Berisha: Mijëra ha troje turistike për ish-pronarët
Procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave do të ecë më shpejtësi, pasi qeveria ka evidentuar mijëra hektarë tokë të disponueshme në bregdet. Kryeministri Sali Berisha pati dje si kryefjalë të mbledhjes së qeverisë kompensimin e pronave, duke premtuar se ky proces do të gjejë zgjidhje përfundimtare. Berisha informoi se “një grup ad hoc ka punuar me intensitet për identifikimin e tokave publike në zonat turistike për të kompensuar pronarët shqiptarë”. “Sigurisht që këto troje do të mund të përdoren në përputhje me parimet e platformën e zhvillimit të turizmit, por në këtë mënyrë përdoren sot edhe trojet private, për të cilat ka një përcaktim se si ato dhe cilat prej tyre do të mund të përdoren për zhvillimin e turizmit. Natyrisht, trojet që u ofrohen pronarëve, do të jenë troje që mund të përdoren dhe jo që përjashtohen nga kritere përjashtuese për ndërtime”, - deklaroi Kryeministri Berisha. Këto territore janë evidentuar në bregun e deteve Adriatik dhe Jon, në liqenet e Shkodrës dhe Pogradecit si dhe po shqyrtohen tokat jashtë parkut kombëtar të Dajtit dhe malit të Priskës.
Studimi
Qeveria ka bërë një studim në lidhje me përfundimin e procesit të kompensimit të pronave. Sipas Kryeministrit Berisha, javën e ardhshme në qeveri do të vijnë aktet përfundimtare. “Studimi ka avancuar shumë dhe po shkon drejt finalizimit. Është e domosdoshme që javën e ardhshme të vijnë në qeveri aktet nënligjore të procedurës së këtij procesi. Ne duhet të bëjmë çdo përpjekje për të kompensuar pronarët, sepse ky është një detyrim që rrjedh nga thelbi i këtij sistemi”, - tha Berisha. Ai shtoi se përmbyllja e këtij detyrimi ndaj ish-pronarëve është një detyrim ligjor dhe sulmoi Edi Ramën që sipas tij, i ka mënjanuar nga politika e partisë së tij. “Ne nuk mund t’i themi pronarëve siç u thotë ish-kryetari i bashkisë, shkoni dhe gjeni partinë tuaj. Ne jemi parti e mazhorancë e hapur, por nuk mund të injorojmë në asnjë rast e rrethanë një detyrim absolut ndaj tyre, përndryshe, në qoftë se ne nuk i qëndrojmë plotësisht kthimit dhe kompensimit të saj siç ka përcaktuar Kushtetuta e vendit, por siç e ka në themel edhe Kushtetuta e këtij sistemi, prona nuk do të gjejë ndonjëherë stabilitet në këtë vend”, - tha Berisha. Kryeministri falënderoi për punën Ministrinë e Drejtësisë dhe u shpreh optimist se procesi do të ecë me shpejtësi. “Besoj se me këtë paketë ne ia dalim t’i japim një përgjigje jashtëzakonisht serioze këtij problemi, ndonëse nuk mund të them se shkon në një zgjidhje përfundimtare, por kjo krijon kushte të sigurta dhe nxjerr në horizont zgjidhjen përfundimtare të tij. Natyrisht, përgjigjja më e fuqishme që mund t’i japim dhe që mund ta çojë realisht drejt zgjidhjes këtë çështje, është vënia në dispozicion të këtij procesi të disa mijëra hektarëve troje turistike”, - tha Berisha, duke shtuar se edhe nga privatizimet do të sigurohen 10 për qind të të ardhurave për kompensimin e ish-pronarëve. Në fjalën e mbajtur gjatë mbledhjes së qeverisë, Kryeministri iu përgjigj edhe qortimeve që kanë ardhur në lidhje me këtë proces. Ai u përgjigj duke thënë: “Duke mos injoruar se ka defekte dhe probleme, dua gjithashtu t’ju rikujtoj se është një problem jashtëzakonisht kompleks dhe me një faturë të jashtëzakonshme, por kjo qeveri ka një vullnet të hekurt për të ecur drejt zgjidhjes”.
20 milionë rrënjë ullinj, nis zbatimi i programit kombëtar
Kryeministri Sali Berisha drejtoi dje mbledhjen e Task Forcës për Programin Kombëtar të Ullirit, nga ku u përcaktuan objektivat për zbatimin e projektit për mbjelljen e 20 milionë rrënjëve ullinj. Berisha tha se për realizimin me sukses të këtij projekti madhor janë angazhuar të gjitha institucionet e përfshira në këtë program, si Ministria e Bujqësisë, drejtoritë rajonale të bujqësisë, Universiteti Bujqësor i Tiranës, fermerët dhe prodhuesit e fidanëve të ullirit etj. Mbledhja e djeshme vendosi disa objektiva, si: ngritja e 2 impianteve të prodhimit të fidanëve të ullirit në QTTB-ja Vlorë dhe në bazën eksperimentale të Universitetit Bujqësor të Tiranës, duke përcaktuar paraprakisht termat e referencës që do t’i paraprijnë ndërtimit të tyre, nxitja e sektorit privat në importimin e fidanëve të ullirit, nëpërmjet subvencionimit të fermerëve, përcaktimi i ndarjes zonale të sipërfaqes së gatshme për mbjellje prej 2500 ha, duke zgjedhur varietetet e përshtatshme të ullirit sipas zonave, përcaktimi i parcelave në të cilat do të nisë rindërtimi i ullishtave ekzistuese në disa zona, në bashkëpunim dhe me drejtoritë rajonale të bujqësisë së qarqeve, mundësia e ngritjes së ullishtave intensive dhe superintensive në sipërfaqe të vogla si dhe nxitja e investitorëve të huaj për të investuar në ngritjen e impianteve të fidanëve të ullirit.