E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfindustria e shqetësuar për rritjen e defiçitit

Konfindustria ka shprehur shqetësimin e saj për thellimin me 10% të defiçitit tregtar të vendit për 3 mujorin e parë të vitit 2011 kundrejt të njëjtës periudhë të vitit parardhës. Në një deklaratë për shtyp Konfindustria thekson se defiçiti tregtar në rritje është një nga arsyet kryesore të uljes së rendimentit fiskal të parashikuar të ekonomisë shqiptare, që u pasqyrua me shkurtimin e pothuaj 200 milion dollarë të shpenzimeve buxhetore për vitin financiar në vazhdim, të miratuar së fundmi nga Kuvendi i Shqipërisë.
Administrator i Përgjithshëm i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku ka kërkuar masa të jashtëzakonshme për zhvillimin afatgjatë të ekonomisë shqiptare.
“Duke patur parasysh uljen e vazhdueshme të të ardhurave vjetore nga remitancat, kufizimin e mundësive për të rritur borxhin publik si dhe mundësitë e pakta për të përfituar nga proçese privatizimi të pronës publike për shkak të cilësisë së pjesës së mbetur si dhe të kërkesës së ulët të investitorëve dhe tregjeve të huaja, duhen parashikuar masa të jashtëzakonshme nga institucionet qeveritare për zhvillimin afatgjatë të ekonomisë kombëtare” thekson Buxhuku.
Sipas tij nxitja me çdo kusht e prodhimit vendor sidomos e drejtuar për tregun e brendshëm është mënyra e vetme për të ulur rreziqet, që i vinë ekonomisë kombëtare nga kahu negativ i thellimit të deficitit tregtar.
“Krahas kësaj duhen ndërmarr veprime të shpejta nga institucionet qeveritare shqiptare përfshi edhe Shërbimin Informativ Shtetëror/ SHIK për ndalimin e daljes së jashtëligjshme jashtë vendit të kapitaleve financiare shqiptare. Ndërkohë duhen shfrytëzuar me çdo kusht mundësitë e dhëna nga ligji ne fuqi prej pothuaj 2 muajsh i faljes fiskale për thithjen e të ardhurave financiare të siguruara nga qytetaret shqiptare jashtë vendit. Muajt e pushimeve verore dhe ardhjes së përvitshme të emigranteve në atdhe është koha më e përshtatshme për kryerjen me sukses të procesit të sipërpërmendur” shton më tej Konfindustria.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›