E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet private, kriteret për pranimet e reja

08/08/2011  MASH, shpall udhëzimin mbi procedurën që duhet ndjekur

Manuali këshillues, gjithçka duhet të dini për programet studimore e ato master në privat

Krahas paketës së këshillave të vëna në dispozicion të maturantëve apo kandidatëve të tjerë që duan të vijojnë studimet e larta në një nga universitete private në vend Ministria e Arsimit ka përcaktuar rregullat që këto të fundit duhet të ndjekin për pranimet gjatë vitit të ri akademik. Një ndër kushtet themelore që universitetet duhet të respektojnë gjatë këtij viti është detyrimi i vendosur për marrjen e notave kaluese në katër provimet e maturës 2011 nga maturantët. Po ashtu këto struktura duhet të përcaktojnë dhe afatet e caktuara për kryerjen e regjistrimeve qofshin këto në programet e ciklit të parë, ashtu dhe në ato të profilit “master”. Me mbylljen e afateve të përcaktuara, këto struktura duhet të bëjnë edhe një raportim nëpërmjet dorëzimit të listave të pranimeve në Agjencinë Kombëtare të Provimeve, ku do të bëhet verifikimi i tyre, në mënyrë që të mos lejohen abuzimet gjatë ecurisë së regjistrimeve. Sipas udhëzimit të shpallur nga Ministria e Arsimit, bëhet me dije se aplikimi për regjistrimet në programet e ciklit të parë dhe në programet e studimeve të ciklit të dytë të integruar në strukturat private të arsimit të lartë duhet të përfundojë deri më datën 15 dhjetor. Sikundër ndodh në strukturat publike, për regjistrimet do të kryhen nëpërmjet dosjes së aplikimit, në të cilën depozitohen një sërë dokumentesh që faktojnë të drejtën për marrjen e statusit të studentit. Për rastet kur kandidatët nuk kanë dëftesën origjinale të pjekurisë, ata mund të paraqesin edhe dublikatën e saj të marrë pranë drejtorive dhe zyrave arsimore të çdo rrethi. Me mbylljen e procedurave të regjistrimeve deri në datën e përcaktuar, të gjitha këto struktura duhet të hartojnë listat zyrtare me kandidatët e pranuar në degët përkatëse, listë të cilën brenda datës 24 dhjetor duhet ta depozitojnë në ambientet e Agjencisë Kombëtare të Pranimeve, e cila pas verifikimit të tyre e dërgon mbrapsht listën e të pranuarve, të cilëve u janë përcaktuar tashmë edhe numrat e matrikulimit, të cilat do të përdoren gjatë gjithë shkollës për identifikimin e tyre. Po në këtë linjë do të operohet edhe për regjistrimet që do të kryhen në programet e tjera të studimeve, siç janë ato të masterit profesional ose shkencor. Njëkohësisht udhëzimi saktëson se dhe për vitin e ri akademik do të lejohet transferimi i studimeve të larta nga strukturat publike në ato private sipas kërkesave dhe kritereve të përcaktuara ndërmjet institucioneve pritëse. Për çdo veprim të kryer duhet të bëhet zbardhja e tij nëpërmjet raportimit të çdo lëvizjeje në strukturat e arsimit.

Kriteri i pranimit

Notat kaluese në katër provimet e maturës 2011 do të jenë kushti bazë për regjistrimet në universitete private gjatë vitit të ri akademik. Në rregulloren e re të pranimeve në universitete është vendosur si kusht pranimi edhe për strukturat private marrja e notave kaluese në katër testimet e maturës, pasi vetëm në këtë rast maturanti është pajisur me diplomën, e cila konfirmon mbarimin e shkollës së mesme. Ndërsa për kandidatët që i kanë kryer studimet para 2011-s ky rregull nuk do të vlejë, çka do të thotë se mund të aplikojnë për ndjekjen e studimeve të larta në këto struktura.

Rregullat për regjistrimet

Pranimet për programet e ciklit të parë dhe të dytë në universitete private duhet të kryhen deri më 15 dhjetor.

Regjistrimi bëhet nëpërmjet dosjes, e cila duhet të ketë:

- Diplomën e maturës shtetërore së bashku me certifikatën e notave, ose dëftesën e shkollës së mesme të fituar jashtë vendit, të vlerësuar e të barasvlershme me të në Shqipëri.

- Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para 2011-s duhet të dorëzojnë dëftesën e pjekurisë së shkollës së mesme.

- Dokumentin e identifikimit (kartë identiteti, pasaportë ose letërnjoftim). Në dosje mbahet vetëm fotokopja e dokumentit përkatës si dhe dy fotografi.

- Shtetasit e huaj duhet të paraqesin lejen e qëndrimit në Shqipëri (kopje e noterizuar)

Programet “Master”

- Ndërsa aplikimi për regjistrimet në programet e ciklit të dytë “Master i shkencave”; ose “Master i arteve të bukura” dhe “Master profesiona” do të kryhet në afate të vendosua nga vetë strukturat private të arsimit të lartë. Për të bërë regjistrimin në këto programe do të kërkohen:

- Kopje e noterizuar e diplomës së lëshuar në përfundim të programeve të studimit të ciklit të parë të shoqëruar me listën origjinale të notave. - Dokument identifikimi (kartë identiteti, pasaportë). Edhe në këtë rast në dosje mbahet vetëm fotokopja e dokumentit.

