E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha zhvillon takim me Dhomën e Industrisë së Greqisë

Në vijim të vizitës së tij në Greqi, Kryeministri Berisha pati një takim me Dhomën e Industrisë së Greqisë, ku bashkëbisedoi me biznesmenë dhe investitorë grekë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha, ndër të tjera u shpreh:

Së pari dëshiroj t'ju falënderoj përzemërsisht për nderin e madh që më bëtë që t'u adresohem ju që në orët e para të vizitës sime në Greqi. Ky është një privilegj i veçantë. Shfrytëzoj rastin të falënderoj Kryeministrin Karamanlis për ftesën që më bëri të vizitoj vendin tuaj. Dua t'ju falënderoj për nderin e madh që më keni bërë me praninë tuaj, t'ju përshëndes ju, bashkëpunëtorët tuaj, punonjësit tuaj dhe qindra e mijëra shqiptarë që së bashku me qindra e mijëra grekë punojnë për sipërmarrjet tuaja.

Dua të adresoj një falënderim të veçantë të gjithë atyre biznesmenëve grekë që me kurajo të madhe vendosën të sjellin në Shqipëri projektet e tyre, ëndrrat e tyre, paratë e tyre dhe të kontribuojnë kështu në shkëputjen e Shqipërisë nga njëra prej periudhave më të vështira të historisë së saj, të ndihmojnë shqiptarët në projektin e tyre të ri, projektin e demokracisë, të përparimit, të mirëqënies dhe integrimit europian.

Zoti kryetar, ju theksuat me të drejtë se Greqia ka dhënë një ndihmë thelbësore në proceset që kanë ndodhur në Ballkan këto vitet e fundit. Nuk ka dyshim se ishte një fakt real për kombet e tjera të Ballkanit që dilnin nga diktaturat komuniste, ekzistenca e Greqisë demokratike, të zhvilluar, anëtare e Bashkimit Europian dhe NATO. Forcat demokratike në Shqipëri dhe në mbarë Ballkanin kanë patur tek forcat demokratike të vendit tuaj të të gjithë spektrit politik, mbështetjen e tyre në përpjekjet për ndërtimin e ekonomisë së lirë të tregut, të demokracisë së bazuar në ekonominë e tregut. Kjo është e vërtetë për të gjitha vendet e Ballkanit, akoma më e vërtetë për shqiptarët.

Dy kombet tona kanë një specifik të përbashkët, ato kanë mbetur gjithnjë në shtëpitë ku kanë lindur. Sido që u soll historia me to, ato nuk e ndërruan ndonjëherë shtëpinë e tyre. E theksova këtë për të thënë se ne jemi fqinjët më të vjetër me lidhje të pafundme në shekuj e mijëvjecarë. Ajo çka unë shoh me kënaqësi të madhe është e ardhmja e shkëlqyer e dy kombeve tona.

Shqipëria në këto 15 vjet erdhi nga koha e errësirës, shtypjes më të egër njerëzore, kolektivizimit më çnjerëzor, në kohën e tregut të demokracisë. Cfarëdo vështirësishë që përjetoi ajo pati ndihmën tuaj direkte.

Ju cituat këtu 400 milionë dollarë investime për Shqipërinë, por unë do t'i shtoj kësaj edhe qindra milionë të tjera shtesë që vijnë cdo vit nga qindra e mijëra shqiptarë që jetojnë e punojnë në këtë vend. Kjo ka qenë një ndihmë e jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në 14 vjet Shqipëria ka rritur të ardhurat e saj për frymë, ndërkohë që 80 përqind e prodhimit të vendit sot vjen nga sektori privat.

Shqipëria ka një program të qartë. Sigurisht që ka probleme, me të cilat qeveria që unë drejtoj është e vendosur të përballet dhe t'i zgjidhë ato. Një vit më parë ne patëm rotacionin paqësor të pushtetit. Shoqëria shqiptare dëshmoi një maturi të vërtetë, nuk pati skenarë gjeorgjianë apo ukrainas. Problemet që gjetëm ishin të shumta. Korrupsioni kishte arritur përmasat e kleptokracisë. Ligji ishte dobësuar në shkallë ekstreme. Ne përcaktuam si drejtim kryesor vendosjen e ligjit, luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Në një vit kemi vendosur para drejtësisë të gjitha grupet kryesore kriminale të vendit, janë arrestuar bosët dhe anëtarët e këtyre grupeve kudo ku kanë qenë, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Shqipëria sot është një vend i sigurt. Jo sepse këtë e them unë, kryeministri i saj, por ky është besimi i grekërve, italianëve, francezëve e gjermanëve, e gjithë të tjerëve, të cilët vetëm këtë vit erdhën në Shqipëri 30 përqind më shumë se vitin e kaluar.

