japin Shqipërisë në realizimin e projektit të saj evropian si e ardhmja më e mirë për kombin shqiptar.

Unë, gjithashtu, shpreha mirënjohjen për të gjithë ndihmën e dhëna nga viti '90 e deri më sot, e cila ka qenë tepër e çmuar për përpjekjet e shqiptarëve për ndërtimin e demokracisë, të bazuar në vlerat e tregut dhe integrimin në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Në bisedimet që zhvilluam u përfshinë të gjitha fushat. Ato u karakterizuan nga vendosmëria për t'i zgjeruar dhe çuar më tej marrëdhëniet miqësore që ekzistojnë mes dy vendeve. Është rënë dakort për të zgjeruar më tej bashkëpunimin ekonomik, ushtarak, bashkëpunimin e institucioneve respektive të zbatimit të ligjit, bashkëpunimin arsimor e kulturor dhe të gjithëanshëm. Është biseduar për konsolidimin e mëtejshëm të të drejtave njerëzore të minoriteteve në Shqipëri dhe të emigrantëve shqiptarë në Greqi.

Në veçanti diskutuam mbi mundësinë e zgjerimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik. Në këtë drejtim, marrëveshja që nënshkruhet sot në fushën e enrgjisë është një marrëveshje e një rëndësie të veçantë. Unë e njoha Kryeministrin Karamanlis me përpjekjet që po bën qeveria për të krijuar një klimë të favorshme për biznesin. Konstatuam me kënaqësi se investimet greke në Shqipëri janë investimet e para. Ato arrijnë në rreth 430 milion euro. E sigurova Kryeministrin grek që do të bëjmë çdo përpjekje që ato të shumfishohen dhe të arrijnë në më shumë se 4 miliard.

Para se të takoja Kryeministrin Karamanlis, Presidenti Papulias shtroi rëndësinë që do të kishte lidhja hekurudhore midis dy vendeve. E përshëndeta këtë ide të Presidentit si idenë e një miku të shquar për Shqipërinë dhe e sigurova se qeveria shqiptare do ta konsideron shumë seriozisht këtë ide. E diskutova këtë ide edhe me Kryeministrin Karamanlis. Të dy jemi dakort që të punojmë për të krijuar sa më shumë lidhje midis dy vendeve dhe kombeve tona".

Kryeministri grek Karamanlis: "Me kënaqësi të veçantë i uroj mirëseadhjen mikut tim, Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Berisha, në Athinë. Patëm një takim shumë të frytshëm dhe konstruktiv i cili kontribuoi për thellimin e mirëkuptimit të pozicioneve të dy vendeve për çështje të ndryshme.

Perspektivat e marrëdhënieve tona janë të mëdha dhe jam plotësisht i kënaqur sepse sot konfirmuam vullnetin tonë për të promovuar më tej kapacitetet tona në këtë drejtim.

Diskutuam hollësisht për të gjithë aspektet e marrëdhënieve tona dypalëshe, në vecanti për bashkëpunimin në fushën ekonomike, tregëtare, ushtarake, si dhe për bashkëpunimin në fushën e rendit. Është shënuar progres i rëndësishëm, por padyshim që mund të arrijmë akoma edhe më shumë.

Do të doja të theksoja në vecanti bashkëpunimin që kemi iniciuar me vendin fqinj në fushën e energjitikës, i cili riafirmohet me nënshkrimin e sotëm të Marrëveshjes mbi çështjet e energjisë midis dy ministrave përkatës të Shqipërisë dhe Greqisë.

Diskutuam më tej ecurinë e sipërmarrjeve greke në Shqipëri, si dhe çështje që lidhen me aktivitetet e tyre aty. Iu referuam gjithashtu cështjeve që lidhen me pakicat greke që jetojnë në vendin fqinj dhe padyshim diskutuam edhe cështje që lidhen me emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi.

Vlerësojmë në mënyrë të veçantë rrugën euroatlantike të Shqipërisë. Vendi ynë përkrah këtë rrugë e cila është padyshim një proces jo i lehtë dhe me shumë kërkesa. Jemi të gatshëm të ndihmojmë vendin fqinj në përpjekjet e tij për konkretizimin e reformave të nevojshme dhe angazhimeve që ka marrë kundrejt Bashkimit Europian.

Me këtë rast, do të doja të përshëndes nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asiciimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian në qershorin e kaluar. Diskutimi edhe për çështjet e lartpërmendura, por dhe për çështje të tjera që lidhen me rajonin apo çështje ndërkombëtare, siç është ajo e Kosovës, që është një çështje shumë e rëndësishme për paqen, stabilitetin, si dhe bashkëpunimin në rajon, do të vijojë edhe gjatë drekës zyrtare në vazhdim".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›