E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet gjoba te shumta mbi bizneset qe nuk leshojne kupon tatimor

Administrata tatimore ka marrë masa ndaj të gjithë atyre bizneseve, të cilat kanë shkelur ligjin e këtij institucioni.

Ashtu, siç ky institucion kishte paralajmëruar ka ushtruar kontrolle intensive mbi subjektet, që operojnë veçanërisht në zonat turistike.

Gjatë verifikimeve, në 12.941 subjekte, për mosinstalim të pajisjes fiskale janë vendosur 593 gjoba me vlerë rreth 77 milionë lekë si dhe janë bllokuar 31 subjekte.

Ndërsa për moslëshim të kuponit tatimor janë vendosur 510 gjoba me vlerë rreth 75.milionë lekë.

Në rast identifikimi nga Administrata Tatimore për personat që ushtrojnë veprimtari tregtare pa u regjistruar në QKR, ky institucion ka marrë masa për mbylljen e veprimtarive dhe konfiskuar te gjitha materialet.

Në zbatim të këtij ligji, gjatë verifikimeve të ushtruara janë gjetur 305 subjekte të paregjistruara, ku janë konfiskuar mallra me vlerë më shumë se 7 700 000 lekë dhe janë bllokuar 124 subjekte.

Në lidhje me deklarimin e punonjësve dhe përfshirjen e tyre në skemën e sigurimeve shoqërore, gjatë verifikimit në 10830 subjekte, janë vendosur gjoba me vlerë afërsisht 20 milionë lekë për 272 punonjës të padeklaruar.

Gjithashtu, nga ana e Sektorëve të Hetimit janë referuar në Prokuroritë e Rretheve respektive çështjet hetimore për 19 subjekte dhe janë në proces përfundimi të dërgimit në Prokurori, brenda këtij muaji, dosjet hetimore për 7 subjekte të tjera të cilat në bazë të shkeljeve që kanë kryer janë objekt i Kodit Penal.

Tatimet vijojnë të paralajmërojnë bizneset se duhet të veprojnë konform ligjit, për të shmangur masat, që mund të merren mbi ato.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›