Përfundon numërimi në Durrës, njësitë vendore ndahen në mënyrë të barabartë
Durrës- Qarku i Durrësit ndahet në mënyrë të barabartë në njësitë e fituara nga dy koalicionet, por koalicioni “Aleanca për të ardhmen” ka fituar bashkinë më të madhe, atë të Durrësit. Kjo bashki ka qenë e fundit që zyrtarisht është përcaktuar fituesi, pasi diferenca e krijuar në ditën e tretë të numërimit fliste qartë për një fitore të kandidatit Vangjush Dako. Vangjush Dako do të jetë kështu për herë të dytë kryebashkiak, i pari që e drejton bashkinë e qytetit bregdetar për dy mandate rresht. Dako ka fituar në total 33 369 vota, ndërsa Ferdinand Xhaferaj 29 785 vota, duke krijuar në fund një diferencë prej 3 584 votash. Dako ka ardhur në pallatin e sportit “Ramazan Njala” pak para se të numërohej kutia e fundit dhe është pritur me brohorima nga mbështetësit e vet, të cilët kishin mbushur në këtë kohë pallatin e sportit. Janë dashur në fakt katër ditë për numërimin e 165 kutive, ose më saktë plot 72 orë, pasi numërimi në KZAZ nr 8 filloi në orën 12.30 të ditës së hënë. Pas numërimit të kutisë së fundit ka qenë radha e shampanjës, ndërsa kryetari i bashkisë Vangjush Dako ka falënderuar mbështetësit e tij dhe qytetarët që e votuan, duke u shprehur se projektet e tij do të vazhdojnë në përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Këshilli bashkiak, mazhoranca përsëri në anën e djathtë
Duket se këtë radhë kryetari i baskisë, Vangjush Dako, do të duhet ta drejtojë bashkinë duke mos pasur shumicën në këshillin bashkiak. Në muajt e fundit Dako është përballur me bllokimin e shumë projekteve dhe investimeve të bashkisë, ndërsa buxheti i këtij viti nuk është miratuar akoma. Nga votat e marra si subjekte politike, koalicioni “Aleanca për qytetarin” ka marrë 27 139 vota, kurse koalicioni “Aleanca për të ardhmen” ka marrë 25 977. Sipas përllogaritjeve që mund të bëhen për këto shifra, koalicioni i djathtë do të ketë 24 këshilltarë, kurse i majti 21. Të ndarë sipas partive, PD do të ketë 15 këshilltarë, LSI 4, PDIU 4 dhe PR 1. Nga kampi i majtë PS do të ketë 19 këshilltarë, PDK 1 dhe PDS 1. Ajo që duhet theksuar në garën për votat e partive, është fakti se është zhvilluar një garë mjaft e fortë midis PDIU dhe LSI. Të dyja partitë kanë marrë një numër të barabartë votash, me vetëm një votë më shumë në favor të PDIU-së, e cila ka 4 917, kurse LSI 4916. Kjo garë e fortë është reflektuar edhe gjatë orëve të para të mëngjesit të ditës së djeshme, ku numëruesit e PDIU-së dhe LSI-së janë konfliktuar për numërimin e votave, duke bërë që të ndërpritet përkohësisht ky proces. Paraditen e djeshme në pallatin e sportit ka qenë i pranishëm edhe deputeti vlonjat i PDIU-së, Dashamir Tahiri, për të parë sesi po menaxhohet vota për partinë që ai përfaqëson. Sidoqoftë, të dyja këto parti do të kenë nga 4 këshilltarë në këshillin bashkiak, por vihet re se ka një rënie të djeshme të votave për Partinë Demokratike në Durrës, çka shpjegohet se shumë votues të mëparshëm të PD-së, në këto zgjedhje kanë votuar PDIU-në.
Rang qarku, barazim i plotë
Secili nga koalicionet në qarkun e Durrësit ka fituar nga 3 bashki dhe 5 komuna. Koalicioni “Aleanca për të ardhmen” sigurisht që ka fituar bashkinë më të madhe, atë të Durrësit, por raportet në këshillin e qarkut mund të ndryshojnë në favor të koalicionit të djathtë, pasi në total ky koalicion ka më shumë vota. Koalicioni “Aleanca për të ardhmen” ka fituar bashkitë e Durrësit, Shijakut dhe Fushë-Krujës. Ndërsa komunat e fituara nga të majtët janë: Maminasi, Ishmi, Thumana, Nikla dhe Bubqi. Koalicioni “Aleanca për qytetarin” ka fituar bashkitë e Sukthit, Manzës, Krujës, si dhe komunat Rrashbull, Xhafzotaj, Katund i Ri, Gjepalaj dhe Cudhi.