E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfindustria: Qeveria mos ta lëshojë dorën me dëmshpërblimet e të përmbyturve

Tiranë, 19 janar, NOA - Konfindustria i ka kërkuar
qeverisë shqiptare përmes një deklarate për shtyp, që ajo të jetë e përmbajtur
në ndërtimin e faturës financiare për dëmshpërblim të pasojave të përmbytjeve.

Qeveria duhet të shkëputet nga veprimet me
natyrë të pastër populiste, që dëmtojnë në thelb zhvillimin ekonomik të vendit
dhe interesat publike në afatgjatë, thuhet konkretisht në këtë deklaratë.

Më tek, drejtuesit e Konfindustrias vlerësojnë
se çdo përfshirje në faturën e dëmshpërblimeve të ndërtesave të ndërtuara në mënyrë
të paligjshme përveç shpërdorimit të parave publike do të shërbente për të
nxitur edhe më tej dukurinë shkatërrimtare të ndërtimeve të paligjshme, në zona
të rrezikuara si dhe përsëritjen e fatkeqësive në të ardhmen.

Por Konfindustria shpreh qëndrimin e saj për dëmshpërblim
të plotë të pasurive bujqësore dhe blegtorale të popullsisë së dëmtuar në zonat
e përmbytjeve përfshi edhe vlerën e dëmtimit në banesat e ndërtuara në mënyrë të
ligjshme si dhe në zona të klasifikuara jo të rrezikuara në kushte normale, citojnë
më tej këta drejtues..

Sipas tyre, qeveria dhe vendimarrja politike në
përgjithësi duhet të kuptojnë qartë dhe sa më shpejt, se është krejtësisht e e
papranueshme, që taksat e qytetarëve shqiptare të shkojnë për të dëmshpërblyer
pronarët e ndërtimeve të paligjshme në zona të rrezikuara, të banimit,
bizneseve dhe hoteleve turistike etj, përfshi edhe ndërtimet e kryera me lejet
e marra në mënyrë korruptive dhe në kundërshtim të plotë me standartet e
lejueshme në fuqi.

Keqadministrimi dhe moskontrolli skajor i
territorit deri në formën e rënies së plotë të autoritetit shtetëror, shfaqur
me lejimin e ndërtimeve të paligjshme, tërësisht jashtë standarteve të qindra e
qindra shtëpive në zona qartësisht dhe historikisht të palejueshme për ndërtim
bëjnë, që fatura financiare të rëndohet në mënyrë të papranueshme.

Sipas të dhënave bëhet fjalë për mbi 60% të ndërtimeve
të përmbytura në zonën e NënShkodrës dhe bregdetit të Lezhës të ndërtuara në mënyrë
të paligjshme dhe në zona historikisht të rrezikuara, përfundon deklarata e
Konfindustrias lidhur me një fakt të tillë.

n.e/NOA

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›