E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatoret e Bulqizes shtojne kerkesat takim i posacem me zv/ministrin e Ekonomise

 Një tjetër kërkesë e minatorëve të Bulqizës është shtuar dje, pas takimit të organizuar në Ministrinë e Ekonomisë.

Minatorët deklaruan se do të kërkojnë me të gjitha mjetet demokratike largimin e firmës austriake “Albanian Krom”, pasi ajo nuk ka plotësuar kushtet e kontratës koncesionare.

Qindra minatorë të Bulqizës kanë ndjekur me ankth zhvillimin e bisedimeve nëpërmjet mediave.

Përfaqësuesit e minatorëve kanë kërkuar takim me ministrin e Ekonomisë, por fillimisht ata janë pritur nga zëvendësministri Neritan Alibali.

Që në këtë moment, minatorët që ndiqnin nga televizionet takimet në Tiranë u shprehën se jo gjithçka po shkonte siç ata e prisnin. “Nuk ishte asgjë më shumë e asgjë më pak se një takim fotokopje, siç kemi pasur me ministrat dhe zv.ministrat para 4 viteve.

Zv.ministrin e falënderojmë për pritjen, por masat që u morën nuk ishin konkrete.

Alibali na tha se ka dërguar një grup pune në minierën e Bulqizës dhe ka ngritur një Task-Force, të njëjtat gjëra që kanë bërë dhe të tjerë.

“Ne nuk duam zgjidhje me fjalë, ne duam zgjidhje me vepra”, u shpreh Nikolli.

Ka mjaftuar kjo deklaratë e kreut të Konfederatës për të kuptuar se nuk ishin afruar zgjidhje konkrete për minatorët, por gjithçka po zvarritej pafundësisht.

Nikolli bëri dhe një herë të njohura kërkesat:

Të rritet paga 20%, Sindikata e Minatorëve të bëhet palë me Ministrinë që të shmangen këto probleme që janë sot dhe të pastrohen minierat nga firmat koncesionare që kanë rezultuar firma pirate.

Të tjera kërkesa janë mbi investimin, si: ndërhyrje urgjente në puse, pastrimi i tyre në thellësi dhe hapja e puseve të reja.

“Miniera po shkatërrohet, nuk do jetojë më gjatë”, theksoi presidenti i Konfederatës. Reagimi vjen dhe nga minatorët e Bulqizës, që prej një jave po vazhdojnë protestat.

“Me sa shohim, firma e huaj kërkon ta hedhë lumin pa u lagur. Ne nuk mund të jemi dakord me zvarritjen që i bëhet shqetësimit tonë. Prej shumë vitesh dëgjojmë ngritje të grupeve të punës, kontrolle në sektorët minerarë etj.

Sipas METE-s, ne duhet të presim deri atëherë kur ky dikaster të zbardhë veprimtarinë e ACR-së. Po kjo është lehtësisht e verifikueshme, pasi vetëm kontrata koncesionare, sikur të shihet me kujdes, gjenden shkelje të shumta.

Ku janë milionat e premtuara për investime, pasi miniera po plaket dhe po merr fund?!”, thanë dje minatorë të Bulqizës.

“Ne do të bllokojmë rrugën nacionale, do të protestojmë në rrugët e qytetit dhe do të nisim grevën e urisë”, thanë drejtues të protestës. Dje minatorët nuk kanë lejuar asnjë makinë me krom të lëvizë në drejtim të Portit të Durrësit, madje janë shprehur se do të bllokohen edhe subjektet private, pasi mund të bëjnë tregti me firmën “ACR”.

5 kërkesa

Kanë minatorët: rritja e pagave, heqja e taksës së dyfishtë, përmirësimi i kushteve në punë, largimi i subjekteve të tjera të palicencuara nga territori i kësaj kompanie, si dhe uljen e moshës së pensionit

5 ditë

Më parë nisi protesta masive e minatorëve të Bulqizës, me qëllim realizimin e kërkesave ekonomike. Në rast të kundërt, ata kërkojnë me nisjen e një greve urie pa afat, ndërsa puna është paralizuar plotësisht

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›