E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfindustria, letër Berishës për Gjykatën Administrative

Biznesi kërkon nga dy forcat kryesore miratimin sa më të shpejtë të gjykatës që do u japë zgjidhje konflikteveTIRANË- Funksionimi në një kohë sa më të shpejtë i një gjykatë administrative, do të krijonte një klimë më të përshtatshme për të bërë biznes në Shqipëri. Me cilësinë e institucionit nismëtar të krijimit të kësaj gjykate, zyra e Konfindustrias i kërkoi dje me anë të një letre zyrtare, Kryeministrit Berisha dhe kreut të opozitës, Edi Rama, ndërhyrjen e tyre për të bërë të mundur miratimin sa më të shpejtë dhe me konsensus të projektligjit për këtë gjykatë. Gjatë seancës dëgjimore të para disa ditëve në Komisionin e Ligjeve, përfaqësuesit e Konfindustrias kishin kërkuar veçimin e projektligjit për Gjykatën Administrative nga paketa ligjore për drejtësinë dhe miratimin në një kohë sa më të shpejtë dhe me konsensus të të dyja kampeve politike, duke e veçuar nga aktet e tjera ligjore të debatuara politikisht. “Projektligji për Gjykatën Administrative, realisht nuk ka të bëjë me paketën ligjore për drejtësinë. Ne kërkuam ndarjen e tij nga kjo e fundit për të shmangur vonesat në miratim”, - u shpreh për “Shekullin” Administratori i përgjithshëm i Konfindustrias, Gjergj Buxhuku. Për miratimin e projektligjit, i cili mundëson për herë të parë ngritjen e një Gjykate Administrative, nevojiten 85 vota që kushtëzojnë konsensusin e të dyja kampeve politike. Në pamundësi për të ndërtuar paketa financiare sikurse vendet e pasura dhe të zhvilluara të botës për përballimin e pasojave të krizës globale, miratimi sa më shpejt i këtij projektligji, konsiderohet nga Konfindustria si mjeti më i mirë për t’i ardhur në ndihmë biznesit shqiptar, duke rritur klimën e mirëbesimit ndërmjet tij dhe shtetit. Ekzistenca e të ashtuquajturit ligji i gjobave e bën më të domosdoshëm ngritjen e kësaj gjykate, theksoi Buxhuku. Gjithashtu, konsiderohet e domosdoshme përfshirja në trupin gjykues të gjyqtarëve me formim profesional ekonomik, financiar, teknik, etj. “Mosmarrja parasysh e këtyre sugjerimeve rrezikon që, pas ndërtimit të institucionit dhe përcaktimit të procedurave, të dështojë nga mungesa e aftësisë profesionale nga ana e trupit gjykues”, - u shpreh ai. Shqipëria është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, në të cilin ende mungon institucioni i Gjykatës Administrative. Zyra e Konfindustrias ka më se një vit e gjysmë që ka marrë nismën për ndërgjegjësimin e të dy kampeve politike në lidhje me domosdoshmërinë e ngritjes së kësaj gjykate.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›