E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbetjet e ngurta, vitin e ardhshëm do të investohen 146 milionë lekë



Mbrojtja e mjedisit dhe e shëndetit të njerëzve nga ndotja dhe dëmtimi që shkaktohen nga mbetjet e ngurta urbane si ato familjare, tregtare, apo dhe nga inertet e ndërtimeve, për vitin 2009 janë objektiv i Ministrisë së Punëve Publike. Sipas MPPTT-së, gjatë vitit 2009, në shërbim të një popullsie prej 220 000 banorësh, do të realizohen disa projekte në fushën e menaxhimit të mbetjeve të ngurta dhe urbane, me vlerë investimesh prej rreth 146 000 mijë lekë. Projektet për menaxhimin e mbetjeve të ngurta urbane parashikojnë investime në landfillet e Bushatit, Rrëshenit, ndërsa janë drejt përfundimit studimet dhe projektet për ndërtime të tyre edhe për qytetet e Korçës, Beratit dhe Bajram Currit. Për landfill-in në Bushat në qarkun e Shkodrës në vitin 2009 parashikohet përpunimi i rreth 47 mijë ton mbetje urbane në vit, me vlerë 130 milionë lekë. Po kështu, vitin që vjen pritet edhe fillimi i punimeve për ndërtimin e landfillit të Rrëshenit me vlerë investimi prej 6 milionë lekësh nga buxheti i shtetit, i cili parashikon përpunimin e 3500 tonë mbetje urbane në vit, duke i shërbyer një popullsie prej 15 000 banorësh. Brenda vitit 2009, pas përfundimit të studimit të fizibilitetit të vend-depozitimit ekzistues, pritet fillimi i punës për ndërtimin e landfillit të qytetit të Korçës, një investim me vlerë 20 milionë lekë. Nga buxheti i shtetit do të financohen 16 milion lekë për ndërtimin e landfillit të Beratit, për të cilin tashmë ka përfunduar hartimi i studimit të fizibilitetit të vend-depozitimit ekzistues dhe brenda muajit dhjetor të këtij viti, do të zhvillohet tenderi për përzgjedhjen e kompaninë që do të kryejë punimet.

Rriten shitjet në tregtinë e mallrave me pakicë me 21.9 për qind

Indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë në tremujorin e tretë të vitit 2008 arriti 179.8 për qind. Sipas të dhënave më të fundit të Institutit të Statistikave, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është rritur 21.9 për qind. Ndërkohë, krahasuar me tremujorin paraardhës indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është rritur me 4.4 për qind. Në grupin “artikuj të përzier kryesisht ushqimore në njësi tregtare jo të specializuara” indeksi i volumit të shitjeve është rritur 7.6 për qind në këtë tremujor krahasuar me tremujorin paraardhës. Në grupin “tregtia dhe riparimi i automjeteve” indeksi i volumit të shitjeve është ulur 1.0 për qind, krahasuar me 3-mujorin paraardhës. Brenda grupit “tregtia, mirëmbajtja dhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave “ në grupin “tregtia me pakicë e karburanteve”, indeksi i volumit të shitjeve për tremujorin e tretë është rritur 6.2 për qind krahasuar me 3-mujorin paraardhës. Indeksi i punësimit në “tregtinë me pakicë” në 3-mujorin e tretë të këtij viti arriti 175.1 për qind kundrejt vitit bazë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ky indeks është rritur 16.7 për qind. Në grupin “tregtia dhe riparimi i automjeteve” indeksi i punësimit arriti 160.7 për qind kundrejt vitit bazë me rritje 5.4 për qind, kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

2 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›