Spanja mbështet Shqipërinë në promovimin e barazisë gjinore

Tiranë, 18 janar NOA - Prezantimi i librit
Promovimi i barazisë gjinore dhe të drejtave të njeriut, Qytetaria, Dhuna në
familje, Integrimi Europian, Media, Shëndeti Riprodhues, Zhvillimi i Karrierës
dhe Mjedisi është bërë sot, në kuadër të projektit Libri im i barazisë
gjinore: promovimi i barazisë gjinore në shkollat e mesme.
Projekti, është financuar nga Agjencia
Spanjolle e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim dhe është implementuar nga
OJF-ja shqiptare, GADC, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim.
Në këtë aktivitet mori pjesë Ambasadori i
Spanjës në Shqipëri, Z. Manuel Montobbio, Zv/Ministrja e Arsimit Nora Malaj dhe
Zv/Ministrja e Punëve, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Filloreta
Kodra. Ambasadori i Spanjës në Shqipëri në fjalën e tij vuri në dukje rëndësinë
e këtij projekti në radhë të parë për promovimin e barazisë gjinore, për të
cilin rol të rëndësishëm luan edukimi, si dhe për integrimin e Shqipërisë në BE
duke afirmuar angazhimin e Spanjë globalisht dhe nëpërmjet bashkëpunimit për
zhvillim. Pasi bëri një panoramë globale të veprimtarisë së Spanjës në këtë
fushë duke paraqitur komplementimin e këtij aktiviteti me iniciativa të tjera
të ndërmarra, Ambasadori Montobbio theksoi se duke filluar nga dita e sotme ky
material është disponibël dhe mund të përdoret në të gjithë potencialitetin e
tij nga sistemi edukativ shqiptar, duke futur një këndvështrim gjinor në të
gjitha kurrikulat dhe tekstet e shkollore.
Nga ana e saj, Zv/Ministrja e Arsimit, Nora
Malaj, vuri në dukje se barazia gjinore është hapi i parë drejt cilësisë
sociale në Shqipëri dhe falënderoi për bashkëpunimin e Spanjës në këtë projekt.
Zv/Ministrja e Punëve, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Filloreta
Kodra shprehu falënderimet e saj për ndihmën e Spanjës për promovimin e barazisë
gjinore dhe shprehu vullnetin e ministrisë që përfaqëson, për të konkretizuar
këto iniciativa në veprime dhe programe konkrete.
Në këtë ceremoni, morën pjesë specialistë
akademikë të çështjeve sociale dhe të studimeve gjinore, përfaqësues të
shoqërisë civile dhe aktorë të tjerë që punojnë në Shqipëri për forcimin e
perspektivës gjinore, si edhe profesorë të shkollave të mesme.
Qëllimi kryesor i projektit është forcimi i
rolit të shoqërisë civile në mbështetje të politikave strategjike shtetërore
për të promovuar aksesin e grave në arsimimin cilësor, ku përmirësimi i
programeve shkollorë që nxisin barazinë gjinore, si dhe përmirësimi i pjesëmarrjes
së grave në mësimdhënie, planifikim dhe menaxhim të arsimimit, është një nga
objektivat kryesore.
Fillimi i këtij programi ekstra-kurrikular në
shkollat e mesme, synon që pjesëmarrësit, mësuesit dhe publiku të njihen me rëndësinë
e implementimit të programeve për sensibilizimin gjinor si dhe të prezantojë
përmbajtjen e programit për profesorët dhe nxënësit.
Ky program përbëhet nga kapituj të shumtë si:
Përkatësia Gjinore dhe të Drejtat e Njeriut, Qytetaria, Dhuna në familje,
Integrimi Europian, Media, Shëndeti riprodhues, Zhvillimi i Karrierës, Mjedisi.
e.r/NOA