Gjithçka që duhet të dimë për dhëmbë të shëndetshëm
Duke i kushtuar vëmendje higjienës së gojës, para së gjithash dhëmbëve dhe mishit të tyre, ju jo vetëm që do të keni një buzëqeshje të bukur, por edhe një shëndet të përgjithshëm shumë më të mirë. Në fakt, trupi i shëndoshë dhe dhëmbët e shëndoshë nuk shkojnë pa njëri-tjetrin. Kurrë nuk është vonë që të filloni t’i mësoni fëmijët se sa e rëndësishme është higjiena e dhëmbëve dhe e gojës në përgjithësi. Higjiena e gojës rrit vetëbesimin. Dhëmbët e prishur dhe mishi i sëmurë i dhëmbëve, përpos që paraqesin problem shëndetësor, janë edhe një siklet i madh estetik, që ndikojnë në uljen e vetëbesimit. Me siguri që kur ke erë të keqe nga goja, të tjerët do të ikin nga ti dhe, në këtë mënyrë, do të ndihesh i izoluar dhe i lënë anash. Në një intervistë për gazetën, stomatologu i njohur Sadedin Gjoka, tregon të gjitha detajet që duhet të kemi parasysh për të pasur gojë dhe dhëmbë të shëndetshëm. Madje, jo vetëm kaq, por edhe se si mund t’i zbulojmë problemet e gojës dhe cila është metoda mjekësore që përdoret për këtë qëllim.
Ku fillon kujdesin për gojën dhe dhëmbët në veçanti?
Kujdesi për gojën fillon që në barkun e nënës, sapo nëna ndien që është shtatzënë. Veçanërisht dhëmbët kanë një specifikë më vete, siç janë indet e forta, kockat, që për t’u formuar dhe forcuar e kanë domosdoshmëri që të marrin vitaminat dhe kripërat minerale nëpërmjet nënës. Kështu që nënës i takojnë kujdesjet më të mëdha. Pastaj nuk duhet përjashtuar edhe faktori gjenetik.
Pas këtij kujdesi të hershëm, çfarë trajtimi duhet të bëhet?
Fazë e rëndësishme është periudha gjatë mbirjes së dhëmbëve, që ka rëndësi. Gjatë kësaj periudhe duhet ushqyer fëmija, pasi mbirja e dhëmbëve shoqërohet me disa probleme të papëlqyeshme te fëmijët, siç është mukoza e gojës, pastaj kalohet te mbirja e parë e dhëmbëve, që ndodh te fëmijët deri në moshën 3 vjeç. Pas mbirjes së dhëmbit fillojnë proceset të lokalizuar në dhëmbë, sëmundjet karioze ose prishjet e dhëmbëve të qumështit, që vazhdojnë deri në moshën e ndërrimit të plotë të tyre, që shkon deri në moshën 12-13 vjeç. Në moshën 6-vjeçare fillojnë të dalin dhëmbët e përhershëm ose permanent që quhen numri 6 sipër-poshtë, djathtas ose majtas, që është edhe kyçi për formimin e gojës. Gjatë kësaj kohe fillojnë të shfaqen edhe anomalitë e para të vendosjes së dhëmbëve dhe rreshtimit të tyre, të cilat janë të shpeshta. Prandaj ka rëndësi që dhëmbët e qumështit gjatë kësaj periudhe duhet të mjekohen patjetër, pikërisht për të evituar këto anomali. Duhen mjekuar dhe hequr në bazë të stadit të heqjes së tyre.
Çfarë duhet të bëjmë për të pasur dhëmbë të shëndetshëm?
Ushqimi, trajtimi i nënës, mënyra e ushqyerit të fëmijëve ndikon shumë qoftë në zhvillimin e nofullës po ashtu edhe të dhëmbëve. Nevojitet trajtimi me minerale. Të ketë vlera kalorifike cilësore, të ketë llojshmëri sa më të madhe të ushqimit dhe të bëhet çmos të hiqet dorë nga këto standardet e ushqimeve, si sufllaqe, çokokrema, sepse janë të rrezikshme për kariesin e dhëmbëve. Shto pastaj që këtu hyn dhe higjiena personale e gojës, që pothuajse është e vështirë ta kërkosh dhe pretendosh. Sidomos larja e dhëmbëve në darkë pas ngrënies së vaktit të fundit të ushqimit është jashtëzakonisht e domosdoshme.