Ne u përballëm me korrupsionin duke e shpallur atë si një kancer për vendin. Ju përmendët këtu vështirësi të biznesmenëve tuaj. Unë dua t'i përgëzoj ata për mbijetesën në kushtet e një sistemi korruptiv. Prandaj ne i shpallëm luftë pa kompromis korrupsionit. Cilat janë rezultatet e kësaj lufte. Së pari shkurtuam shpenzimet e administratës, nuk u përdorën paratë publike për interesata private, ia dolëm të conim në parlament një buxhet shtesë. Ky buxhet shtesë ishte 24 përqind e buxhetit të parë, në të njëjtën kohë që taksat u ulën, nuk u rritën. E tërë kjo erdhi si rezultat i luftës kundër korrupsionit, kontrabandës, rezultat i përpjekjeve për të garantuar lirinë e tregut. 2/3 iu rikthyen buxhetit nëpërmjet taksave, 1/3 e kaluam në investime publike.

Qëllimi më madhor i qeverisë sime është ta bëjë Shqipërinë vendin më të lirë për investimet tuaja. Ky është qëllim shumë ambicioz dhe i vështirë për t'u realizuar por plotësisht i mundur. Ne jemi të inkurajuar nga këto që kemi arritur gjatë këtij viti dhe shumë shpejt do të shikoni që do të realizojmë këtë objektiv. Në një vit përgjysmuam taksën e biznesit të vogël, hoqëm taksat për të gjitha makineritë që përdoren për biznesin, ulëm 31 përqind kontributin e sigurimeve shoqërore, kemi ulur 13 perqind taksat mbi të ardhurat dhe ulëm 35 perqind çmimin e energjisë për biznesin. Kemi shpallur nje nisme te re "vendi me taksën e sheshtë më të ulët në Europë".

Por nuk mjafton vetëm kjo. Duhen pëpjekje shumë të më të mëdha se kaq. Në këtë kontekst ne kemi shpallur nismën "Shqipëria një euro" Shqipëria një euro është në radhë të parë një thirrje miqësore ndaj jush, një apel dhe qëndrim miqësor ndaj biznesit në përgjithësi. Partneriteti do të njohë zhvillime shumë serioze. Do të ketë një seri shërbimesh me një euro. Kjo është një paketë e cila do të forcohet gjithnjë e më shumë. Shqipëria një euro do të ishte gjysmake në rast se nuk do të merrte dimensionin e saj kohor më të përshtatshëm, me një euro në një ditë. Kjo është ambicja jonë dhe kemi filluar të punojmë drejt këtij synimi. Pas disa ditësh ne nëshkruajmë një marrëveshje me USAID-in për të krijuar "one stop shop", si një kusht për realizimin e "një euro një ditë".

Ne kemi hequr procedurat burokratike. Unë ju premtoj ju se shumë prej këtyre procedurave do të hiqen përgjithmonë, ndërsa të tjerat do të thjeshtohen në maksimum në mënyrë që ju të mund të gjeni lehtësi maksimale në procedura në Shqipëri.

Shqipëria është një vend plot me minerale, me brigje turistike mahnitëse, ka tregun e punës më të shkëlqyer në Europë. Askush më mirë se ju nuk i njeh dhuntitë e punëve të shqiptarëve. Ne po punojmë dhe për krijimin e parqeve industriale.

Unë ju siguroj se ky është premtimi më i madh i yni. Kam bindjen se vetëm në këtë mënyrë kombi im, i cili pati fatin e trishtë të jetë komb i kohës së ndaluar për një gjysmë shekulli, mund të kapë kohën e humbur dhe së bashku me kombet e tjera të Europës do të ndërtojë të ardhmen që meriton.

Faleminderit për vëmendjen!"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›