E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisma Pacolli për hapësirë të përbashkët ekonomike shqiptare

Ish-presidenti i Kosovës, biznesmeni Begjet Pacolli, do të shpalosë nesër në një forum politiko-akademik nismën e tij më të fundit “Për një hapësirë të përbashkët ekonomike shqiptare”. Përveç asaj se ky forum me këtë temë është një risi në vetvete, risi përbën edhe fakti se organizatorët i përkasin botës universitare. Bëhet fjalë për një grupim akademik të hapësirës shqiptare, Universitetin ‘Fama’ në Prishtinë dhe Universitetin Europian të Tiranës. Në forum kanë konfirmuar pjesëmarrjen intelektualë të shquar, autoritetet më të larta të shtetit shqiptar, ministra të dy vendeve, akademikë, drejtues të botës së biznesit etj. Forumi synon të krijojë një fluks mendimi dhe veprimi të organizuar për jetësimin e idesë së hapësirës së përbashkët ekonomike shqiptare. Në këtë fluks do të përfshiheshin politikanë, universitete, individë, asociacione biznesi etj. Sipas organizatorëve të takimit, i cili do të mbahet në mjediset e Tirana International “Forumi është jetësim i një vizioni të mëhershëm të zotit Pacolli, sipas të cilit shumë probleme historike në rajonin tonë do gjenin zgjidhje në favor të popujve, nëse krahas çështjeve të tjera do të ketë më shumë përqendrim sesa sot te çështjet ekonomike, te rritja e bashkëpunimit ekonomik në Ballkan.” Në këtë vizion të ish-presidentit gjenden edhe fijet që të çojnë te integrimi evropian, i cili është favorizues i drejtpërdrejtë i aspiratave kombëtare të shqiptarëve. Vizion i ish-presidentit Pacolli, njëherësh një prej biznesmenëve më të shquar shqiptarë në botë, ka gjetur pika kontakti me ide dhe përpjekje të tjera të mjedisit intelektual dhe akademik shqiptar. Forumi i organizuar nën kujdesin e UET dhe “Fama”, synon të eksplorojë rrugët konkrete të përshpejtimit të integrimit ndërshqiptar. Kjo hapësirë e integruar do të jetë më tërheqëse për investimet e huaja, do të racionalizojë burimet e kombit shqiptar në favor të zhvillimit ekonomik, do të asnjanësojë peshën e faktorëve të tjerë konkurrencialë etj., thuhet në njoftimin për mediat të organizatorëve. Kushtëzimet e këtij integrimi për krijimin e një tregu të përbashkët në rajon, si parakusht për anëtarësimin në BE, do të favorizonin shqiptarët për të krijuar realitete ekonomike të reja dhe më të fuqishme. Nga rrëzimi i barrierave kufitare, sipas direktivave evropiane, do të krijohej një hapësirë e re arsimore, kulturore, biznesore, kapitalesh, idesh etj., si parakusht për çdo lloj integrimi. Ky vizion përbashkues u bë publik për herë të parë në Parlamentin e Shqipërisë gjatë vizitës së tij si President në mars të 2011-s. Gjatë së njëjtës vizitë Pacolli u nderua nga Universiteti Europian i Tiranës me titullin “Doctor Honoris Causa”.

Pse ky forum?

-Zhvillimi spontan i marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri nuk ka prodhuar rritjen e dëshiruar në asnjë sektor në vendet përkatëse, me përjashtim të turizmit në Shqipëri. As ndërtimi i një rrjeti infrastrukturor që lidh dy anët e kufirit ku banojnë shqiptarë: rruga Durrës-Kukës dhe vijimi i saj nga Vërmica, nuk ka nxitur ndonjë nivel të dukshëm të bashkëpunimit ndërshqiptar, megjithë kundërshtimet ndaj kësaj ideje.

-Përkundër këtyre problemeve, po shtohen zërat për një bashkim të dy vendeve. A duhet paraprirë eventualisht një bashkim i tillë nga krijimi i një tregu të përbashkët shqiptar? A duhet nxitur në nivele maksimale komunikimi kulturor dhe njerëzor midis dy vendeve, si parakushte të çdo zhvillimi tjetër? ǒrol luan integrimi europian për aspiratën e shqiptarëve që, sipas sondazheve të fundit, e duan bashkimin në një shumicë të caktuar? Cili do të jetë stacioni i fundit i këtij integrimi ndërshqiptar?

-Cilat janë hapësirat në këtë bashkëpunim, që duket sikur e lehtësojnë barrën e mbijetesës së Kosovës që nuk ka dalje në det; që nuk ka eksperiencë zhvillimi të pavarur; që ka një papunësi mbi 50% në një popullsi nga më të rejat në botë etj.?

-A nevojitet një strategji e përbashkët zhvillimi dhe integrimi europian, apo strategji të veçanta panshqiptare që duhen koordinuar?

-Rastet konkrete të dështimit të bashkëpunimit, Porti i Shëngjinit për Kosovën dhe kundërshtimet e aktorëve të biznesit të Shqipërisë, Hidrocentrali i Zhurit dhe problematika e krijuar. Shqipëria dhe Kosova, vendet e vetme në rajon, pa rrymë të garantuar 24 orë. Cilët janë shkaqet? A ka faktorë të jashtëm që pengojnë këtë integrim? Cilët janë këta faktorë të brendshëm?

-Marrëveshja CEFTA dhe hapësirat që ofron ajo për një treg të përbashkët shqiptar.

-Modele të ngjashme integrimi të tregjeve, si parapërgatitje për integrimin europian.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›