Sa herë duhet të lahen dhëmbët në ditë?
Dhëmbët, kryesore është të lahen në mbrëmje, pastaj gjatë ditës njerëzit mund të hanë dhe mjafton të bëjnë një shplarje, sidomos nëse hanë ëmbëlsira, ose të përdorin ndonjë solucion shpëlarës, ose çamçakëz që bën një pastrim mekanik të nofullës. Natyrisht furçat duhet t’i rekomandojë specialisti në bazë të mishrave të dhëmbëve, po ashtu edhe pastat duhet të zgjidhen. Teknika e larjes, për të cilat ne vuajmë, duhet ushtruar dhe mësuar. Larja presupozon që t’i bëhet edhe një masazh mishrave të dhëmbëve, pasi çdo lloj dhëmbi do kohën e vetë të larjes.
Po vizitat te dentisti, sa herë duhet të bëhen?
Natyrisht, te dentisti duhet shkuar patjetër, qoftë çdo tre muaj, sepse mbushjet që bëhen kanë nevojë edhe për konsulta për të parë se në çfarë gjendje janë. Qëndrimi i mbushjes është më tepër një problem teknik sesa rënia e materialit, sepse materialet në përgjithësi janë të qëndrueshme dhe të forta. Mos të harrojmë që edhe kur mbushet dhëmbi prishja vazhdon se është një proces fiziologjik. Mbushjet bien, sepse vazhdon prishja, por kjo varet edhe nga mosha se ku vazhdon prishja e dhëmbëve më shumë. Për këtë arsye duhen kontrolluar dhëmbët e mbushur, sidomos ata që janë të vjetër, për të parë nëse mund të ketë filluar ndonjë proces tjetër mbushjeje. Nevojitet të bëhet një panoramim (panorameks) i të gjithë gojës, për të parë se çfarë ka ndodhur pas tre muajsh, veçanërisht për ata që shkojnë për herë të parë të dentisti. Me panorameksin zbulojmë dhëmballë të pahequra dhe tumore të paidentifikuara. Nëpërmjet kësaj procedure zbulohen edhe dhëmballët e syrit dhe çdo lloj anomalie tjetër që mund të jetë në nofull. Po ashtu, edhe kistet, folikula që mund të jenë brenda dhe të pazbuluara të cilat japin komplikacine edhe në organe të tjera, sepse kur bien në qarkullimin e gjakut, me rrymën e gjakut infeksioni që zhvillohet te rrënja e një dhëmballe ose te një dhëmb i mbetur brenda në nofull, mund të çojë në komplikacione të organeve të tjera të sistemeve.
Sa të rrezikshme janë infeksionet e dhëmbëve dhe të gojës?
Në gojë zhvillohen procese inflamatore akute dhe kronike, me origjinë direkt nga dhëmbi. Por këto infeksione mund të zhvillohen edhe nga protezat, aparatet dentare, të cilat mund të shkaktojnë probleme. Po në gojë, mund të zhvillohen edhe tumore që janë indet prekanceroze dhe jokanceroze, nëse të vret ndonjë dhëmb krijohet ndonjë kist që indirekt mund të provokojë një qarkullim tjetër, që mund të shtyjë tavanin e qiellzës ose mund të ngacmojë nervat e nofullës së poshtme. Kjo varet edhe sipas moshave, ku më të mëdhatë janë më të rrezikuara.
A mund të evitohen këto probleme?
Këto probleme mund të kapen që në stadet e para, prandaj duhet bërë kontrolli te dentisti. Dhe sidomos dhëmbët e mbushur duhen kontrolluar, duke mos përjashtuar edhe dhëmbët apo dhëmballët e mbetur brenda në nofulla, që mund të kenë si shkak heqjen e parakohshme të dhëmbëve të qumështit, ose ndonjë anomali e zhvillimit të vetë të nofullave, siç janë dhëmballët e syrit lart ose poshtë.
