E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacionet për të miturit edhe në Shqipëri

Vitin e ardhshëm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë pritet të realizohen për herë të parë operacione të vështira te fëmijët që kanë probleme me zemrën. Kjo deklaratë vjen nga vetë bluzat e bardha, që thonë se gjatë vitit 2011, krahas rritjes së cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve të vegjël, do të shtohet dhe shumëllojshmëria e ndërhyrjeve tek ta, duke përfshirë edhe më të vështirat që nuk janë realizuar asnjëherë në vendin tonë. Përgjatë vitit 2010, në QSUT janë kryer një numër i madh operacionesh të ndërlikuara, një pjesë e të cilave janë për herë të parë. “Këtë vit ne kemi kryer 83 operacione shumë të rëndësishme, të cilat kanë filluar nga fëmijë 9 ditësh me peshë 2.3 kg. Ndërkohë që për vitin që vjen, për të rritur numrin e operacioneve, për të shtuar gamën e operacioneve dhe nga ndërhyrjet që ne pretendojmë të bëjmë janë ndërhyrjet te fëmijët që lindin me gjysmën e zemrës. Këto operacione realizohen kudo në botë me sukses dhe ne mendojmë që t’i realizojmë brenda vitit të ardhshëm”, - tha Altin Veshti, kardiokirurg në QSUT. Ndërhyrjet e reja të realizuara nga ekipi i mjekëve kardiokirurgë kanë rezultuar të gjitha të suksesshme, duke bërë që fëmijët të shërohen plotësisht. Dje, në QSUT, kompania e telefonisë celulare Eagle Mobile dhe shoqata “Një botë për një zemër” kanë organizuar një festë për 40 fëmijët e shtruar në shërbimin e Pediatrisë. Këta fëmijë, me rastin e festave te fundvitit, kanë marrë dje ëmbëlsira, dhurata, por edhe mbështetje nga vetë drejtori i Eagle Mobile, Ali Taskin, i shoqëruar edhe nga drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku. Fëmijët që morën dhurata i përkasin asaj kategorie, që kanë kryer ndërhyrje të rralla kryesisht në zemër.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›