E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfindustria: Të zbatohet afati për vendosjen e kasave fiskale

Konfindustria, duke patur parasysh afatin e fundëm të 31 dhjetorit 2010 për pajisjen me kasa fiskale të gjithë bizneseve në hapësirën gjeografike të vendit përfshi edhe të ashtuquajturin "biznes i vogël", kërkon nga ekzekutivi shqiptar, që të zbatoj me çdo kusht dhe pa ngurrim detyrimin ligjor të mësipërm si një nga kushtet e domosdoshme për formalizimin e ekonomisë në tërësi.

Njëkohësisht Konfindustria fton gjithë vendimarrjen politike të vendit pa dallim ngjyrash partiake të mbështesi pajisjen e plotë me kasa fiskale të bizneseve si kusht strategjik për formalizimin e ekonomisë kombëtare. Cdo shtyrje e mëtejshme në kohë e pajisjes me kasa fiskale është me pasoja të pallogaritshme të dëmshme për biznesin e ndershëm, konkurueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë kombëtare në tërësi si dhe goditje e pastër në afatgjatë në fuqinë e zbatimit të ligjit. Shqipëria nuk mund të veprojë ndryshe nga vendet e tjera të Bashkimit Europian.

Konfindustria vlerëson, se pikërisht në hallkën e ndërprerë të pikës se lidhjes ligjore të tregtise me pakice/biznes i vogel me konsumatorët fundore/qytetarët, ndodhin të gjitha rrjedhjet e shmangies financiare si edhe lindin trysnite nga poshtë-sipër për prodhimin e shmangies fiskale në të gjithë procesin tregtar në Shqipëri. Vlerësohet se shmangia fiskale në Shqipëri, ende e kalon masën e papranueshme prej mbi 50% të PBB dhe ka pasoja shkatërruese sidomos për industritë prodhuese të rregullta të vendit, shkatërrimin e konkurencës me pasoja të drejtpërdrejta në rrënimin e mirëqënies së qytetarëve shqiptarë në përgjithësi.

Konfindustria ka mbi 3 vjet, që ka kërkuar publikisht njëkohësisht pranë Z. Sali Berisha Kryeministër i Shqipërisë dhe Z. Edi Rama Kryetar i Partisë Socialiste për domosdoshmërinë e ndryshimit rrënjësor të shkallës së papranueshme të formalizimit të ekonomisë shqiptare.
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›