E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë shkencore për 100-vjetorin e shkollës së parë shqipe

100 vjetori i çeljes së shkollës së parë shqipe në Myzeqe, në fshatin Libofshë të komunës me të njëjtin emër, rreth 13 km larg Fierit u përkujtua mesditën e djeshme në një konferencë shkencore të organizuar në sallën e kinoteatrit "Bylis" të këtij qyteti. Në këtë konferencë ishin të pranishëm zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Halit Shamata, përfaqësues të pushtetit vendor, mësues, etj. Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Halit Shamata, në fjalën e tij theksoi se "hapja e shkollës së parë shqipe në Libofshë në gusht të vitit 1908 u krye në prag të Kongresit të Manastirit, në prag të ngjarjeve të mëdha që sollën pavarësinë e Shqipërisë. Ne e dimë që nga Durrësi deri në Vlorë, pavarësia kaloi nëpër tokën e zhuritur e të etur për dije të Myzeqesë". "Sot vetëm në rrethin e Fierit ka 1900 arsimtarë, si dhe 303 000 nxënës. Qeveria i jep rëndësi jo vetëm


zhvillimit të arsimit, por dhe përkujtimit të vlerave historike, organizimit të ceremonive që ruajnë në memorien kombëtare vlerat më të çmuara atdhetare, patriotike, arsimore, shkencore dhe kulturore", tha zv/ministri Shamata. Ai shtoi se "Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka investuar në kuadrin e këtij përvjetori 22 milionë lekë për rikonstruksionin bazë themelor të shkollës së parë shqipe të Myzeqesë". Drejtori rajonal i Arsimit në Fier, Tahir Kastrati, u shpreh se "çelja e shkollës së parë të Myzeqesë lindi si një dëshirë e natyrshme e gjithë myzeqarëve për të mësuar, lexuar dhe shkruar gjuhën e mëmës. Intelektualët që vinin nga familjet fisnike shqiptare, për ditë e net të tëra punuan me përkushtim për të projektuar shkollat e para shqipe". "Hapja e shkollës u mbështet nga të gjithë myzeqarët, prandaj sot dhe në të ardhmen ne do të kujtomë me respekt këta burra shqiptarë, që më shumë se çdo gjë tjetër deshën atdheun dhe kombin", tha Kastrati. Shkolla e parë shqipe në Myzeqe u çel në gusht të vitit 1908, ku në shtëpinë e një nëpunësi të thjeshtë të kohës Medi Bej Libohova, mësuesi Jovan Ndreko do të finalizonte ëndrrën e myzeqarëve, të rilindësve dhe patriotëve të nderuar, duke çelur shkollën e parë shqipe me 17 nxënës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›