Kaçupi- Karaj: Mësimi në kushte të vështira, jemi në pritje të një zgjidhjeje

Rreth 3000 studentë të Shkencave Sociale dhe të Drejtësisë po zhvillojnë mësimin në ambientet e disa fakulteteve, derisa të mundësohet zgjidhja e problemit të godinës ekzistuese të Fakultetit të Drejtësisë. Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Dhori Karaj dhe ai i Fakultetit të Drejtësisë, Skënder Kaçupi, thanë se “për të përballuar emergjencën po shfrytëzojmë ambientet e përzgjedhura nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës”.
Nga dita e djeshme, 1500 studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale janë shpërndarë në ambientet e Kinoklubit të Qytetit "Studenti", në Fakultetin e Histori- Filologjisë, Shkencave të Natyrës dhe një pjesë të shkolla e mesme ”Petro Nini Luarasi”.
“Shpërndarja e studentëve në këto ambiente është një masë emergjente për të mos ndërprerë mësimin. Kushtet e mësimdhënies janë të vështira, jemi në pritje të verifikimit të parametrave inxhinierikë të ndërtesës”, tha Karaj. Ndërsa Kaçupi sqaroi se 1500 studentët e Fakultetit të Drejtësisë po vijojnë mësimin të shpërndarë në Kinoklubin e Qytetit "Studenti" dhe një pjesë tek shkolla e mesme ”Petro Nini Luarasi”. Senati i Universitetit të Tiranës (UT) ka vendosur që Fakulteti i Drejtësisë të transferohet në godinën e kinoklubit të Qytetit "Studenti". Për këtë është marrë edhe miratimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. MASH, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, në mbështetje të vendimit të marrë nga senati i Universitetit të Tiranës (UT), pas evidentimit të rrezikut të shembjes së godinës ekzistuese të fakultetit, e shkaktuar nga shtesa e Fakultetit të Shkencave Sociale, pa respektuar parametrat inxhinierikë, po punojnë për transferimin e Fakultetit të Drejtësisë në Kinoklubin e Qytetit "Studenti". Ndërkohë, MASH i ka kërkuar Ministrisë së Punëve Publike që të caktojë një ekip ekspertësh, që të hartojë një raport ekspertize për të përcaktuar veprimet e mëtejshme, pas të cilave të garantohet veprimtaria normale në fakultetet e Drejtësisë dhe Shkencave Sociale.
...