MMPAU: 180 milionë lekë për pyllëzimin

Të paktën 180 milion lekë do të investohen për shtimin e fondit pyjor në gjithë vendin, në kuadër të programit të pyllëzimit i hartuar nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, e cila këtë muaj ka hapur dhe fushatën tradicionale për mbjelljen e pemëve të reja që përfundon në mars të vitit të ardhshëm. Fondi për pyllëzimin është rritur me 14%, krahasuar me një vit më parë, kur për këtë qëllim u përcaktuan 148 milion lekë, prej të cilave 93 milion nga buxheti i shtetit dhe 55 milion nga Projekti i Zhvillimit të Burimeve Natyrore. Qëllimi i fushatës që sapo ka nisur, tha zëdhënësi i MMPAU, është rimëkëmbja e fondit pyjor, ndërgjegjësimi i opinionit publik në të gjithë vendin për rëndësinë e pyjeve dhe kullotave, nën administrimin e shtetit apo komunave. E veçanta për këtë fushatë pyllëzimesh është përfshirja aktive e komunitetit të biznesit.
Programi për pyllëzimin Në të gjithë vendin, në kuadër të Programit të MMPAU-së, do të mbillen mbi 1 milion fidanë pyjor të llojeve halore dhe fletore. Ndërkohë, do të kryhen mbi 400 ha pyllëzime të reja, gjithashtu do të kryhen mbi 900 ha përmirësime pyjore. Bazuar në Programin e MMPAU-së do të kryhen 2800 metër kub sistemime malore, nga të cilat 1800 metër kub në pyjet komunale. Gjithashtu, me qëllim krijimin e sipërfaqeve të gjelbërta në mjediset e institucioneve publike, private, shkolla, reparte ushtarake, etj, do të mbillen 80 mijë fidanë pyjorë e dekorative, ose rreth 75 mijë fidanë më shumë se në vitin e kaluar. Nga sektori privat, për mbrojtjen e brigjeve të lumenjve nga gërryerjet, do të mbillen rreth 40 mije fidanë pyjore, ose 50% më shumë së vitin e kaluar. Gjatë vitit të kaluar me nismën e sektorit privat për mbrojtjen e brigjeve të lumenjve nga gërryerjet u mbollën rreth 20 mijë fidanë pyjore.
...