E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfindustria: Rritja e çmimit të naftës, rrezikon buxhetin

Konfindustria paraqet shqetësimin, se rritja e shpejtë e çmimit të karburanteve rrezikon seriozisht pritshmëritë e parashikuara në buxhetin e shtetit në vitin 2011 për rritje ekonomike prej 5.5% të PPB. Në një deklaratë për shtyp Konfindustria thekson se industritë vendore të prodhimit dhe shërbimeve në kushtet e mësipërme parashikohen të jenë sektoret më të prekur të ekonomisë kombëtare.
 

“Konfindustria vlerëson, se një nga shkaqet kryesore për përfundimin e mësipërm është rënia e aftësisë konkurruese të ekonomisë prodhuese të vendit krahësimisht konkurrentëve tanë tregtare në rajon dhe më gjerë si pasojë e ndikimit të mungesës së plotë të kontrollit të tregut të karburanteve jo vetëm në "çmim", por mbi të gjitha në "cilësine" e karburanteve” thuhet në deklaratë.
 

“Të marra në tërësi, pasojat e ardhura nga mungesa e rregullimit të tregut të karburanteve shkaktojnë rritje kostosh krejtësisht të paarsyeshme për biznesin, qytetarët dhe ekonominë kombëtare në tërësi në shifra, që tejkalojnë 150 milionë euro/vit. Shifrat e mësipërme nuk përfshijnë pasojat në makineri, pajisje, mjedis dhe shendetësi, që shkaktohen nga cilësia e karburanteve në qarkullim në tregun shqiptar, që në tërësinë e tyre shumëfishojnë humbjet ekonomike për biznesin dhe qytetarët. Tregu i karburanteve në Shqipëri është tregu më i madh ne vend me një qarkullim vjetor 850 milionë -1 miliard euro/vit dhe me ndikim të fuqishëm në qëndrueshmërinë dhe zhvillimin ekonomik teresor” thekson konfindustria.
 

Gjithashtu Konfindustria thekson se ajo në mënyrë të përsëritur ka kërkuar pranë qeverisë së Shqipërisë dhe vendimarrjes politike në tërësi, të ndërhyjnë për të përmirësuar sa më shpejt funksionimin e tregut strategjik të karburanteve.
 

“Propozimi i arsyetuar i Konfindustrisë është, që sa më shpejt të krijohet dhe të filloj të funksionoj Enti Rregullator i Karburanteve me synimin për të rregulluar dhe kontrolluar -çmimin, -cilësinë dhe -liçensimin e operatorëve tregtare të fushës. Enti Rregullator i Karburanteve është i pranishem edhe në vende fqinj me Shqipërinë, që qartësisht janë konkurrente në çmim dhe mbi të gjitha në cilësinë e karburanteve krahësimisht me vendin tonë” thekson konfindustria.
 

Më tej konfindustria thekson se propozimi i saj për rregullimin e tregut të karburanteve nëpërmjet krijimit të Entit Rregullator është në interesin e drejtpërdrejtë edhe të subjekteve të ndershme tregtare të fushës, që respektojnë ligjin dhe standartet në fuqi.
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›