Institucionet e pavarura, kundër Prokurorisë
Tri institucione të pavarura kanë akuzuar direkt prokurorinë për moskryerje si duhet të detyrës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Kontrolli i Lartë i shtetit i kanë bërë kritikat e tyre publike gjatë prezantimit të raporteve vjetore të punës së tyre në komisionet parlamentare. Kreu i LQZ-së, Arben Ristani, ka pohuar në Komisionin e Ligjeve se Prokuroria e Fierit ka vepruar me dy standarde. Sipas tij, organi i akuzës ka ndjekur rrugë të ndryshme për dy kallëzime penale për të njëjtën çështje, atë të KQZ-së që nuk ka ende një përgjigje dhe atë të komisionerëve socialistë. KQZ ka kallëzuar penalisht komisionerët socialistë, që në mënyrë flagrante me Kodin Zgjedhor, bllokuan procesin elektoral, duke marrë me vete vulën e qendrës së votimit. Duhet një veprim më i fortë dhe i shpejtë i prokurorisë. Unë deri tani kam konstatuar një veprim jo të barabartë në rastin e një hetimi në Fier. Kallëzimi që KQZ-ja ka bërë në shkeljet e ligjit, nuk është trajtuar njësoj me komisionerët e asaj qendre. Janë dy standarde të përdorura në këtë rast, - ka pohuar Ristani lidhur me qëndrimin e organit të akuzës ndaj kallëzimeve penale për bllokimin e procesit zgjedhor gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit. Akuzat kanë vijuar më tej edhe nga ILDKP. Kryeinspektori Adriatik Llalla ka deklaruar po në Komisionin e Ligjeve se prokuroria ka pushuar pa të drejtoje hetimin për tre zyrtarë të lartë. ILDKP ka vënë re se organi i prokurorisë aplikon standarde të ndryshme për raste të ngjashme. Pavarësisht se nga ana formale procesi i hetimit administrativ është i njëjtë për të gjitha rastet, ILDK konstaton se për zyrtarët kryesisht lokalë prokuroria ka bërë një punë serioze për dërgimin e çështjes për gjykim, por kjo iniciativë nuk vihet re kur ILDK kallëzon penalisht zyrtarë të nivelit të lartë e që vërtetohet se nuk justifikojnë legjitimitetin e pasurive disa milionëshe, - ka deklaruar Llalla. Sipas tij, nga 15 kërkesa për nisjen procedimit penal, 11 kanë përfunduar nga të 8 procedime janë dërguar për gjykim ndërsa 2-3 procedime janë pushuar. Ndërkohë që kreu i KLSH-së, Robert Çeku, i ka cilësuar prokurorët si të paaftë sidomos në çështje ekonomike. Gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë, ai ka pohuar se KLSH ka bërë 9 kallëzime penale, për një total dëmi të shkaktuar prej 110 milionë dollarësh, por prokuroria nuk i ka ndjekur këto denoncime. Ka një nivel të dobët profesional, kuptojnë pak ose aspak nga problemet e ekonomisë. Ka pasur raste kur prokurorë të rretheve i kanë pushuar çështjet e ngritura dhe argumentimet kanë qenë të dobëta, ndaj jemi detyruar që të bëjmë rekurs në Gjykatën e Lartë, - është shprehur Çeku.