Konfindustria: Falja fiskale, kush përfiton, kush përjashtohet
Konfindustria u ka sqaruar përfaqësuesve të qeverisë projektin e propozuar prej saj për Faljen Fiskale, në një takim që kishin ditët e fundit. Paketa përmbledhëse për Parimet Mbështetëse dhe Skemën Financiare të Faljes Fiskale parashikohen përjashtime. Siç bën të ditur në një njoftim shtypi Konfindustria, takimi u zhvillua në selinë së Konfindustrisë dhe morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Financave, Ministrisë së Ekonomisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, deputetë të Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste, Prokuroria e Përgjithshme, të ftuar nga bota akademike dhe universitarë, profesionistë të fushës fiskale dhe ligjit etj. Takimi u zhvillua pa praninë e medias dhe ajo që mësohet nga njoftimi i Konfindustrisë është se Gjergj Buxhuku, administratori i Përgjithshëm i Konfindustrisë, paraqiti në mënyrë të përmbledhur Paketën me Parimet Mbështetëse dhe Skemat Financiare të zbatimit të Faljes Fiskale. Në fjalën e tij, ai sqaroi se përgatitja e Paketës për Faljen Fiskale u krye nga Konfindustria gjatë një kohë pune prej 3 muajsh, duke u mbështetur njëkohësisht në mendimet e përfaqësuesve të rëndësishëm të industrive shqiptare, në bashkëpunim me institucionet partnere në Itali, përvojën e vendeve të tjera, mendimin akademik të disa specialistëve të njohur ndërkombëtarë, si dhe ballafaqimin me kushtet e tashmë të Shqipërisë. Nga të pranishmit u pranua se Falja Fiskale në Shqipëri është e nevojshme për tu kryer dhe njëkohësisht duhet të përshkohet nga parimi i moralitetit i paraqitur nga Konfindustria. Kjo do të thotë, se duhet të përjashtohen nga Falja Fiskale: përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë (gjyqtarë dhe prokurorë) dhe individët drejtues të institucioneve kushtetuese, që kanë qëndruar në detyrë të paktën për 6 muaj. Gjithashtu, parim tjetër i rëndësishëm i paraqitur ishte se procesi duhet të jetë i fundmë, si dhe duhet të shoqërohet me shtrëngim të ligjeve për ndëshkimin e subjekteve dhe individëve, që nuk do të përfitojnë nga falja fiskale. Ndërkohë u pranua rëndësia e vënë nga Konfindustria, se detyrimisht me Faljen Fiskale u duhet dhënë mundësia ligjore dhe teknike qytetarëve shqiptarë për të kryer vetëdeklarimin e të ardhurave personale, përndryshe rrezikohet procesi në afatgjatë. Parim tjetër i rëndësishëm në zbatimin me sukses të procesit është parashikimi me ligj i kushtit të mbajtjes së fshehtësisë së plotë të të dhënave personale për individë dhe subjektet e përfshira.
Konfindustria paraqiti në takim propozimet e saj për zbatimin e parimit të - konkurrueshmërisë me vendet e tjera të rajonit, që kanë kryer dhe po përgatiten për të kryer Falje Fiskale. Në këtë kuptim është parashikuar, që të kërkohet zbatimi i gjobës së njëjtë prej 3%, 5% dhe 8% pavarësisht shpejtësisë së përfshirjes në procesin e faljes fiskale. Viti i zbatimit është kërkuar të jetë jo më i shkurtër se 1 vit kalendarik dhe i ndarë në 3 hapësira kohore, që do të përcaktojnë dhe masën e penalitetit të paraqitur më sipër.
Konfindustria së shpejti do të dërgojë zyrtarisht pranë ekzekutivit dhe vendimmarrjes politike Paketën për Parimet Mbështetëse dhe Skemën Financiare të Faljes Fiskale.