Urimet, fluks qytetarësh për kartolina në sportele
Posta: Qytetarët zgjedhin mënyrën tradicionale të urimit
Kartolinat vazhdojnë të mbeten mënyra më e preferuar e qytetarëve për t’u uruar të afërmeve të tyre “Gëzuar festat e fundvitit!”. Fundviti 2010 vazhdon sërish me traditën e bukur të kartolinave. Me sa duket, bukuria e komunikimit dhe urimit nëpërmjet kartolinave asnjëherë nuk zbehet. Imazhet e shumëllojshme, të stampuara me mjeshtëri dhe konfidencialiteti i të shkruarit me dorën e dërguesit krijojnë një atmosferë të spikatur të emocioneve te marrësit, të cilët gjithashtu siç presin dhe dërgojnë urime. Pavarësisht komunikimit online mes qytetarësh, shërbimi tradicional i dërgimit të një letre, e sidomos një kartoline, ende nuk është zbehur. Madje, vihet re që nga viti në vit ka një rritje të numrit të qytetarëve që, sidomos në raste festash e veçanërisht çdo fundviti, ata dynden në sportelet e Postës Shqiptare për t’i dërguar kartolina urimi njëri-tjetrit. Sipas Postës Shqiptare, ky shërbim tradicional po preferohet nga klientët nga viti në vit, po të kemi parasysh statistikat të cilat vijnë në rritje. Fillimi i këtij muaji ka bërë që në sportele të këtë fluks qytetarësh me kartolina në duar, të cilët, pavarësisht se kanë dhe mënyrat e tjera të urimit, si dërgimi i një mesazhi apo një e-mail, sërish kanë zgjedhur mënyrën tradicionale të urimit, atë të dërgimit të një kartoline. Ngrohtësinë e komunikimit direkt nuk e zëvendëson asnjë komunikim tjetër. Kjo mënyrë urimi është më prekëse, më emocionale, sepse qytetari më pas mund ta ruajë kartolinën e një të afërmi, miku apo kolegu në shtëpi apo zyrë. Posta Shqiptare, përpos ofrimit të 77 shërbimeve në sportele, asnjëherë nuk ka e lënë pas dore shërbimin tradicional të dërgimit të një letre apo kartoline. Madje, aktualisht Posta Shqiptare, kompania lider në tregun e shërbimeve postare, u ofron qytetarëve deri në skajin më të largët të Shqipërisë komunikimin jo vetëm përmes shërbimit tradicional postar, por dhe komunikimit online, përmes ofrimit të “internetit falas”. Ajo u ofron qytetarëve të dyja mënyrat e komunikimit në këtë Vit të Ri, duke krijuar simbiozën e dy komunikimeve. Edhe pse këtë muaj Posta Shqiptare promovoi shërbimin e “internetit falas” në 550 zyrat e saj, të dhënat tregojnë se sërish qytetarët vazhdojnë të kenë interes të urojnë njeri-tjetrin me kartolina, të cilat i dërgojnë nëpërmjet shërbimit postar të Postës Shqiptare.