Situatë kritike nga aksidentet, Ushtaraku në gatishmëri ekstreme
Drejtori i Ushtarakut, pohon se ka fluks urgjencash. Jemi në gatishmëri për çdo situatë. Mjekët nuk do të largohen edhe nëse kanë pushim
FestatAksidente, persona të alkoolizuar dhe helmime toksike. Këto janë disa nga tragjeditë që ka rezervuar fundi i këtij viti. Spitali Ushtarak po përballet ditët e fundit me fluksurgjencash, sidomos nga persona të aksidentuar. Të ndodhur përballë këtij problemi, i cili pothuajse përsëritet çdo vit në kohë festash, drejtori i Spitalit Ushtarak, Bedri Mihaj, pohon se po marrin masa strikte që të jenë në gatishmëri ndaj çdo situate të jashtëzakonshme që mund të ndodhë. Madje, Mihaj, ka nxjerrë një udhëzim që ekipet e mjekëve të emergjencës të mos largohen nga Tirana edhe në ditët e pushimit, për të qenë të gatshëm ndaj çdo situate kritike që mund të krijohet.
Urgjencat
Fluks urgjencash me persona të aksidentuar janë paraqitur ditët e fundit në Spitalin Ushtarak. Personeli i urgjencës po përballet me raste gjithnjë në rritje, ndryshe nga ditët e tjera. “Vijnë çdo ditë dhjetëra persona që kanë pësuar aksidente apo trauma të tjera. Sigurisht që ditët e festave, edhe nga eksperienca e viteve të kaluara, rezervojnë fluks pacientësh, ndaj dhe personeli përballet me një punë më intensive se ditë të tjera”,- pohon personeli i Urgjencës së Spitalit Ushtarak, duke shtuar se në përgjithësi, personat që aksidentohen u përkasin moshave aktive, që do të thotë se janë në përgjithësi mosha të reja. Por, në Urgjencë paraqiten çdo ditë edhe persona të alkoolizuar, por më problematikë vazhdojnë të mbeten përdoruesit e drogës, të cilët zënë çdo ditë shtretërit e shërbimit të Toksikologjisë.
Masat
Masa ekstreme, duke ofruar një gatishmëri maksimale për të përballuar çdo situatë kritike që mund të krijohet në këto ditë festash. Duke filluar nga dita e sotme dhe 4 ditë pas natës së Vitit të Ri, këto masa do të jenë prezent në Spitalin Ushtarak. Kështu u shpreh drejtori i këtij spitali, Bedri Mihaj, i cili theksoi se, për të qenë korrekt, ka nxjerrë edhe udhëzime për personelin e spitalit që ai drejton. “Përveç ekipeve të mjekëve që kanë ditën e punës në gatishmëri, do të jenë edhe ekipe mjekësh të tjerë. Kjo do të thotë se ky grup gatishmërie mjekësh, ndonëse mund të ketë ditën e tyre të pushimit, nuk duhet të largohen nga Tirana, pasi duhet të jenë prezent ndaj çdo situate të jashtëzakonshme që mund të ndodhë”,- pohon drejtori Mihaj.
Mihaj: Emigrantët dhe të alkoolizuarit, burim aksidentesh
Lëvizjet e shumta për të vajtur tek të afërmit e tyre, sidomos nga emigrantët që vijën nga Greqia dhe Italia, janë një ndër shkaqet kryesore të aksidenteve që ndodhin nëpër rrugët e vendit. Kështu u shpreh drejtori i Spitalit Ushtarak, Bedri Mihaj, i cili theksoi se lëvizjet gjatë ditëve të festave janë shumë të mëdha. Sipas tij, problematikë janë edhe personat që konsumojnë shumë pije alkoolike, të cilët stimulojnë aksidente dhe shpesh përfundojnë edhe me pasoja të rënda. “Duhet të theksojmë se gjatë ditëve të festave, kujdesi duhet të jete shumë i madh, pasi shumë persona nuk e mbajnë veten nën kontroll, duke konsumuar shumë pije alkoolike, e më pas dalin në rrugë duke ngarë makinat. Eksperienca e viteve të kaluara tregon se kjo kategori ka qenë një burim aksidentesh, ndaj mendoj se edhe forcat e rendit duhet të tregojnë gatishmëri në këtë aspekt”,- pohon Mihaj. Ndërkohë, ai thekson se burim aksidentesh janë jo vetëm emigrantët, por edhe personat që lëvizin nga njëri vend në tjetrin për të festuar me të afërmit. “Megjithatë, unë dua të theksoj se do jemi në gatishmëri maksimale për të ofruar shërbim sa më korrekt ndaj të gjithë personave që do kenë nevojë për ndihmë mjekësore”, - theksoi Mihaj.
Sipas drejtorit të Spitalit Ushtarak, Mihaj, kostoja e një të aksidentuari fillon nga 4 mijë deri në 45 mijë lekë për 24 orë
Të aksidentuarit, ja kostoja e shpenzimeve për mjekim
Rrezik serioz, nga gjymtim deri në humbje të jetës. Por ajo çka është e sigurt, është fakti se edhe kostot janë tepër të larta për të rikuperuar të dëmtuarit nga aksidente të ndryshme. Kjo kosto mbin në mënyrë të pashmangshme jo vetëm nga shteti, por edhe nga vetë pacienti dhe familjarët e tij. Kështu, drejtori i Spitalit Ushtarak, Bedri Mihaj, ka shpjeguar para pak kohësh se është bërë llogaritja e kostove për të përballuar mjekimin e të aksidentuarve dhe ajo është tepër e lartë, duke filluar nga 4 mijë lekë të rinj, deri në 45 mijë lek të rinj. “Kostoja është studiuar dhe ajo është specifike për trauma të veçanta dhe për trajtime të rasteve që nuk shtrohen në shërbimet e politraumës, apo atyre që operohen dhe futen në reaminacion dhe terapi intensive. Unë mund të them se kostoja më e madhe është për operacionet dhe terapinë intensive, që mund të arrijë deri në 45 mijë lekë të rinj për 24 orë, për çdo person që ka një trauma të madhe të kokës, gjoksit apo barkut”,- shpjegon Mihaj, duke shtuar se aksidentet automobilistike ndodhin kryesisht për shkak të mosrespektimit të rregullave të qarkullimit rrugor, konsumimit të alkoolit ose moszotërimit të mirë të automjetit. Ndërkohë, ai shpjegon se një i sëmurë që është në gjendje kome të thellë, për shkak të një traume të kokës apo të një gjendjeje shoku për një politraumë, këto kosto janë goxha për spitalin Ushtarak. Ndërsa kostoja e të sëmurëve të tjerë, që nga ata ambulatorë deri në shtimet në shërbimet e politraumës, varion nga 4 mijë lekë të rinj, deri në 10 mijë lek të rinj për çdo të aksidentuar. Shifra vjetore e të aksidentuarve që marrin ndihmë në këtë spital shkon deri në 13 mijë vetë. Ndërkohë, bëhet e ditur se, sa u takon moshave që janë pre e traumës, ai u shpreh se janë moshat aktive nga 15-45 vjeç. Kjo grupmoshë, shpjegoi ai, është e angazhuar me shumë aktivitete, ku në shumë raste bëhen burim aksidentesh, duke rritur vdekshmërinë e personave në moshë të re.