- Dy fotografi si dhe lejen e qëndrimit për të huaj që duan të vijojnë këtë cikël studimesh në këto programe të arsimit të lartë privat të licencuar.

Si të zgjedhim shkollën e lartë?

Për shkollat e larta private

Çfarë duhet të dini që zgjedhja juaj të jetë sa më e drejtë?

1) Mbi statusin ligjor të shkollës së lartë dhe të programit të studimit

Shkollat e larta dhe programet e studimit duhet të jenë të licencuara me vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Pas licencimit shkollat e larta dhe programet akreditohen nga Këshilli i Akreditimit me urdhër të ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

Prandaj përpara zgjedhjes:

- Kërkoni nga shkolla e lartë vendimin për licencimin e programit të studimit si dhe urdhrin e ministrit për akreditimin e programit.

- Sigurohuni që programi i studimit të jetë i akredituar përpara lëshimit të diplomës.

- Klikoni gjithmonë faqen e internetit të APAAL www.aaal.edu.al dhe/ose (www.mash.gov.al) për të parë statusin ligjor të institucionit.

- Pyetni nëse kreditet (ECTS) që fitoni aty janë të transferueshme brenda ose jashtë vendit.

- Pyetni nëse programi bën pjesë në profesionet e rregulluara.

- Interesohuni për mundësinë e punësimit pas përfundimit të studimeve dhe sa për qind e të diplomuarve në programin përkatës janë punësuar.

2) Mbi tarifën e shkollës dhe formën e pagesës

Shkollat e larta duhet të vendosin tarifa shkollimi sipas cilësisë së diplomës që ofrojnë.

Prandaj:

- Informohuni për tarifat e shkollimit dhe për format e pagesës së tyre.

- Tarifat nuk paguhen pa u ofruar shërbimi dhe jo njëherësh për të gjithë programin e studimit.

- Tarifa të favorshme janë tarifat që do të paguhen me këste.

3) Mbi lidhjen e kontratës

Nëse ju vendosni të studioni në një shkollë të lartë private, kontrata që lidhet mes jush dhe shkollës duhet të jetë në favorin tuaj.

Prandaj:

- Sigurohuni që kontrata të lidhet në prani të një noteri.

- Kërkoni që kontrata të ketë terma të qartë mbi shërbimin që do të merrni si dhe për format e pagesës së tarifës së shkollimit.

- Kërkoni që në kontratë të vendosen kushtet për të drejtën e çregjistrimit tuaj, nëse shkolla e lartë nuk përmbush detyrat e përcaktuara në të.

- Interesohuni për detyrimet që ka shkolla e lartë ndaj jush, nëse ajo për shkaqe të ndryshme ndërpret veprimtarinë e saj.

4) Mbi profesoratin e shkollës

Shkolla e lartë duhet të ketë pedagogë të kualifikuar, me tituj “Master”, “Doktor” e “Profesor”.

Prandaj:

- Njihuni me pedagogët e lëndëve të profesionit.

- Pyetni studentët aktualë nëse janë të kënaqur me pedagogët.

- Njihuni me numrin e pedagogëve të punësuar me kohë të plotë dhe kualifikimin e tyre.

- Pyetni për tekstet mësimore që përdorin pedagogët dhe për çmimet e teksteve.

5) Mbi përshtatshmërinë e mjedisit

Mjedisi shkollor duhet të akomodojë të gjitha nevojat për studim të studentëve, për të gjitha programet e studimit që ofrohen. Për programet e mjekësisë, të inxhinierisë e të shkencave natyrore shkolla e lartë duhet të zotërojë laboratorë për orët e praktikës. Biblioteka duhet të këtë literaturë të përdorshme në orën e mësimit dhe on-line.

Përpara se të zgjidhni, vizitoni sallat, laboratorët dhe bibliotekën, mjediset e praktikave mësimore dhe lidhjen me internet për të gjithë shkollën.

6) Mbi kujdesin ndaj studentëve

Informohuni nga shkolla si dhe pyetni studentët aktualë:

- Si funksionojnë programet e tutoriatit, këshilli studentor dhe zyrat e

këshillimit të studentëve?

- A janë të kënaqur me shkollën që kanë zgjedhur?

Si të zgjedhim programin “master”?

Programet e studimit të ciklit të dytë përfundojnë me diplomë “Master”. Ky program studimi i përgatit studentët për tregun e punës dhe për studime te mëtejshme.

Çfarë duhet të dini përpara zgjedhjes së programit?

Për shkollat e larta publike e private

1) Mbi programin e studimit

Kriteret e pranimit vendosen nga shkolla e lartë, ndërsa kuotat e pranimit për shkollat publike vendosen nga MASH. Për studimet e ciklit të dytë nuk ka kufizime të moshës apo të kohës që nga diplomimi në ciklin e parë (bachelor). Duke plotësuar kriteret ju mund të studioni edhe degë të përafërta ose të ndryshme nga ajo e ciklit të parë të studimeve.