Cilat janë gjërat ose veprimet e pakujdesshme që bëjnë njerëzit, të cilat ndikojnë negativisht te dhëmbët?
Ndryshimet e temperaturave ndikojnë te dhëmbët, sepse ato mund të japin disa fisura, qoftë pirja e ujit shumë të ngrohtë ose të ftohtë në të njëjtën kohë, ose thyerja e frutave shumë të forta, si arrat ose bajamet, me dhëmbë, që mund të japin probleme të zmaltit të dhëmbit, ose zakoni i keq që kanë disa njerëz që kur fusin lugën në gojë e kapin me dhëmbë për të kafshuar ushqimet. Po ashtu edhe traumat kronike të lehta që janë të vazhdueshme që mund të ndodhin brenda në gojë, dhe që herë pas here krijojnë shqetësim, mund të japin një nekrozë të pulpës së atij dhëmbi, e cila më pas komplikohet. Një ndikim ka edhe mënyra e përtypjes së ushqimit, duhet bërë çmos që ushqimi patjetër të përpunohet te dhëmballët, duhet të hamë ngadalë, dhe pasi ushqimi të bëhet brumë, atëherë duhet të gëlltitet. Në këtë mënyrë evitojmë edhe formimin e gastriteve në stomak ose fenomene të tjera që e shoqërojnë këtë organ nga ushqimi jo i duhur. Shqetësimi që kam unë është që njerëzit duhet t’i vënë dhëmbët.
Po duhani, sa ndikon te prishja e dhëmbëve?
Duhani ka një ndikim negativ, veçanërisht për ato nëna që e pinë duhanin gjatë periudhës së shtatzënisë, por edhe që pas lindjes e pinë cigaren pranë fëmijës. Nikotina ka një ndikim shumë negativ, sepse në momentin që ajo futet në gojë e merr menjëherë mukoza e gojës, që ndikon në sistemin kardiovaskular, në sistemin respirator etj. Të hysh në mushkëritë e një duhanpirësi, bronket janë të mbushura si tym i sobës në tubin e saj.
Gurëzat e dhëmbëve pse shkaktohen dhe a mund të evitohen?
Problem është sëmundja e paradontozës ose sëmundja e mishrave të dhëmbëve, që është e vështirë për t’u shëruar, sepse duhet diagnostikuar herët. Kjo është sëmundje që shkrin kockën e nofullave dhe dobëson stabilitetin e dhëmbëve në nofull, të cilët në faza të ndryshme të zhvillimit të saj, veçanërisht kur nuk mjekohet, fillojnë lëvizin dhe hiqen shumë shpjet. Shkaktarët për gurëzat e dhëmbëve, të cilat mund të agravojnë ose zhvillojnë më shumë rëndimin e sëmundjeve të mishrave të dhëmbëve, kanë një origjinë nga precipitimi i kripërave që përmban pështyma e gojës, sidomos në vendet ku ka rrjedhje pështyme, si në anën e djathtë dhe të majtë të nofullës së sipërme dhe në dhëmbët e përparshëm të nofullës së poshtme. E dyta, janë mbeturinat dhe mungesa e higjienës së mirë të gojës, mbeturinat e ushqimeve, të mishit, të bukës, janë një shkak i shtimit i gurëzave. A mund të evitohen? Gurëzat nuk mund të evitohen, por pastrimi duhet bërë, kjo varet nga predispozitat që kanë njerëzit. Edhe gurëzat japin shkrirje të kockës së dhëmbëve, japin gingivite kronike që shoqërohen me shkrirje të nofullës dhe lëvizje të dhëmbëve të paprekur nga kariesi i dhëmbëve. Prandaj, si të tilla, duhet patjetër të shkohet te stomatologu herë pas here për t’i hequr dhe kryesore në këtë rast është përdorimi i pastave që kanë aftësi që t’i shkrijnë këto gurëza. Një veprim tjetër për t’i evituar këto grumbullime është përdorimi i fillit dentar midis hapësirave të dhëmbëve, ku ka grumbullime të mbeturinave ushqimore. Mbas çdo ngrënieje, çdo individ duhet të bëjë shpëlarjen e gojës disa herë me ujë të zakonshëm, më qëllim që të jenë të lira të gjitha hapësirat.