E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makinat, heqja e doganës aplikohet në shtator

05/04/2010 Duke pasur parasysh afatet kohore për miratim, taksa e re zbatohet në shtator

Heqja e doganës për importimin e makinave dhe aplikimi i taksës së re të mjedisit për shitjen e tyre parashikohet të hyjë në fuqi rreth muajit shtator. Duke pasur parasysh afatet e nevojshme, si dhe debatet që mund të hapë diskutimi i këtij ligji në Parlament, muaji më i përshtatshëm për hyrjen në fuqi të tij do të jetë shtatori. Tashmë projektligji është bërë gati nga Ministria e Financave dhe pritet kalimi i tij në Qeveri. Vetëm pasi kjo e fundit të japë miratimin, projektligji në fjalë do t’u kalojë për shqyrtim komisioneve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë. Pasi këto të fundit të jenë shprehur pro tij, projektligji do të kalojë në votim dhe do të hyjë në fuqi, pasi të jetë botuar në Fletoren Zyrtare. Formula e re e financave ndryshon në përcaktimin e koeficientit për llogaritjen e taksës së shitjes së makinës. Deri tani, për llogaritjen e doganës së makinës llogaritej cilindrata e motorit, taksa fikse për karburantin që përdor makina dhe koeficienti i vitit të prodhimit. Ligji parashikonte që koeficienti për makinat të prodhuara para 10 viteve të ishte 0.0048, ndërsa koeficientët e tjerë ulen çdo tre vjet. Taksa e re e propozuar nga financat parashikon një koeficient fiks prej 0.5 për çdo vit vjetërsie të makinës. Ky koeficient do të përdoret edhe për llogaritjen e taksës së mjedisit për makinat që shiten brenda Shqipërisë. Pra, me formulën e re llogaritja do të bëhet vjetërsi X 0.5 X fuqi motorike X 20 lekë (benzinë), 25 lekë (naftë). Për makinat që kanë paguar doganë dhe që qytetarët i shesin pas përdorimit për një kohë në vend kjo taksë do të llogaritet duke zbritur nga tatimi i mjedisit vlerën e doganës që është paguar për makinën. Gjithashtu mësohet se taksa e karburantit caktohet në masën 1.5 lekë për litër për mjetet që përdorin benzinë dhe benzol dhe 2 lekë për litër për gazoilin. Ndërsa për mjetet që punojnë me qymyr guri taksa do të jetë 3 lekë për litër. Kjo taksë do të aplikohet për të gjitha lëndët djegëse. Sipas të dhënave më të fundit nga Ministria e Financave, të ardhurat gjatë vitit 2009 nga importi i makinave kanë arritur në nivelin e 2.9 miliardë lekëve.

Formula

Projektligji i ri do të ndryshojë rrënjësisht mënyrën e llogaritjes së taksimit të makinave që hyjnë në vendin tonë. Sipas formulës së re, që është vjetërsi X 0.5 X fuqi motorike X 20 lekë (benzinë), 25 lekë (naftë), shuma që do të paguajnë qytetarët do të jetë shumë e ndryshme nga ajo që paguhet aktualisht. Në rast se llogaritet me formulën aktuale, një makinë e prodhuar në vitin 2008, me cilindratë 2500 kubik dhe që hyn sot në territorin shqiptar, pagesa do të llogaritet: taksa fikse x cilindrata e motorit x koeficienti i viteve të përdorimit. Sipas kësaj formule, dogana do të llogaritej: 25000 x 2500 x 0.0024 dhe në fund del se pronari i mjetit duhet të paguajë 150 mijë lekë. Ndërsa me formulën re shuma që duhet të paguajë pronari i mjetit është shumë më e ulët se kjo aktuale. Pra, formula llogaritet: taksë fikse x cilindrata e motorit x koeficienti i viteve të përdorimit, 0.5 në vit, që do të thotë 25 x 2500 x 0.5 x 2 vite. Me këtë formulë pronari do të paguajë vetëm 62500 lekë.

Detyrimi në zbatim të MSA-së

Financat, pse do të hiqet taksa doganore

Në respektim të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, Qeveria shqiptare parashikon të zëvendësojë taksën doganore për importin e makinave me taksën e mjedisit për tregtimin e automjeteve të përdorura. Projekti, që pritet të konfirmohet edhe nga BE-ja, është pjesë e detyrimeve për tregtinë e lirë. Pra, Shqipëria, nuk mund të vendosë detyrime tatimore shtesë për produktet që vijnë nga vendet e BE-së. Për të eliminuar humbjet që do të vijnë nga heqja e doganës së makinës, financat kanë gjetur një tjetër mënyrë: atë të aplikimit të taksës së mjedisit. Duke pasur si synim mbrojtjen e mjedisit, financat kanë propozuar një lloj tjetër detyrimi për ata që blejnë makina të përdorura nga jashtë. Por ky detyrim i ri do të përdoret edhe për shitjen e makinave brenda vendit. Në relacionin e ligjit shpjegohet qartë se taksa e re do të përdoret edhe për tregtimin e makinave brenda vendit. "Mjetet e transportit nuk do të taksohen me tarifa fikse, por në varësi të cilindratës, vjetërsisë dhe llojit të karburantit. Gjithashtu, taksimi do të përdoret në të gjitha shitjet e njëpasnjëshme që mund të pësojë një mjet, duke përfshirë edhe shitjet brenda vendit. Në këtë mënyrë taksa e derisotme e importimit të mjeteve të përdorura nuk do të jetë taksë me efekt të njëjtë me taksën doganore, duke e sjellë taksimin në linjë me angazhimet që kemi ndaj MSA-së apo OBT-së”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›