E Shtunë, 31 Tetor 2026

Titujt e pronësisë, bizneset xhiro nëpër zyra

Bankat dhe kompanitë e ndërtimit komentojnë kostot shtesë që problemet me pronën sjellin për bizneset e tyre

Kompanitë shpenzojnë energji kohë dhe para për regjistrimin e pronës së paluajtshme

TIRANË – Mungesa e titujve të pronësisë, mbivendosjet e pronave dhe procedurat e stërgjatura për verifikimet e tyre në zyrat e rregjistritmit të pasurive shkaktojnë kosto shtesë dhe pengesa në zhvillimin e bizneseve në vend. Të shumtë janë biznesmenët që ankohen se humbjet nga problemi i pronave janë të shumta për biznesin e tyre. Ato madje thonë se shpesh kanë qenë të detyruar të ndalin aktivitetet e biznesit. Drejtori për Biznesin në një nga bankat private, Robert Wright, është shprehur për Shekullin, se pasuritë e paregjistruara ende e kufizojnë veprimtarinë bankare në 25 për qind. “Ne nuk japim kredi për pasuritë e paregjistruara. Kjo na kufizon neve në 25 për qind të tregut total të pasurive” është shprehur Wright. Të njëjtën fakt ka pohuar edhe përfaqësuesi juridik i një kompanie ndërtimi, i cili u shpreh se tregu aktual është shumë i vështirë për firmat e reja, është shumë e vështirë që ato të mbijetojnë pasi burokracitë dhe kaosi në Hipotekë, ndikon në tejzgjatjen e afateve duke bërë që për një firmë ndërtimi kjo kohë e humbur të jetë edhe kosto e humbur. Ndërsa drejtori Juridik pranë Hipotekës, Elidon Laze, shprehet se janë ndërmarrë reforma të thella, ku përmendet krijimi i një sporteli të veçantë për regjistrimin e kontratave të hipotekimit nga bizneset. Përveç regjistrimeve problem mbeten edhe gjetja e origjinës së pronës. Ka shumë biznese që duan të dinë nëse prona që kërkojnë të investojnë mund të ketë konflikte midis dy pronarësh etj. Përfaqësuesi juridik i kompanisë së ndërtimit shprehet se edhe për këtë temë shihet një vonesë e pajustifikueshme. Pranë Hipotekës është ngritur një task force që merret me verifikimin e titujve të pronësisë, kur vijnë kërkesa nga biznese të ndryshme. Por procedurat të tilla zgjasin shumë duke bërë që në disa raste kompanitë e ndërtimi të heqin dorë, duke qenë se është një kosto shumë e madhe për ta. “Shpesh kemi heq dorë kur firma e ndërtimit është ndeshur me probleme të tilla”, shprehet përfaqësuesi juridik i kompanisë së ndërtimit. Drejtori i Biznesit në Bankë, Wright, shprehet se ka pasur përmirësime në poceset e kalimit të pronësisë drejt bankave në momentin e mos kryerjes së pagesës së kredisë apo në marrjen e kolateralit, çka i bën bankat të mbulojnë borxhet e tyre më shpejt, por procesi kërkon ende shumë kohë ka thënë ai. “Në çështje si mbrojtja e konsumatorit, pastrami i parave, parandalimi i mashtrimit dhe ekonomia informale, rregullatorët e industrisë, qeveria dhe autoritetet e drejtësisë mund të bëhej më shumë”, ka thënë Wright. Duhet patur parasysh një sistem financiar nuk mund të ecë në drejtim të ndryshëm nga sistemi ligjor. Të dy janë të lidhur dhe duhet të ecin paralelisht. Nuk mund të zhvillohet edhe më tej biznesi pa zgjidhur përfundimisht çështjen e pronave.

“Problemi i pronave dëmton me miliona lekë biznesin vendas. Pasuritë e paregjistruara kanë kufizuar në 25 për qind tregun bankar”, thotë Robert Wright. Shumë firma ndërtimi që aspirojnë të hyjnë në këtë treg në rast se ndeshen me një fenomen të tillë rrezikojnë të falimentojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›