Profesionet e rregulluara, si: mjekësia, stomatologjia, farmacia, mësuesia, arkitektura, veterinaria, mami, infermieria, fizioterapia dhe inxhinieria, kërkojnë përfundimin e një programi të ciklit të dytë përpara dhënies së provimit të shtetit.

Përpara zgjedhjes:

- Bazuar në interesat tuaja për të ardhmen, sigurohuni mbi domosdoshmërinë e studimit të një programi “master’ dhe pyetni sa studentë diplomohen në këtë program dhe sa prej tyre janë punësuar.

- Informohuni mbi bashkëpunimin ndërkombëtar të shkollës si dhe për mundësinë e transferimit të studimeve apo krediteve tuaja në shkolla të tjera brenda apo jashtë vendit.

- Informohuni mirë mbi llojin e programin të studimit për të cilin keni nevojë. Referojuni tabelës së mëposhtme:

Master i shkencave Master profesional

Qëllimi Njohuri të thelluara, teorike dhe praktike si dhe trajnim për kërkim shkencor Formim të mirëfilltë profesional në përshtatje me kërkesat e tregut të punës.

Kushti i hyrjes Së paku “bachelor” Së paku “bachelor”

Kohëzgjatja Së paku 2 vjet akademike Së paku 1.5 vjet akademik

Kreditet 120 ECTS 60-90 ECTS

Një nga Kushtet e diplomimit Gjuha angleze - mbrojtja me teste të njohura ndërkombëtare në nivelin C1 Gjuha angleze - mbrojtja me teste të njohura ndërkombëtare në nivelin B2

Vazhdimi Studime të doktoratës (Dr.) ose punësim Punësim ose studime të mëtejshme

2) Mbi profesoratin e shkollës

Shkolla e lartë duhet të ketë pedagogë të kualifikuar, me tituj akademikë si “Doktor”, “Profesor i asociuar” dhe “Profesor”.

- Interesohuni për pedagogët e lëndëve të profesionit si dhe botimet e tyre. A japin mësim pedagoge të huaj?

- Pyetni studentët aktual nëse janë të kënaqur me pedagogët.

- Pyetni për tekstet mësimore që përdorin pedagogët dhe për çmimet e tyre.

3) Mbi kujdesin ndaj studentëve

Informohuni nga shkolla si dhe pyetni studentët aktualë:

- Si funksionojnë programet e udhëheqjes, mbrojta e temës dhe zyra e këshillimit të karrierës.

- A janë studentët aktualë të kënaqur me shkollën që kanë zgjedhur?

- Vizitoni sallat, laboratorët dhe bibliotekën, mjediset e praktikave mësimore dhe

lidhjen me internet për të gjithë shkollën.

- Informohuni mbi tarifat e studimeve.

Të veçanta për shkollat e larta private

1) Mbi statusin ligjor të shkollës së lartë dhe të programit të studimit.

Shkollat e larta dhe programet e studimit duhet të jenë të licencuara me vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Pas licencimit shkollat e larta dhe programet akreditohen nga Këshilli i Akreditimit me urdhër të ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

Prandaj,përpara zgjedhjes:

- Kërkoni nga shkolla e lartë vendimin për licencimin e programit të studimit si dhe urdhrin e ministrit për akreditimin e programit.

- Sigurohuni që programi i studimit të jetë i akredituar përpara lëshimit të diplomës.

- Klikoni gjithmonë faqen e internetit të APAAL www.aaal.edu.al dhe/ose (www.mash.gov.al) për të parë statusin ligjor të institucionit.

- Pyetni nëse kreditet (ECTS) që fitoni aty janë të transferueshme në shkolla të tjera të larta brenda ose jashtë vendit.

2) Mbi lidhjen e kontratës

Nëse ju vendosni të studioni në një shkollë të lartë private, kontrata që lidhet mes jush dhe shkollës të jetë në favorin tuaj. Mos filloni studimet pa kontratë!

- Sigurohuni që kontrata të lidhet përpara fillimit të studimeve në prani të noterit, të ketë terma të qartë për shërbimin që do të merrni, si dhe për format e pagesës së tarifës së shkollimit.

- Sapo të regjistroheni, kërkoni numrin e matrikulimit. Ky numër del edhe në diplomën tuaj.

- Tarifa e shkollimi vendoset sipas cilësisë së diplomës që ofrojnë dhe nuk paguhet përpara marrjes se shërbimit. Kërkoni që në kontratë të vendosen kushtet për të drejtën e çregjistrimit tuaj, nëse shkolla e lartë nuk përmbush detyrat e përcaktuara në të.

- Interesohuni për detyrimet që ka shkolla e lartë ndaj jush, nëse ajo për shkaqe të ndryshme ndërpret veprimtarinë e saj.

- Nëse konstatoni se shkolla e lartë nuk ofron cilësinë e premtuar të studimeve dhe kushtet e parashkruara në kontratë, kërkoni menjëherë të çregjistroheni.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›