E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Presidentin grek Karolios Papulias

Në ditën e dytë të vizitës në Greqi, Kryeministri Berisha u prit në një takim te veçante nga Presidenti i Greqisë Karolos Papulias.

Presidenti grek dhe Kryeministri shqiptar konstatuan se marrëdhëniet midis dy vendeve janë të shkëlqyera dhe midis tyre nuk ekziston asnjë problem. Të dy personalitetet theksuan rëndësinë e thellimit të ketij bashkëpunimi në të ardhmen.

Presidenti grek siguroi se mbetet një mbështetës i miqësisë ndërmjet Greqisë dhe Shqiperise dhe një mik i Shqipërisë. Presidenti Papulias shprehu mbështetjen e tij personale dhe te Greqisë për integrimin e Shqipërisë në BE. "Kemi qenë dhe do të mbetemi mbështetësit më konseguentë dhe më të fuqishëm të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe BE", u shpreh Papulias, duke siguruar se Greqia është e gatshme të ofrojë çdo ndihmë që këtë drejtim.

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për kontributin personal të Zotit Papulias në zhvillimin dhe konsolidimin e miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve tona. Në Shqipëri, theksoi kryeministri, të gjithë e dinë se ju personalisht keni qenë një nga promotorët e zhvillimit të dy vendeve tona.

Kryeministri theksoi se Shqipëria është e vendosur të plotësojë të gjitha standartet që kërkohen për anëtarësim dhe mbështetja e Greqisë në këtë drejtim është shumë e rëndësishme.

Zoti Papulias vlerësoi qëndrimet dhe standartet e adoptuara nga qeveria shqiptare në lidhje me minoritetin. Duke theksuar rëndësinë që emigrantët shqiptarë kanë në Greqi, Presidenti Papulias u shpreh se "mbi të gjitha brezi i ri i minoritetit grek dhe ai i emigrantëve shqiptarë në Greqi do të jenë ata që do ta çojnë më përpara dhe do ta bëjnë më dinamike zhvillimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve." Në këtë aspekt, tha në vazhdim zoti Papulias, shteti grek i kushton rëndësi përmirësimit të kushteve dhe integrimit të tyre në shoqërinë greke.

Lidhur me këtë çështje, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria shqiptare është e vendosur të bëjë të gjitha përpjekjet për garantimin e të drejtave të minoritetit grek dhe minoriteteve të tjera. Kryeministri vlerësoi gjithashtu klimën miqësore që është krijuar në Greqi për emigrantët shqiptarë, dhe në mënyrë të veçantë përshëndeti aktet e fundit të parlamentit dhe qeverisë greke për përmirësimin e kushteve të emigrantëve.

Në takim, Presidenti Papulias dhe kryeministri Berisha diskutuan për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjes së investimeve greke në Shqipëri. Kryeministri Berisha garantoi se qeveria shqiptare po punon që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tej në të ardhmen.

Po sot, Kryeministri Berisha vuri një buqetë me lule dhe bëri homazhe në Monumentin e Ushtarit të Panjohur, në Athinë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›